1 “Asnjë krim nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, deklaroi ministresha e drejtësisë Renata Deskoska dhe përnjëherë mbolli optimizëm në jetët tona. Sepse, me anë të kësaj deklarate na bindi fort se me të vërtetë asnjë kriminel nuk do të mbetet i pandëshkuar. Përveç atyre që po – do të mbeten të pandëshkuar. Përveç atyre, veprat e të cilëve, nuk do të harrohen, përveç atyre, të cilëve nuk do t’u rikualifikohet vepra penale, përveç atyre, për të cilët PSP-ja nuk ka ngritur hetim në afat prej 18 muajsh dhe përveç atyre që nuk do të amnestohen dhe ata që nuk do të abolohen. Dhe ata që nuk kanë ikur. Dhe përveç Gjoko Popovski i MPB që ka blerë mercedesin me porosi nga Gruevski.
Jini të qetë. Tashmë edhe Gjykata supreme pothuajse njëzëri gjykoi se PSP nuk do të ketë më të drejtë të marrë përsipër hetime të reja, e kështu që do të marrim pak frymë nga beteja e pakursyer e qeverisë kundër kriminelëve të profilit të lartë. Më në fund, edhe ata do të përjetojnë jetën për të gjithë.
Madje edhe kryetari i Gjykatës supreme, Jovo Vangellovski nuk do të mërzitet nëse rastësisht PSP-së i kujtohet që të ngrejë akuzë edhe kundër tij. E dëgjuam në bombat se si nxirrte provat dhe ia dorëzonte Mile Janakieskit. Sa bukur. Vetë kryetari i Gjykatës supreme ka marrë vendim që të mos mund të përndiqet më. Ndërsa 16 gjykatësit e tjerë kanë vendosur se nuk mund të përndiqet një krim për të cilin janë siguruar dëshmi. Çfardo lloj rasti qoftë. Sa e ligjshme. E besa dhe ç’konceptim të lartë që paskan për një shtet të drejtë.
2 Ç’është e vërteta, ligji është i tillë. Por gjithashtu, ligji mund të ndryshojë. Të ndryshojë në Parlament. Pasi edhe ligji me të cilin u formua PSP u soll me një vendim politik. Në Parlament.
A nuk u lëvdua Zaevi se ka dy të tretën shumicë? A nuk është e gjithë qeveria e përkushtuar ndaj betejës kundër krimit? A nuk është kryesia e VMRO-DPMNE-së në krye me Mickoskin e rrethuar nga krimet e njerëzve të Gruevskit, për të cilat i përndjek PSP-ja? Atëherë, pse shumica ekzistuese reformuese nuk voton një ligj me atë të të cilit do t’i mundësojë PSP-së ta kryejë detyrën? Kur tashmë i ka mbledhur dëshmitë për krim?
A nuk u formua PSP-ja pikërisht për krimet që u zbuluan nga bombat? A nuk u shpik Katica Janeva për t’i hetuar bombat, meqë Marko Zvërlevski nuk donte dhe nuk guxonte t’i hetojë? A nuk ishin bombat e publikuara nga Zaevi arsye e krizës më të madhe politike në Maqedoninë e pavarur që nga koha pas luftës së 2001? Qindra negociata të Përzhinës dhe qindra marrëveshje u bënë, tetë muaj shëtitëm rrugëve, nuk e di se sa kova bojë u harxhuan duke e lyer Shkupin 2014, sa diplomatë na Amerika dhe Evropa u rreshtuan për të na e zgjidhur krizën. Dy herë u shtynë zgjedhjet, prokurorëve u mbylleshin dyert, u fshiheshin dokumentet. Sa kohë vetëm Gjykata supreme e bllokonte punën e PSP-së duke u përpjekur të mos i pranonte bombat si dëshmi…Edhe vetë Katica Janeva kërkoi përjashtim të Jovo Vangellovskit pikërisht sepse ai gjendej te bombat.
Arsyet për të cilat u formua PSP vlejnë akoma. Nuk kemi parë gjykatës të rinj në Gjykatën supreme. Nuk kemi parë fytyra të reja as në Prokurorinë publike.
Zaevi lëvdohej se paska rrëzuar regjimin me laps. E tani do ta rrezojë edhe PSP-në. E vërteta është se, po të mos ishte PSP-ja, zor se do të binte regjimi i Gruevskit.
U mbyll cikli. E ndryshuam emrin. Mirëpo, parimin e mosndëshkimit nuk e ndryshuam.
3 Kur tashmë flasim për krim, duhet të kemi shumë kujdes të mos përmendim BDI-në. Sepse zëvendës kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani ëshë shumë i ndjeshëm nëse emri dhe partia e tij lidhem me krim. Dhe kërkon menjëherë të kërcënohet me padi. Nuk e di se pse habitemi kaq shumë nga kërcënimet me padi. Edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe zëvendës kryeministri i kaluar Musa Xhaferi – guri nga afër vjen- e akuzonin Sllobodan Bogoevskin ngaqë në një dëshmim para gjykatës së Nju Jorkut, në rastin ku shteti amerikan e padiste Dojçe telekomin për dhënie të rryshfetit të funksionarëve të lartë, ka thënë se rryshfetin e kanë marrë mu ata të dy.
Nga ana tjetër, edhe PSP ka ngritur hetime për Bujar Osmanin dhe Ali Ahmetin. Kështu, Zaevit i konvenon që Gjykata supreme të jetë fajtore për lidhjen e duarve të PSP-së. Pasi në Parlament e pret shumica prej dy të tretave që t’i zbatojë reformat me të cilat mu Buajr Osmani, i ndjeshmi, do të na bëjë integrim evropian.
Prandaj, mos e përdorni kot emrin e shenjtë BDI. Apo, nëse ju duhet ta përdorni patjetër, e thoni në shqip. Respektojeni ligjin. Pasi për ta ligjet e tjera nuk vlejnë.
4 Jo, nuk janë vjedhur 19 milionë euro nga kontributet e pensioneve gjatë kohës që drejtorë të fondit të pensionistëve ishin kuadro të BDI-së. Por, ky ka qenë një gabim në sistem. Kështu thonë nga BDI-ja duke e akuzuan ministreshën për punë dhe politikë sociale Milla Carovskën se “nuk përkujdeset për mënyrën e prezantimit”.
Si, nuk janë vjedhur? A nuk duhet të përfundonin ato 19 milionë euro në llogari private të 12.000 të siguruarve të pensionit? Nuk kanë mbaruar aty. Paratë janë harxhuar. Se a janë harxhuar me dëshirën e Gruevskit që të bëjë fushata, apo me diturinë dhe urtësinë e Stavresvskit, nuk e dimë. Por ato 19 milionë euro nuk ekzistojnë. Duhet të gjenden 19 milionë euro? Po. A duhet të paguajmë të gjithë tani për diçka që Gruevski ka blerë me vota nga pensionistët, kurse drejtorët e BDI-së i kanë ndihmuar? Po. Atëherë, si mund të thuhet se nuk na kanë vjedhur?
5 Doli më e keqja nga BDI-ja. Por njëkohësisht doli dhe më keqja nga LSDM-ja. Publikisht e hidhëruan ministreshën më të njohur. Pse? Për një vend drejtori në kopsht. Ministresha Milla Carovska ia tërhoqi ingerencat kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievskit pasi nuk ka lëshuar shpallje për drejtor të kopshtit. Në fillim, kryetari e sulmoi ministreshën duke i thënë të mos i përzihet në punë. Pastaj një këshilltar komunal, i afërm i kryetarit, në një seancë e pyeti drejtoreshën e kopshtit nëse është vërtetë se kanë huazuar një dron nga bashkëshorti i ministreshës për 500 euro.
Kur Zaevi thoshte njëherë e një kohë: “Do të hamë fëmijë të gjallë”, me siguri e ka pasur ndërmend kapacitetin e intrigave me partinë e tij. Klanet e LSDM-së do t’i kushtojnë shtrenjtë Maqedonisë.
6 Si një freski e hareshme na vjen deklarata e liderit të VMRO-DPMNE-së: “Jam i gatshëm të jem kryeministër i Republikës së Maqedonisë. Jam i gatshëm të jem kryetar i Qeverisë së Maqedonisë”.
Nuk është gjithçka kaq keq në Maqedoni. Ka dhe momente komike.
Përktheu: Fjolla Zllatku