1Gjithçka që pamë në kohën e VMRO-DPMNE-së, me të gjitha kundërprotestat e mundshme kundër studentëve, nxënësit e shkollës së mesme, plenumeve studentore, gazetarëve, profesorëve të kënaqur kundër profesorëve të pakënaqur, grevave të mjekëve të pakënaqur dhe protestave të mjekëve të kënaqur, protestave të romëve të prekur me ndërtesën e larme në Shkup, sepse e quakan “ndërtesë cigane”, e deri atëherë askush nuk e kishte quajtur ashtu, pastrim me sfungjerë dhe sjaj i ngjyrave të revolucionit të larmë te Porta në Shkup dhe përmendorja e Filipit të dytë në Manastir, pagëzimi dhe pirja e ujit nga liqeni i ndotur i Dojranit, lëshimi i veturave të zbrazëta të Ndihmës së shpejtë mes demonstratorëve të Revolucionit të larmë, protestave në autobusët e JSP-së para selisë së LSDM-së, kundër shatorëve para Parlamentit si përgjigje e shtatorëve para Qeverisë…e gjithë kjo nuk është asgjë në raport me kundërgrevën që lajmëroi qeveria serbe. Ministria dhe deputetët e qeverisë do të kenë grevë urie se nuk mund ta durojnë më bujën e protestave të opozitës dhe kërcënohen se, nëse opozitarët fillojnë grevë urie, atëherë greva e urisë nga ana e qeverisë do të jetë edhe më e gjatë.
Kjo është me të vërtetë maja më e lartë që asnjë parodi nuk mund ta kishte arritur. Ndonëse, e vërteta është se te ne gjenden shumë maja të cilat janë vështirë për t’u qasur. Si për shembull, kur kandidatja e VMRO-së për kryetare shteti, Gordana Siljanovska-Davkova thotë se për të do të votojnë edhe anëtarët e zhgënjyer të Revolucionit të larmë. Prit, prit… revolucioni i larmë nisi si reagim kundër bombave që zbuluan krimet e qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe faljet e kryetarit Gjorge Ivanov. E tani, të larmët e zhgënjyer do të votuakan për kthimin e VMRO-së? Ja ku janë, akoma zvarriten nëpër gjykata pas lajmërimit nga qeveria e VMRO-së. Cilët janë ata të larmët e zhgënjyer që do të votojnë për kthimin e VMRO-së? Ata të cilëve Mitko Çavkovi u kërcënohej me fjalët “po ju inçizojmë të gjithëve”? Ata që protestonin kundër xhelatit, tani do të votojnë që të hiqet PSP-ja? Ata që kërkonin të zbulohen të gjitha krimet që i dëgjuam në bisedat e përgjuara tani do të votojnë për ndalimin e hetimeve që i kërkon VMRO-DPMNE-ja?
Përse do ta votonin atë? Vetëm sepse Siljanovska-Davkova paraqitet si kandidat mbipartiak? Dhe sepse partia që e kandidon thotë se “vota për Stevo Pendarovskin është votë për nepotizëm dhe vjedhje të parave të popullit”. Hajdee…Nepotizmi!? Me kushëririn shef të policisë së fshehtë dhe kumbarin – ministër të financave. Vjedhje e parave të popullit!! Më Shkupin 2014. Dhe autostradat dhe autobusët kinezë. Me figurat e dyllit, pikturat dhe abazhurët e kristaltë të Pallatës së bardhë që tani i japin nëpër kisha, sikur të mundnin në këtë mënyrë të pendoheshin për mëkatet. Për anëtarët e VMRO-së, për krimet e VMRO-së, fajin ua ka LSDM-ja.
Hristijan Mickoski kërkon t’i jepet një shans i ri. Shans për çfarë? Që të na bëjë atë që na bënin për 11 vjet? Të na vjedhin mirë e mirë deri në fund? Të na përgjojnë siç duhet? Pasi, thonë se me këtë qeveri kriminele nuk jetohet. E, kështu, t’i kthehemi të vjetrës.
2Dhe pas tërë kësaj, akoma ekziston dilema nëse zgjedhjet presidenciale do të jenë të suksesshme apo jo, pasi mund të mos ketë dalje të mjaftueshme. Dhe përderisa do të ekzistojë kjo dilemë, do të thotë se qeveria e ka gabuar temën zgjedhore. Pasi, tema është – pas këtyre zgjedhjeve, kjo VMRO-ja e refugjatit Gruevski duhet të jetë një gjë e së kaluarës. Jo të bëhet temë e ditës nga e para. Pasi, përderisa do të jetojë kjo VMRO, VMRO-ja e Gruevskit, nga e cila, Mickoski jo vetëm që nuk u distancua, por ditë për ditë i jep fuqi, shteti do të jetë në krizë.
Qeveria që zgjidhi probleme kyç që e bllokuan të ardhmen e këtij shteti në NATO dhe BE, siç ishin emri dhe raportet e mira me fqinjët, i lejoi VMRO-së që t’i futë edhe për një herë tjetër këto tema për zgjedhje presidenciale. Është e dukshme se për presidentin e ri nuk do të jetë e lehtë të merret me çështje tashmë të mbyllura. Puna kryesore e kryetarit të ri dhe komandantit suprem pothuajse ka mbaruar. NATO dhe BE, po afrohen…Kështu që presidentit të ri do t’i mbetet t’i nënshkruajë ligjet që Gjorge Ivanovi nuk pranon t’i nënshkruajë dhe të nënshkruajë ligjet të tjera reformuese që duhet të sjellë Parlamenti. Kjo është jeta. Qeverisja e mirë, lista joselektive kundër korrupsionit, zgjidhja e problemeve lokale, punësimi, jeta më e pasur në çdo kuptim. Me këto zgjedhje presidenciale duhet të mbyllet më në fund ai tranzicion postkomunist që zgjat plot 30 vjet. Të çngulitemi nga e kaluara dhe të na fillojë e ardhmja.
Ka njerëz që janë krejtësisht të painteresuar për politikë, por janë të hidhëruar, të zhgënjyer, inatçor – “nuk votoj dhe pikë”, ka njerëz që janë vazhdimisht të pakënaqur nga gjithçka, ka dhe njerëz me pritshmëri të larta nga të gjithë…Por nëse zgjedhjet nuk dalin të suksesshme është e qartë se do të fillojë një krizë e re. Do të vijojnë zgjedhje të reja presidenciale, pastaj takime të reja liderësh, tregti të reja, zgjedhje të parakohshme parlamentare, fushata të reja, debate të reja, raporte të reja mbi përparimin e shtetit, data të reja dhe territore të reja për zënka…Do të kthehemi në fazat Përzhinë 1, 2, 3, etj.
E kuptoj se nuk ka shumë arsye që dikush të jetë i kënaqur nga ajo që kjo qeveri ka bërë deri më tani në nivel të brendshëm, qendror dhe lokal. Por nuk kuptoj se si do të mund të ishin të kënaqur nëse do të ktheheshim në fazën “Përzhinë”.
Përktheu: Fjolla Zllatku