1 VMRO-DPMNE-ja qeverisëse na mbajti një leksion edukativ të gjithëve, nëpërmjet aksionit që ndërmori kundër Universitetit. Si të shkonte e gjitha sipas manualit.
Në fillim, njësitë policore me armatim të rëndë, sikur të ishin duke ndjekur terrorista të ISIS-it, para dy javësh u futën me forcë në Universitet për të arrestuar shtatë profesorë të dyshuar për rryshfet. Më pas, profesorëve dhe studentëve iu zgjodhën një rektor me zor e duke u shtyrë. Më pas, brenda natës, pa opozitën, votuan ligj për një universitet të ri shtetëror që do të rrënojë monopolin e universitetit më të madh dhe më prestigjioz, “Shën Qirili dhe Metodi”. Më pas, organizuan zgjedhje në Parlamentin Studentor sipas modelit të votuesve nga Pusteci, duke dërguar studentë të porositur, më 30 qershor, kur kanë mbaruar ligjëratat dhe sesionet, që t’u lehtësohet procedura e mbushjes së kutive. Kur panë se Parlamenti Studentor bën rezistencë, i vodhën kutitë e votave dhe bashkë me to u larguan, që të fshihen nëpër vendet e tyre e fshehtazi të numërojnë votat. Dhe në fund i rrahën studentët nga Pleniumi Studentor,të cilët kundërshtuan këtë mënyrë votimi të liderit të studentëve dhe denoncuan në polici vjedhjen e zgjedhjeve.
Ta gjejmë se çfarë do të ndodhë më pas? Më pas, do të vijnë ftesat për biseda informative në stacione policore për pengim të vjedhjes së zgjedhjeve.
Nuk është se policia u tremb nga fuqia e Pleniumit Studentor. Ata, jo që u frikësuan nga dhuna e studentave pa armë, që protestonin të ulur në tokë e me duart lart, duke thirrur: Ua!, por duhej të ndërhynin njësitë elitare të policisë. Madje, edhe topat e ujit të Erdoganit, ishin të gatshëm të mbronin katër kutitë e vjedhura zgjedhore.
Është krejtësisht absurde që të harxhohen njësi të shtrenjta elitare rrugëve, për katër kuti të vjedhura zgjedhore në zgjedhje studentore, si dhe të nevojitet që Njësitë për Ndërhyrje të Shpejtë të ruajnë rregullin dhe qetësinë prej studentëve rebelues.
Kjo ishte një stërvitje klasike demonstruese e VMRO-DPMNE-së për që do t’i gjejë të gjithë ata që do të mundohen ta pengojnë Gruevskin të shpëtojë nga fakti se ka rrëmbyer shtetin. Nëse kështu mbrojnë falsifikimin e zgjedhjeve studentore, vallë si do ta mbrojnë falsifikimin e zgjedhjeve normale?
Kur shikon se si e përdorin edhe policinë për të mbrojtur hajdutë, të bëhet e qartë që e kanë vendosur të veprojnë me forcë dhe do ta shfrytëzojnë atë deri në fund. Vallë, si do ta mbrojnë Gruevskin nëse PSP kërkon paraburgimin e tij?
2 Nuk besoj ta ketë të qartë dikush se çfarë është i gatshëm të bëjë Gruevski. Por, më intereson se si ca “Qosevë” do të gjejnë justifikim dhe do ta mbrojnë këtë që po bën partia në pushtet. Ja ku e keni përgjigjen. Pas natës me trazira, erdhi njoftim nga PSUKM, ku thuhet se “procesi zgjedhor u zhvillua në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, ku studentët patën mundësinë të japin votën e tyre dhe denjësisht të zgjedhnin liderin e tyre të ri”.
Po të isha në Qendrën për komunikim, do ta shkruaja fjalën “denjësisht” me shkronja të mëdha dhe të nxira.
Ata do të vazhdojnë të sillen sikur asgjë s’ka ndodhur dhe këtë të na e shesin si normalitet. E zeza do të jetë e bardhë. Dhe nuk na bëni dot asgjë. E nëse na bëni diçka, në kemi Çavkovin.
Pra, atë që pamë me njësitë speciale duke zvarritur përtokë studentët, është një vazhdimësi logjike e asaj që filloi në 24 dhjetor, 2012, kur u thirr policia që deputetët opozitarë dhe gazetarët e Parlamentit t’i hedhin jashtë si lecka.
Në shtetet e tjera, qytetarët dalin në rrugë dhe qëndrojnë deri sa të rrëzohet qeveria që rreh popullin. E te ne, as prindërit e studentëve nuk dolën. Le më profesorët.
3 Ta shohim tani rektorin e ri të USHKM, Nikolla Jankullovskin, profesor me emër, kirurg i respektuar, që ka shpëtuar me qindra jetë, të cilin, pacientët dhe familjet e tyre e shohin si zot. A i ka parë inçizimet ku shihet se si i zvarrisin studentët e tij si lecka? Si fillim, ka vendosur mos të komentojë mbi ngjarjen. Vallë, edhe ky do të vazhdojë të aktrojë normalitet?
4 Ashtu sikurse dhe ministri i punëve të brendshme, Mitko Çavkovi, aktronte normalitet gjatë kohës së Pranimit të ambasadës amerikane, dhe nga kalaja komandonte me aksionin e njëhsive speciale për mbrojtje të zgjedhjeve të vjedhura. Ndërkohë që në telefon thërriste: “NjNSh për PSUKM, NjNSh për PSUKM!”, të gjithë mendonin se e fliste keq anglishten, ndërsa ai në fakt komandonte:”NjNSh për PSUKM”.
Njëkohesisht, ambasadori Xhes Bejli shpjegonte investimin e tyre për qeverisjen e së drejtës në Maqedoni.
Bejli fliste pak për politikë. Tregonte për parqet kombëtare në Amerikë. Dhe për bukurinë e natyrës në Maqedoni. E dëgjonin kryetarët e komunave, të cilët u bënë të njohur me faktin që prisnin pemët nëpër parqet e Shkupt dhe në Maqedoni me intervenim të policisë. Nga lakmia shkatërruan Vodnon dhe i betonuan plazhet natyrore. Parqet që na i lanë trashëgimi otomanët, për të cilat prindërit tanë paguanin vetëkontribute që ato të bëhen në mjediset urbane, nga korrupsioni i shndërruan në pllaka betoni.
Shumë persona u zhgënjyen që ambasadori amerikan nuk dha një mesazh politik të mprehtë.
Mesazh më të fortë se ky, s’ke ku gjen: Natyrën e keni të bukur, ama shoqëria juaj nuk është kurrkund.
5 Një ditë para shënimit të 95 vjetorit të vrasjes së Gjorçe Petrovit, me urdhër të Todor Aleksandrovit, deputetët e VMRO-DPMNE-së votuan për universitet të ri, “Damjan Gruev”, ku do të ketë institut të ri për funksione shtabi dhe komanduese, me emër “Todor Aleksandrov”.
Vrasësi i Gjorçe Petrovit, krah asaj që ka rrugë, urë, përmendore dhe garazhë me kate, tani do të ketë dhe një institut për lidership. Si lider i dalluar në ekzekutimin e liderëve.
Ata që do të mbarojnë lidershipin në institutin “Todor Aleksandrov” do të shkojnë në shkollë vere për liderë të rinj të Gjorge Ivanovit.
Hajde, urime lidershipin.
Nejse, të paktën natyrën e kemi të bukur.
6 Siç po hapen universitete të reja, që të ketë studentë të rinj për t’i mbushur me doktrinë lidero- shtabo-komanduese alla Todor Aleksandrov, ashtu çdo ditë në kohën e futbollit lëshojnë reklama për fëmijë të tretë, që të ketë kush të vdesë në klinikën shtetërore të gjinekologjisë.
Qeverisë nuk iu duk dhe aq tronditës lajmi që 80 fëmijë kanë vdekur brenda gjashtë muajve, nga të cilët njëzet, vetëm gjatë dy javëve të fundit, sa që i tronditi fakti se gazetarët u parashtronin pyetje në lidhje me këtë. Madje dhe mjeku këcënonte para kamerave duke ua bërë me gisht.
Na thonë se fëmijët janë pasuria jonë më e madhe. Nëse bebet do të mbijetonin nga bakteri klebsiela gjatë lindjes në spitalin shtetëror, të gjithë do të ishin më të pasur. Do të rriteshin që të bëheshin studentë rebelues, që të kishte qeveria kë të rrahë në rrugë. E nëse do të lodheshin nga qyteku, do të shkonin në ndonjë shoqëri të bukur. Ku edhe natyra është gjithashtu e bukur. Përktheu: Fjolla Zllatku