Në ditët e ftohta të dimrit, një njeri i veshur me dy pallto, futet në restorantin e ndriçuar bukur, në qendër të Madridit. Të punësuarit e përshëndesin ngrohtësisht, ai tashmë ka ardhur shumë herë. Portieri ia kontrollon letrën e identifikimit dhe njeriu i uritur përzgjedh një tavolinë me çarçaf të kuq poshtë llambadarit të mesingut. Ky burrë, Luis Gajardo është njeri i pastrehë, si të gjithë të tjerët që çdo ditë vijnë në restorantin “Robin Hud”.
Misioni i këtij restoranti është që të vërë çmime për të pasurit që t’i ushqejë të varfërit. Myshterinjtë që paguajnë për mëngjesin dhe drekën i mbulojnë harxhimet për darkën për të pastrehët. “Robin Hud”-i shpejt u bë restoranti më i kërkuar për rezervime dreke. Ai mblodhi të punësuar nga hotele luksoze dhe gatues të njohur mbajnë radhën, për të gatuar një herë në javë. Për të interesuarit, periudha e drekës është plot deri në fund të marsit.
“Dua që të hanë me dinjitet, si çdo njeri tjetër”, thotë atë Anheli. “Me po të njëjtën cilësi, në gota të kristalta dhe jo plastike, në një atmosferë të ngrohtë miqësore dhe me biseda. Jashtë restorantit, rri ngjitur një listë me rregullat e shtëpisë: Patronëve u lejohet të këndojnë si të duan, përderisa nuk i shqetësojnë të tjerët. Mund të përdorin ui-fi dhe të huazojnë telefonin për ndonjë telefonatë. Mund të sjellin ushqimin e tyre dhe të porosisin vetëm pije, nëse duan. Ose mund ta rezervojnë kuzhinën për ndonjë festim ditëlindjeje apo ndonjë rast tjetër të veçantë. Si themelues i “Lajmëtarët e paqes”, një organizatë lokale bamirësie, atë Anheli renovoi një kishë të braktisur pranë restorantit dhe e bëri qendër për komunitetin. Ajo është kisha e vetme në Madrid që punon 24 orë në ditë – me kafe falas, televizor dhe vend për të fjetur për të pastrehët.
Gajardo, burri me dy pallto, thotë që tryeza ia kujton Krishtlindjet e kaluara, para se të falimentonte kompania e tij kontabiliste, kur i është dashur të pushojë nga puna 60 nëpunës. Tregon një fotografi të tryezës së Krishtlindjeve, ku ai mban ëmbëlsira dhe një shishe verë franceze – fotografi kjo, prej para dy vjetësh në shtëpinë e tij, para se të duhej ta shiste atë që t’i paguante borxhet.
“Ishim si çdo familje tjetër”, thotë Gajardo (48). Tani bashkëshortja e ka lënë, ndërsa ai jeton në rrugë dhe fle në kabinat e bankomateve. Për të ardhmen e vet, ai shprehet: “E ardhmja ime është tani. Nuk mundem as të flas për ditën e nesërme. Do të doja ta dija, por nuk e di se çfarë do të sjellë.”
Ekonomia e Spanjës ndoshta tani nuk është më në rënie, por ende mban pasoja nga ajo periudhë. Papunësia është akoma në 20 përqind.
“Robin Hud” ushqen më shumë se 100 njerëz çdo natë, në dy turne. Në kuzhinë, makina për larjen e enëve sapo është prishur. Një vullnetare fillon t’i lajë enët me dorë.
“Disa nga myshterinjtë tanë janë shumë të arsimuar, të tjerë turpërohen që ndodhen këtu”, thotë Nieve Kuenka, pensionere që vjen kohë pas kohe për të ndihmuar në kuzhinë. “E adhuroj këtë punë. Është gjëja më e mirë që kam mundur të bëj me jetën time”, thotë ajo, me duart deri në bërryl në ujin me sapun.