40 КAFENE

Dikush ëndërron për një korsi të shpejtë në Evzonit. E dikush tjetër për një shqiponjë në Everest.

40 КAFENE

1Mirë, pra. Ja ku përfundoi edhe meseleja e emrit. Edhe Ligji për gjuhë u publikua në Gazetën zyrtar dhe Ligji për ndalim të korrupsionit më në fund u soll. Kryeministri Zoran Zaev ka shkuar në pushime për ski jashtë shtetit. Më intereson shumë se cila do të jetë puna e parë që do të bëjë kur të kthehet të hënën, ndërkohë që pret kamxhikun e BE-së.
Jo se dikush ua ndalonte që të punonin deri më tani. Por, atëherë kishin arsyetim të fortë. Po bënin histori. Ndërkaq, edhe vetë Zaevi e pranoi se kaq e kanë kapacitetin. Që kur Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet edhe nga parlamenti grek, nuk mund të gjendet arsyetim për të mos punuar.

Kapaciteti i vërtetë i kësaj qeverie do të duket kur historia të ketë mbaruar. Zaevi, atë që e kishte premtuar për të zgjidhur problemin me Greqinë që na mbante të ngulitur në vend për 27 vjet, e solli. Pyetja është e do të sjellin LSDM dhe BDI qeverisje të mirë, që jeta të vijë me të vërtetë për të gjithë. A nuk u zgjodhën për këtë gjë që në fillim?

2Meqë jemi te kapaciteti i partive në pushtet dhe dyshimi në janë apo jo të kualifikuara për të sjellë jetën për të gjithë, po ju ofroj një shembull të thjeshtë. Në Shkup vetëm 40 kafene kanë të drejtën për ndërtim të tarracave të najlonit në dimër dhe vetëm ato 40 kafene kanë paguar buxhetin e qytetit për të uzurpuar trotuaret. Të gjitha kafenetë e tjera janë të paligjshme. Ato nuk paguajnë as edhe një denar. As nuk dënohen. Ndërkohë, afati për marrjen e lejes për tarraca dimri ka kaluar që nga tetori i vitit të kaluar. Nuk e di se pse ata që paguajnë nuk ngrenë krye, pasi gjendjen në një pozitë të pabarabartë në treg krahas atyre që nuk paguajnë. Me shumë siguri pasi edhe ata vetë paguajnë vetëm për dy-tri tavolina, e jo për dy-trembëdhjetë që kanë shtruar. Mirëpo këtë gjë askush nuk e ka kontrolluar. E le më t’i ketë dënuar.

Historia për Petre Shilegovin dhe dyzet kafenetë vlen vetëm për Shkupin. Për qytetet e tjera nuk dimë, nuk kemi pyetur. Se mos mërzitet dikush për hapësirën publike edhe atje.

Çfarë na mëson ky shembull mbi kapacitetin e qeverisë në zbatimin e ligjeve? E thjeshtë fare. Na bën të kuptojmë se qeveria nuk është e kualifikuar as për llogaritje tavolinash dhe karrigesh.

3Le ta shohim nga ky këndvështrim çallëmin e funksionarëve të BDI-së me shqiponjat. Edhe ata çdo ditë e vërtetojnë kapacitetin e tyre për qeverisje të mirë. Si? Gjatë pauzave kur nuk gjuajnë njëri tjetrin. Ministrat janë vendosur aty për të punuar, jo për të ndërruar tabela.

Nejse. Nuk më bëhet ky muhabet. Por, për shembull, nuk e prisja nga zëvendës kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani të bënte duart “shqiponjë”, sikur të ishte një sukses i madh publikimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetën zyrtare. Nga një zëvendës kryeministër për eurointegrime prisja një sjellje pak më të integruar në momentin kur të gjithë jemi kaq të brishtë e të cënueshëm nga ndryshimi i emrit. Për më tepër, më pak edhe shpjegoi se gjesti nuk kishte qenë një shprehje nacionalizmi, por mbart një kuptim më të thellë dhe se “edhe po të ngjitej dikush në Mont Everest dhe të bënte atë gjest, do të dihej se është shqiptar”.

Kush ia ka ndaluar Bujarit deri tani të jetë shqiptar? Kush ia ka ndaluar ta ngjitë Everestin? A thua se nëse dikush niset për të ngjitur Everestin, ngjitet që të vërtetojë se është shqiptar.

Bujar Osmani paguhet nga të gjithë ne që të sjellë fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në. Kjo është maja e tij. Le të ngjitë këtë Everest. Për këtë paguhet. Nuk paguhet se është shqiptar. Por sepse është zëvendës kryeministër për eurointegrime. Jo zëvendës kryeministër i alpinizmit.

4Shumë më intereson se si do të sillen ata të shqetësuarit për emrin, që quajnë veten maqedonas veriorë, edhe pse diçka e tillë nuk thuhet askund në Marrëveshjen e Prespës, në rast se Greqia zgjedh që në shenjë të vullnetit të mirë të hapë një korsi të veçantë në kalimet kufitare; “Vetëm për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Mirëpo, që të kalohet nga ajo korsi e shpejtë, pa u dashur të presësh radhën e makinave me targa serbe dhe kosovare, do të duhet që të legjitimohesh me pasaportë të re. Apo edhe më mirë, si në kohën kur sllovenët i linin kroatët të kalojnë nga ana e tyre (e BE-së) vetëm me letërnjoftim, edhe grekët të dalin erbapë e të na lejojnë të kalojmë me letërnjoftim. Por një letërnjoftim i ri. Madje, të dalë sa më shpejt, që t’i kapin Pashkët bashkë me 1 majin.

Mund t’i paramendoni të gjitha justifikimet e të shqetësuarve që nuk japin emrin, kur do t’u duhet të shkojnë në MPB për nxjerrje dokumentesh të reja – Ehh, djali im e kishte pasaportën nga fundi, e kështu…të mos vijmë dy herë radhazi…unë e humba letërnjoftimin, e ç’të bëjmë, do të shkojmë për t’i shëruar sinuset, deti det është. Sa për mua, unë kurrë nuk do të kisha shkuar te grekët e leshit, por shkoj për fëmijët,, e kam makinën e vjetër, më mundon rruga e gjatë…Shquhemi ne për nga justifikimet e mira përgjatë historisë sonë të gjatë që nga koha e embargos së Greqisë para 25-26 vjetëve.

Secili me prioritetet e veta. Dikush ëndërron për një korsi të shpjetë në Evzoni. Dikush për një shqiponjë në Everest.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира