1Deputetët morën nga 10 ditë pushimi. Pesimistët do të thoshin – kush e di se ç’na pret nëse u duhet kaq shumë pushim. Optimistët do të thoshin – s’paska ardhur thika në fyt.
Po, e vërtata është se nuk ka ardhur. Ja ku po shihet dhe fundi i ndryshimeve të kushtetutës që duhet të largojnë bllokadën 27 vjeçare drejt NATO-s dhe BE-së. E nëse jemi realë – me sa duket aq mundemi. Në një shtet ku akoma edhe programi i vitit të ri në servisin publik, sponzorohet nga BE-ja, me siguri që është mision i pamundur që njëkohësisht të bëhen ndryshimet e kushtetutës por edhe të përfundojnë reformat më të rëndësishme që me të vërtetë do të sjellin jetën si dhe të fillojë të funksionojë sistemi i shtetit. Aq e kemi kapacitetin ne. Aq është dhe kapaciteti i qeverisë. Por ama edhe i yni si qytetarë. Jo më kot ekziston dhe e vërteta e vjetër – si qytetarët ashtu dhe pushteti.
Madje edhe kryeministri Zoran Zaev, para referendumit në 30 shtator, para biznesmenëve tha se ne kemi nevojë për një kamzhikues që të na sjellë në mend. Ndërsa, vetëm para dy muajsh, në një intervistë në televizion në emisionin 360 gradë, tha haptazi se për shkak të prioritetit kyç që të sigurohet integrimi në NATO, nuk mund të bëjë asnjë punë tjetër, pasi “aq mundemi”.
Pesimisti do të thoshte: Nuk kemi kapacitet, kaq e kishte ky shteti ynë. Optimisti do të thoshte: Fakti se nuk kemi kapacitetin për t’i përfunduar disa gjëra njëkohësisht, nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga të bërit e tyre një nga një.
Të gjitha justifikimet për papunësi, dembelizëm, paaftësi apo mossukses ishin të lidhura me pritjen e rezultateve të referendimit. E tani, të gjitha justifikimet rreth amnistisë për sulmet e Parlamentit më 27 prill, për dënimet e zvogëluara ndaj keqpërdorimit të funksioneve zyrtare, paraburgimet e rasteve të PSP-së, lajmërimet për punësime të reja në administratën publike, po lidhen me pritjen e votimeve për ndryshimet në kushtetutë.
Po, kur kemi pritur 27 vjet, të presim edhe dy – tre javë. Pasi, se a është apo jo kjo qeveri me të vërtetë e kualifikuar për të rikthyer jetën do të gjykohet atëherë kur të nisin punën, kur nuk do të keni justifikime të rëndësive gjeostrategjike, siç është hyrja në NATO.
2 Ja ku kanë shansin e parë për të na vërtetuar nëse munden apo jo të rikthejnë jetën me të vërtetë. Ama – jetë për të gjithë. Jo vetëm për “të vetët”. Për shembull, a thua ku do të shkojnë ato 25 milionë euro nga rritjet e tatimeve, gjë me të cilën u këput së lëvduari veten ministri i financave Dragan Tevdovski, teksa prezantonte sipas tij, Buxhetin më të madh në historinë e Republikës së Maqedonisë? Sa, vallë, nga ato para do të shkojnë për rrogat e zëvendës drejtorëve të cilët Parlamenti i votoi ekspres para vitit të ri, jashtë të gjitha ligjeve reformuese të tjera me prioritet, që kamzhikuesit kërkojnë prej nesh? Nga reforma e administratës publike, vetëm një gjë është e sigurtë. Se të gjitha ndërmarrjet publike do të kenë zëvendës drejtorë dhe se atyre 1.600 të punësuarve në administratë, që nuk shkojnë në punë dhe të cilëve ministri Damjan Mançevski u është lutur tashmë tri herë që të fillojnë të vijnë, do të vazhdojë t’u lutet edhe këtë vit.
Zaevi tha se me ndryshimet e Ligjit për ndërmarrje publike do të rritet efikasiteti i administratës publike. Se deri më tani nuk ka qenë efikase vetëm me drejtorët. Tani do të funksionojë falë zëvendës-drejtorëve. Me gjithë sekretarët dhe shefat e kabinetit.
Po, më mirë të mos e prishim humorin e festave. Gjithsesi qytetarët që i paguajnë tatimet nuk mund të bëhen drejtorë dhe zëvendës të ndërmarrjeve publike. Ato vende merren sipas listave partiake dhe shërbejnë për tregti politike. Sot shërbejnë për ndryshime në kushtetutë, nesër do të shërbejnë për diçka tjetër. Si për shembull, për deputetët që nuk e kanë ndërmend të punojnë, por ama gërmimi nëpër kontenjera u duket i padenjë.
Mjaft u ankova dhe unë. Gëzuar Vitin e Ri! Gëzuar Krishtlindjet! Për “jetën për të gjithë” do të shqetësohemi pas festave.
Përktheu: Fjolla Zllatku