17 KG EURO

Suksesi në Maqedoni nuk falet

17 KG EURO

1Na ishte një herë një shtet në të cilin kryeministri vendos që me 700 milionë euro të ndërtojë në kryeqytet përmendore dhe shatërvanë antikë të stilit barok. Ku shefi i policisë sekrete, i cili është njëkohësisht kushëri i kryeministrit përgjon telefonat e gjysmës së shtetit që të zbulojë se si ministrat e kushëririt vjedhin njëri-tjetrin, si dhe të shohë se çfarë janë duke përgatitur opozita, ambasadorët, gazetarët…Kumbari i shefit të policisë sekrete është biznesmen që blen të gjithë shtetin – duke përfshirë spitalet, bankat, gazetat, shtypshkronjat, hotelet, kompanitë ndërtuese, qumështoret, lopët, arat, kombinate, centrale gazi…

Një fishkëllyes dorëzon bisedat e përgjuara te lideri i opozitës. Shpërthejnë bombat, zbulohet se qeveria nuk ka vjedhur vetëm para, por edhe zgjedhje. Ndodh një krizë politike. Përfshihen edhe ndërkombëtarët. Marrëveshje, negociata, memorandum…Krijohet një prokurori e re, speciale, pasi prokuroria ekzistuese nuk dëshiron t’i hetojë kriminelët e pushtetit…Presidenti i fal të gjithë politikanët të cilët dolën kriminelë nga dëshmitë e bombave. Ndodhin protesta. Zgjedhje. Lideri i opozitës mbledh shumicën për qeveri, por presidenti nuk i jep mandatin. Opozita e re sulmon Parlamentin, dëshiron ta vrasë liderin e shumicës që dëshiron të formojë qeveri. Lideri mbijeton vetëm me kokë të krisur dhe formon qeverinë. Kryeministri i vjetër arratiset nga shteti që t’i shpëtojë burgimit pas gjykimit të prokurorisë speciale.

Prokuroria speciale hap hetim dhe e dërgon në paraburgim njeriun më të pasur të shtetit. Shfaqet një shoumen dhe ekzibicionist që prezantohet si pronar televizioni. Ka miqësi me shefen e Prokurorisë speciale. Por edhe me biznesmenin nën hetim. Fotografohet me politikanë të ngritur, me gazetarë të respektuar, u bën dhurata…Biznesmeni nën hetim nga prokuroria speciale i jep një milion e gjysmë euro mikut të shefes që të veprojë në mënyrë që ai të çlirohet nga paraburgimi dhe t’i kthehet pasaporta. Dhe të gjithë këtë inçizon. E paraqet në prokurorinë e rregullt dhe nga një kriminel i dyshuar bëhet dëshmitar-viktimë. Inçizimet dalin në një gazetë italiane. Shefja e Prokurorisë speciale vihet në dyshim. Dhe për t’u mbrojtur angazhon avokatin që mbron të dyshuarit kundër biznesmenit në lëndën e saj.

Një prokurore e prokurorisë së rregullt arreston prokuroren e Prokurorisë speciale. Dhe si material dëshmues konfiskon mobilen e sallonit të saj, të dhuruara nga shoumeni. Zbulohet që nuk ka qenë shoumeni ai i cili ka paguar mobilen, por që është marrë gjithashtu, nga një firmë e familjes së biznesmenit. Gjithashtu, ai nuk ka paguar as operacionin për ta zbukuruar veten të cilin e ka kryer në spitalin e po atij biznesmeni.

Në ditën kur është arrestuar prokurorja speciale, zbulohet se po atë mëngjes i ka ndërruar jetë nëna. Natën e kalon në paraburgim, ndërsa në mëngjes e dërgojnë në varrim…

Nëse e gjithë kjo histori do të ishte një film, në momentin e vdekjes së nënës, do t’i thoshe vetes: “Ore, çfarë film koti…Po shkoj të fle. E paskan gabuar skenarin. E çfarë do të vijojë pas kësaj? Vallë, do t’i gjejnë ato një milion e gjysmë euro nga mesi i filmit?”

2Mirëpo, ky nuk është një film. Dhe e dyshuara nuk është një grua dosido. Por është Katica Janeva. Jo ndonjë Katicë nga Gjevgjelia, por është Katica- shefja e Prokurorisë speciale, që u krijua pikërisht që të ishte speciale, pasi prokuroria e rregullt nuk e kryente punën siç duhej, nuk dëbonte krimin nga pushteti. Sipas kësaj logjike të ngjarjeve, Katica speciale do të duhej ta kishte arrestuar Villma Ruskovskën e zakonshme. Ndërkaq, ka ndodhur e kundërta.
E pastaj, kush pret diçka logjike në Maqedoni? Të kishte pasur logjikë në këtë shtet, kryeministri nga fillimi i këtij filmi do të duhej të ishte në burg tani. Por në realitet, çfarë ndodhi? Katica Janeva e pa Shutkën para tij. Kurse para pak kohësh u bë heroinë me sloganin: “Shutka nuk të ikën, Nikollë”.

3Katica Janeva shkoi në paraburgim 35 ditë pas fillimit të hetimit për reket dhe u arrestuan edhe Boki 13 dhe Zoki Kiçeec. Ajo u burgos në mënyrë që të mos i ndikojë dëshmitarët dhe të mos ia mbathë jashtë shtetit. Pasi u kthye nga pushimi në Greqi para një jave. Aty ku nuk ka mundur të ndikojë mbi dëshmitarë apo t’ia mbathë jashtë shtetit, pasi ka qenë duke pushuar.
E ndërkohë që prokuroria e rregullt bashkë me Katica Janevën po pushonin, hetuesit civilë të fejsbukut bënin analizë forenzike të inçizimit ku mund të shihen komplete bankënotash në euro pranë një çanteje “Lui Viton” dhe një specifikimi i vleftës së bankënotave. Hetuesit e vyer civilë kanë përllogaritur se 545.000 euro në bankënotat e inçizimit që ishin bankënota 50 euroshe peshojnë 12 kg. 387.000 euro kanë qenë në 774 bankënota 500 euroshe me peshë prej një kilogrami. Kurse 108 bankënota 200 euroshe peshojnë vetëm treqind gramë dhe 757 bankënota 100 euroshe peshojnë një kilogram. Përfshirë këtu edhe gazetat bullgare që Orcja i ka vendosur sipër, plus llastikat, plus pesha e vetë çantës, meqë është lëkurë e pastër (me siguri peshon), ja ku u bënë diku 17 kile.

Boki dhe Kërçovari kanë kaluar lehtësisht vetëm me 17 kile. E Katicës iu desh të mundohet me kauçin. Prokuroria gjeti materialin më të vështirë për dëshmi. Mbi shtatëmbëdhjetë kilshen e eurove do të presim vazhdim të serialit “Çdo gjë do të jetë ok”.

4Për biznesmenen 30 vjeçare Nina Angellovska, të propozuar nga kryeministri Zoran Zaev si ministre të financave, nuk di asnjë gjë tjetër përveç asaj që është shkruar në biografinë e saj profesionale. Se a do të jetë ministre e mirë apo e keqe, le të çajë kokën kryeministri. Por nuk mund të kuptoj se nga doli e gjithë ajo urrejtje nëpër rrjetet sociale, vetëm e vetëm se ajo është një grua e re dhe e suksesshme. Pse u pengon? Ngaqë është e re? Apo ngaqë është e suksesshme? Apo ngaqë është grua?

Për njerëz të rinj por shumë më me eksperiencë dhe më të arsimuar se Angellkoska mund të flasim kur kujtojmë Branko Cërvenkovskin, i cili adhurohej kur kishte 30 vjeç. Si dhe kur kujtojmë të adhuruarin Ljubço Georgievski, punësimi i parë i të cilit ishte si zëvendëspresident në moshën 25 vjeçe. Kurse për punë të dytë kishte të qenët kryeministër në moshën 32 vjeçare. Ndërsa edhe më tepër i adhuruari Nikolla Gruevski kur  bë ministër i financave në moshën 29 vjeçare.

E pse të mos mund të adhurohet edhe Nina Angelovska ashtu si Branko, Ljubço dhe Gruevski? Se s’ka qenë politikane? Se në moshën 20 vjeçe ka bërë një firmë e cila pati sukses? Apo sepse është grua?

Imagjinoni sjelljen e saj skandaloze. Ndërkohë që bashkëmoshatarët e saj kanë qenë duke luajtur nëpër mbrëmje komitash, duke ngjitur postera nëpër shtabe për t’i siguruar vetes një punë shteti, ajo ka krijuar një kompani të suksesshme private.

Suksesi në Maqedoni nuk falet.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира