1 SHKURT

Fukarenjtë e pasuruar, as nuk vajtën në burg, as nuk i kthyen paratë

1 SHKURT

1Kur veçmë Qeveria u ofron punë nëpër kompanitë private të punësuarve joproduktivë e administratës shtetërore, vallë, do të kenë mundësi pronarët ta zgjedhin kuadrin, apo do t’i përcaktojnë kuturu?

Supozoj se shumica e bizneseve private do të duan t’u bjerë Hazbi Lika, zëvendës kryeministri për implementimin e marrëveshjes kornizë, i cili nga maji nuk është shfaqur në punë. Me siguri, shumë veta do të duan ta vërtetojnë në praktikë konceptin e kryeministrit Zoran Zaev dhe ministrit Damjan Mançevski për reforma dhe efikasitet në administratën publike. Zaevi tha se “nëse ndonjë ministër nuk vjen në Qeveri, është gjë logjike që Qeveria të mendojë që ai të zëvendësohet”. Kurse Mançevski prapë tha se “askush nuk do ta humbë punën dhe se administratës së tepërt do t’i ofrohen mundësi në sektorin privat”.

Qeveria do të mund të bënte projekt pilot për ndërmarrje të punonjësve të tepërt të administratës. Sipas atij projekti, kryeministri Zaev, kryeministri Koço Angjushev dhe të gjithë ministrat që kanë firma private duhet të punësojnë dikë nga ata që janë të punësuar në administratën e shtetit, por të cilët me vite të tëra i lusin që të vijnë në punë. Dhe “do të ulen e të mendojnë, që kjo të ndryshojë”, siç thotë kryeministri. Te kompanitë e tyre, vallë, vlen ligji se nëse nuk paraqitesh tre ditë në punë, përjashtohesh? A i lusin që të vijnë në punë, e nëse vendi i punës nuk u pëlqen, vallë, u japin një mundësi të dytë? Apo të tretë. E të kthehen nga puna sezonale në Zvicër, Itali, e të mendohen edhe pak….

Kur dikush nuk i vjen në punë në firmë, pronari Zaev, a ulet e mendon se si ta ndryshojë? Më çudit- si bëhet atëherë ajvari? Po, furgonat e Angjushevit, mos bëhen vetë?

2Çfarë ka këtu për të menduar? Ndërkohë që ne shkojmë në punë çdo ditë dhe rregullisht e paguajmë tatimin tonë që të mund të sigurojmë rrogën edhe për administratën publike, ata refuzojnë të nënshkurajnë kontrata, nuk paraqiten në punë dhe nuk e bëjnë atë gjë për të cilën janë paguar. Dikush do të mbytet së punuari, e dikush tërë jetën vetëm do të nënshkruajë emrin që të marrë pension. Mirë ama, që kur nuk mund t’i dënosh ata që nuk vijnë në punë, si do t’i dënosh vallë, ata që nuk e bëjnë punën a tyre siç duhet?

Ka të punësuar të cilët nuk e kryejnë shërbimin për të cilin i paguajmë. E askush nuk është përjashtuar, siç do të ndodhte normalisht me secilin që do të punonte në mënyrë të papërgjegjshme në ndonjë kompani private.

Bashkëpunimi ndërpartiak funksionon më së miri te mospërjashtimet nga puna. Unë nuk i përjashtoj të tutë, ti nuk i përjashton të mite. Në zgjedhjet e radhës, prapë do të pranojmë njerëz të rinj. Budallenjtë e sektorit privat do të paguajnë. E nëse nuk paguajnë, do t’i dënojmë.

E pastaj, qeveria habitet se pse ka mosbesim ndaj implementimit të tatimit progresiv. Se pse njerëzit nuk besojnë në frazën “tatim i drejtë”. Si, pse? Sepse vetë kryeministri, kur i arsyentonte punësimet e këshilltarëve në kabinetin e tij, thoshte: “Epo, edhe ai duhet të nxjerrë bukën për fëmijtë e tij”.

As ky shtet, e besa as kjo qeveri nuk ka treguar se mund ta ndryshojë praktikën e shpenzimit të parave popullore për privilegje partiake. A do të shpenzohen paratë e tatimit progresiv për mbulim të borxheve të bëra në mënyrë kriminele nëpër komuna, pagesa rrugore, dhe vendet e shpikura në Qeveri, ministri apo ndërmarrjet shtetërore? Apo do të shkojnë për rroga më të mëdha të edukatoreve nëpër çerdhe dhe në azilet e pleqve, te arsimtarët, mjekët, motrat medicinale, për ilaçe më cilësore, ajër më të pastër, ujë të pastër, hekurudha, rrugë, deponi…?

Kështu që, nuk bëhet fjalë se a do të kemi tatim progresiv apo jo. Nuk është çështja nëse Qeveria duhet ta vërë në fuqi apo jo. Nuk bëhet fjalë as për përqindjen e tatimit. Të gjitha këto vijnë pasi do të japim përgjigje për pyetjen më të vogël, që është burim i mosbesimit esencial: Pse shpenzohen paratë e tatimit?

3Në vend që kryeministri Zaev të mendojë se si të mos i hidhërojë punëtorët që duhet të përjashtojë, le të ulet e të mendojë se si ta kthejë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.. Ndërkohë që ai dhe dy-tre të tjerë të Qeverisë merren me emrin, të tjerët gjejnë justifikim se si të mos merren me punën e tyre. Vjen koha kur edhe ky kapitull historik do të mbarojë. Ndryshimet e kushtetutës do të kalojnë. Dhe Gruevski do të përfundojë në burg. Me një sebep, do të përfundojnë në burg edhe përgjegjësit për sulmin e organizuar të Parlamentit në 27 prill vjet. Dhe në rend të ditës do të vijnë çështjet esenciale të jetës së përditshme të cilat i harruam, duke u marrë me temën e madhe – emri, BE dhe NATO. E kështu do të mbarojnë justifikimet për Qeverinë. Dhe do të gjykojmë nëse punon për interesin e qytetarëve apo për interesin dhe privilegjet partiake.

Do të mbarojmë edhe me festat fetare e të vitit të ri, edhe me pushimet dimërore dhe ndryshimin e Kushtetutës. Deri në 31 janar, as letrat e Mijallkovit nuk do të jenë më aktuale. Por, çfarë do të bëjmë nga 1 shkurti? Kur nuk do të kemi më justifikim për t’u përballur me realitetin?

4Gruevski do të duhet të shkojë në burg. Me siguri do të insistojë që të konsiderohet viktimë. Dhe do të vazhdojë t’i referohet nobeluesit Ivo Andriq. Para disa ditësh, Gruevski shkroi: Është i gjorë ai që duhet të përulë dikë që të ndjehet madhështor”.
Frazë shumë e bukur, e përzgjedhur nga dikush që porosiste nga dy-tre shpulla nga ato më të fortat, shkatërrimin e ndërtesave me dinamit, ai që qeshte me kundërshtarin politik se si e ka bërë në brekë…Mos është shumë?

Kur veçmë e citon Andriqin, le të mos e harrojë dhe frazën në vijim: “Vjen një kohë kur të mençurit do të mbyllin gojën, budallenjtë do të fillojnë të flasin dhe fukarenjtë do të pasurohen”. Kjo është koha e Gruevskit. Dhe akoma vazhdon. Fukarenjtë e pasuruar as nuk vajtën në burg, e as nuk i kthyen paratë.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира