DATË PËR NJË FIJE

Domethënë, dy vetë bëjnë hulumtim, e ndërkohë i gjithë sektori prej dyzet vetash i shkruan fjalimet e kryeministrit. Epo, me të vërtetë është për t’u habitur…

DATË PËR NJË FIJE

1Ç’është për t’u habitur nëse Maqedonia nuk merr datën për fillimin e negociatave me BE-në në qershor? Dhe përse gëzohen ata që gëzohen? Vallë e bëjnë këtë gjë për hir të Zaevit? Për më tepër akoma na bëjnë vërejtje se si paskemi bërë koleksion të rekomandimeve të Komisionit Evropian.
Ky rekomandim i 10-të nuk është tamam i tillë. Veçohet nga rekomandimet e tjera të koleksionit. Pasi Komisioni Evropian kërkoi datë për negocime pa shtyrje. Dhe e vlerësoi shtetin si: “një shembull pozitiv për të gjitha shtetet e rajonit dhe për fuqinë për të tërhequr Bashkimin Evropian”.

Dhe ç’gëzim të kemi nëse nuk marrim datë për negociata në qershor, kur për këtë gjë nuk ka faj Zaevi. Kryeministri dhe partia e tij, me gjithë pushtetet lokale kanë faj për shumë gjëra që nuk funksionojnë në shtet, por për shtyrjen potenciale të datës nuk janë fajtorë.

Shteti ka nevojë në mënyrë të domosdoshme për këtë datë të famshme. Në mënyrë të domosdoshme e kemi të nevojshme të ndjejmë se jemi në një tokë stabile. Se nuk e ndryshojmë emrin për kot. A nuk kishte vetëm kjo një pengesë. Madje edhe kur kishim rekomandime pozitive nga Komisioni, nuk merrnim afate pasi kishim çështje të pazgjidhur me Greqinë. Dhe atë e zgjidhëm.

Vërejtjet në raportin e BE-së për gjithçka që nuk shkon mirë në shtet vazhdojnë të kenë rëndësinë e tyre. Ato janë këtu mes nesh, jetojmë me to çdo ditë. Ne e dimë shumë më mirë këtë gjë se burokratët që shkruajnë raportet në Bruksel. Por, që puna të nisë dhe të fillojnë të zgjidhen edhe ato çështje, duhet të fillojmë me negociatat. Çdo pritje në rrethana të tilla dhe me kaq shumë budallenj nuk do të sjellë asgjë të mirë as te ne dhe as te fqinjët tanë.
Mosmarrja e datës për negociata dhe shtyrja tjetër e mundshme deri në pafundësi, jo këtë qershor por në tetor, jo këtë tetor, por pranverën tjetër, jo këtë të premte, por të mërkurën që vjen, ky do të jetë një shkatërrim për shtetin. Dhe jo vetëm për ne por për të gjithë rajonin. Dhe ky nuk do të jetë faji i Zaevit.

2 Ekziston një dallim mes “shtetit të robëruar”, një epitet që mund të gjendet në raportet e BE-së para vetëm dy vjet e gjysmë dhe “shembullit pozitiv” nga raporti i fundit. Por edhe ky shembull i mirë është fort larg një shteti të organizuar.
Të kishim pasur kapacitetin për të bërë një shtet stabil vetë ne, deri më tani do të kishim dalë nga balta. Në këtë mënyrë si po ecim, sapo kemi filluar të dalim dhe BE-ja po na ndihmon që të groposemi në baltë përsëri.

Qeveria është përbërë nga një parti e paaftë e cila quhet LSDM. Partneri i tyre i koalicionit është BDI. Janë edhe të korruptuar, edhe të paaftë, edhe agresivë, pasi shantazhojnë se pa ta, mund të ketë veç luftë. Ndërsa opozita është një shoqatë keqbërëse që nuk do të bëjë reformë. Jetojmë në një apati. Të gjithë mendojnë si të largohen. Nervat i kemi nga fundi. E ndërkohë hiqemi sikur jemi një shtet normal. Dhe mbahemi për një fije që të mos biem në humnerë.
Kjo fije quhet data për negociata e BE-së. Por, komplimentet se jemi një shembull pozitiv nuk janë

të mjaftueshme që të mos biem në humnerë.

3Tema nuk është nëse Zaevi ka apo jo më pak këshilltarë nga Gruevski. Pas sistemi gjithsesi e lejon kryeministrin të ketë një numër të pakufizuar këshilltarësh. Tema e vërtetë është nëse kryeministri është i gatshëm të bëjë ndryshim brenda sistemit. Apo t’i heqë vendet këshilltare. Apo ta kufizojë numrin e tyre. Që këshilltarët të jenë për këshillim. E jo për strehim. Në këtë mënyrë harxhohet shumë energji për të shpikur terme për vendet e këshilltarëve. Si për shembull “këshilltar për krijimin e politikave të cilat janë të interes të veçantë për qytetarët e qytetit të Shkupit”. Apo “këshilltarë për lehtësimin e procesit për qasjen e RMV ndaj BE-së, për ndihmë në realizimin e prioriteteve strategjike dhe përcaktimeve të qeverisë në raport me integrimet euroatlantike”.

O Zot… Deri sa të paraqitet këshilltari, do të kalojë koha për këshillim. Vizit-kartat duhet të jenë në forma A4. Me siguri e kanë pasur më të vështirë të gjejnë emra për vendet e këshilltarëve se sa emra kuadrosh partiake me të cilat do t’i mbushin ato vende.

Kryeministri ka një ekip të tërë për marrëdhënie me publikun, por edhe dy apo tre këshilltarë të gatshëm për media, puna e të cilëve është “përgatitja e brifingjeve dhe dokumenteve për takime të ndryshme me mediat nga ana e kryeministrit, por edhe përmbajtje (pika kryesore, teza, dhe gjëra të tilla të këtij soji) të cilat, më vonë nëpërmjet sektorit PR, do të shërbehen nga kryeministri nëpërmjet fjalimeve të tij”. Domethënë, ata që bëjnë hulumtimin janë dy vetë, ndërkohë i gjithë sektori prej dyzet vetash i shkruan fjalimet. Epo, me të vërtetë është për t’u habitur…

Si ia del vallë Zaevi t’i dëgjojë të gjitha këshillat? Dhe t’i lexojë të gjitha raportet. Të kesh 63 këshilltarë dhe nga secili të marrësh shënime të gjata të paktën një fletë në javë dhe të takohesh me ta të paktën një herë në javë…Ndërkohë të kesh ministra, zëvendës ministra, sekretarë gjeneralë, shërbime qeveritare…Të duhet të udhëheqësh një shtet, të hapësh autostrada që do të lidhin shtetin me shtetet fqinje, të bësh negociata me Mickoskin dhe të argumentosh me Ali Ahmetin, e mbi të gjitha këto të duhet të lutësh edhe Merkelin dhe Markonin për datën…

Me një program kaq të ngjeshur të kryeministrit, këshilltarët edhe mund të presin. Një pjesë e mirë e tyre, gjithsesi këshillon për honorar. Për një copë buke, do të thoshte Zaevi.

4Në gjithë këtë mundim për datën e negociatave paraqiten nga VMRO-DPMNE-ja dhe thonë se Zaevi ka faj dhe se kjo është qeveria më e keqe në historinë e Maqedonisë. Cila VMRO? Kjo VMRO e cila nuk dëshiron t’ia marrë mandatin Gruevskit. Kjo VMRO ku lideri Mickoski shet të njëjtin truk si në atë kohë për referendumin. Demek, deputetët duhet të “veprojnë në atë mënyrë që do të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën në mënyrën më joselektive të mundshme edhe në rastin e deputetit Gruevski.”. Publikisht – të votojnë sipas ndërgjegjes. Privatisht – me komandë nga Budapesti. Dhe si u përgjigjën deputetët? Se LSDM-ja e pengon Gruevskin të paraqesë se mungesa e tij nga Parlamenti është e arsyetuar.
Me të vërtetë Zaevi do të jetë fajtor nëse nuk do të ketë datë për negociata.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира