1Si mundej që 4 vjet pas deklaratës së tij: “Të mos lejojmë që kjo ligësi të përsëritet!”, Zoran Zaevi të vijë në derexhe që të deklarojë: “Nuk do të lejoj që ca kriminelë, një gazetar mendjemadh dhe, të më falë bashkësia LGBT, një peder të heqin këtë qeveri nga pushteti”?
Jo se Zaevi nuk punonte në këtë drejtim, që ligësia e Gruevskit dhe e VMRO-DPMNE-së të mos përsëritet asnjëherë. Dhe nuk është se ai vetë nuk ka investuar shumë mund personal apo që nuk ka treguar shumë guxim që kjo ligësi të mos përsëritej më. Së fundmi, ku ishte Zaevi para vetëm dy vjetësh? Me kokë të thyer në Parlament. E ku është tani? Një kryeministër i një shteti i cili për disa muaj do të hyjë në NATO, falë lidershipit të tij.
Mirëpo, kur lideri dhe shtetasi thotë:”Të gjithë ata janë pedera”, kjo nuk është një shprehje vendosmërie. Por një shprehje pafuqie. Që na bën të ditur se ai nuk mund ta menaxhojë skandalin “Reket”. Gjithashtu shprehje zhgënjimi. Dhe hidhërimi, ngaqë nuk i pranohet gjithçka që ka bërë deri më tani.
Nuk ka se pse Zaevi t’i hidhërohet “pederit”. Le t’u hidhërohet “pederave sipas karakterit” në parti. Duke përfshirë edhe veten e tij, që lejoi t’i krijohej një skandal i këtillë. Askush nuk e detyroi me zor. As deputetët, as ministrat, as kryetarët e komunave, as biznesmenët, as doajenët gazetareskë që të fotografoheshin me Boki 13, të shkonin nëpër darka, të merrnin dhurata, të nënshkruanin marrëveshje me një organizatë kinse humanitare apo ndërkombëtare. E askush prej tyre të mos pyesë as se prej ku janë paratë, as se i kujt është televizioni i cili kaq shumë u prishi punë.
Ja ku janë, në festimin e ditëlindjes së parë të televizionit, pranë të parëdyshuarit Boki 13, të ulur, ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ministresha e drejtësisë Renata Deskovska, zëvendës kryetarja e Parlamentit Frosina Remenski, sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski, ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, drejtori i policisë financiare Arafat Muaremi, kryetari i Gjykatës penale Ivan Xholev, Prokurorja speciale publike Katica Janeva me katër prokurorë të tjerë nga PSP, mes të cilëve dhe Fatime Fetai, dhe në fund Villma Ruskovska, shefja e Prokurorisë së krimit dhe korrupsionit të organizuar, e cila tre muaj më vonë e hapi rastin “Reket”. Ndërsa ata që nuk kanë mundur ta respektojnë personalisht Boki 13, kanë dërguar urimet e tyre me videomesazh. Fillimisht kryeministri Zoran Zaev e më pas lideri i opozitës Hristijan Mickoski, e pastaj kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi. Pasi, një vit ekzistencë e televizionit është një datë goxha e rëndësishme.
Gëzuar ditëlindjen të gjithëve.
Peder – Jopeder, ua futi të gjithëve.
2E qëkur shpërtheu “Reketi” dhe bombat në “La Verita”, Qeveria formoi “ekip operativ i cili nëpërmjet qasjes së koordinuar do të punojë pa kompromise në luftën kundër krimit dhe korrupsionit e cila do të përbëhet nga përfaqësuesit më të mëdhenj të institucioneve të pushtetit ekzekutiv”.
Sa keq që nuk e përdorën ditëlindjen te Boki 13, që më 30 mars, për të nisur “punën pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit”. Gjysma e ekipit operativ rrinë në rendin e nderit me të parëdyshuarin. Që atëherë mundeshin “të koordinohen”. Pasi secili prej tyre deri më tani ka punuar kundër korrupsionit. Por u ka munguar ekipi operativ për koordinim. Dhe ngaqë deri më tani kundër korrupsionit kanë luftuar me kompromise. Tani kur t’i koordinojë Oliver Spasovski do të luftojnë pa kompromise.
3“Shprehja popullore” e Zaevit mbase ngjason me atë tjetrën kur lopa i jep shkelm qumështit që bën vetë. Por, është koha të kujtojmë se kjo garniturë qeverisëse e ka sjellë ligjin për parandalim të diskriminimit dhe sipas përcaktimit seksual. Dhe se Zaevi ka dhënë donacion personal për Shtëpinë e sigurisë së qendrës LGBT. Po ajo qendër e cila në kohën e Gruevskit ishte e sulmuar dhe e thyer dy herë, kurse sulmuesit nuk janë gjetur akoma. Më në fund, kjo qeveri e siguroi edhe mbajtjen e paradës së parë historike të krenarisë.
Ndërsa sa i përket materialit të skaduar dëshmues për “Reket” në “La Verita” dhe publikimit të tij masiv në të gjitha mediat e Maqedonisë, është e radhës të kujtojmë se në 2015, kur Zaevi filloi t’i publikojë bombat nga përgjimi ilegal i qeverisë së Gruevskit prokurori special Marko Zvërlevski u ndaloi mediave t’i publikojnë. Shërbimi publik MRTV e respektoi rreptësishtë atë ndalesë dhe asnjëherë nuk publikoi asgjë. Të gjithë të tjerët që publikonin jetonin me frikën se do të vijë policia që t’i arrestojë.
Kështu që, nuk janë të gjithë të njëjtë. Dhe ky nuk është një relativizim i deklaratës së Zaevit. Për “shprehjen popullore “ për “pederat e gazetarët mendjemëdhenj”, thjeshtë – nuk ka justifikim. As nuk mund të mbrohet kërkesa për falje se kur ka thënë “peder” ka menduar për karakteristikat e personalitetit”.
Besa, për deklaratën e tij kërkuan faje dhe shoqatat për të drejtat e njeriut dhe shoqatat e gazetarëve. Për ata “disa kriminelë” askush nuk kërkoi falje. Pasi kriminelët nuk janë mendjemëdhenj. E as nuk janë pedera sipas karakterit.
Një politikan i përgjegjshëm nuk guxon t’ia lejojë vetes të japë kualifikime dhe të stigmatizojë. Pasi nëse Zaevi vazhdon me deklarata të këtilla të papërgjegjshme, atëherë ajo që bën do të jetë më pak e rëndësishme nga ajo që thotë. Atëherë – të gjithë do të jenë të njëjtë.
4 Ndërkohë që shpërthenin bombat për “Reket”-in, ndërsa qeveria, prokurorët dhe gjykatësit pushonin, mes dy postimeve të paguara për Fejsbuk për sukseset e qeverisë, doli kryetari i Sarajit Blerim Bexheti dhe u kërcënua se nëse Qeveria ia merr kompetencat për shkak të platformave të paligjshme në Markë, ai do të organizojë referendum për banorët e Sarajit.
Këtë demokraci me referendum, ministri i kaluar i drejtësisë nga BDI-ja Bexheti, siç duket e ka mësuar nga diaspora e Zvicrës, që shtinë nëpër dasma dhe lëshohet në rrugët e Maqedonisë perëndimore. Pasi në Zvicër akoma nuk ka ardhur në referendum pyetja nëse mundet apo jo të shtihet në dasma dhe të vozitet mbi shpejtësinë e lejuar.
Dhe cila do të jetë pyetja e referendumit në Saraj? A do të respektohet ligji, apo jo?
Përktheu: Fjolla Zllatku