ALO, SOFJE

Edhe dhjetë herë po ta ndryshonim Kushtetutën dhe gjithë bullgarët t’i radhisnim me emër dhe mbiemër në Preambulë, Bullgaria nuk do të pushojë së frenuari përparimin tonë drejt BE-së.

1 Maqedonia deri më tani ndërton me sukses marrëdhëniet ndërnacionale dhe si parim nuk do të duhej ta kishte problem që të futen edhe bullgarët në Kushtetutë, ashtu siç do të shtohen edhe kroatët dhe malazezët. Por, problemet që na i bën Bullgaria nuk do të pushojnë me ndryshimin e Preambulës. Ngaqë Bullgaria thjesht nuk do as ta shohë Maqedoninë, e sidomos nuk dëshiron ta shohë të barabartë me të në BE.
BE-së dhe SHBA-së me siguri kjo nuk u është ende e qartë. Por, me gjithë dramën që bëri Sofja pas incidentit të kafenesë me rrahjen e sekretarit të klubi bullgar që u emërua sipas carit – okupator fashist në Luftën e dytë botëore, shpresoj se kjo gjë i bëhet më e qartë qeverisë. Edhe dhjetë herë po ta ndryshonim Kushtetutën dhe gjithë bullgarët t’i radhisnim me emër dhe mbiemër në Preambulë, Bullgaria nuk do të pushojë së frenuari përparimin tonë drejt BE-së. Me këtë dijeni duhet jetuar dhe duhet kërkuar çare. Të ndryshohet strategjia për anëtarësim në BE. Sepse nënvlerësimet që i durojmë nga Bullgaria nuk kanë fund.

2 Sa mendjelehtë që dolëm. Propozimi francez nuk është dhe aq i mirë, por i mirë është, hajde të shpejtojmë se BE-së i shpejtohet. Hajde, kjo është më e mira që mund ta fitojmë, propozimi i ardhshëm do të jetë më i keq. Hajde, të mos e ndajnë Shqipërinë. Hajde, luftë në Ukrainë, shpejt, shpejt, prano ç’të jetë, po edhe sikur kjo gjë të shkaktojë destabilizim të brendshëm.
Dhe tani – kjo është e gjitha.
Jam lodhur nga debatimi mbi çështjen: A kemi alternativë? Jo. Nuk kemi. Qëllimi ynë është BE-ja. Dhe nuk është çështja nëse kemi alternativë. Por se si të mbërrijmë deri te qëllimi. Ngaqë, me sa duket kjo rrugë që e ka zgjedhur qeveria nuk ka rezultat. Duhet ndryshuar qasja. Duhet të kërkojmë vazhdimisht ndihmë nga miqtë e vërtetë. Dhe duhen shfrytëzuar të gjitha mendjet tona, e jo secili që do të kritikojë këtë qasje joserioze të akuzohet se është antievropian. Sidoqoftë, alternativa nuk mund të jetë nënçmim i vetes.

Që tani duket se edhe pas ndryshimit të Kushtetutës do të ketë veto të re bullgare. Kjo do ta zbresë LSDM-në nga pushteti. VMRO-DPMNE-ja dhe Levica do të garojnë me populizëm dhe me atë se kush do të propagandojë me nacionalizëm më të fortë, ndërsa BDI-ja dhe partitë e tjera të shqiptarëve do t’i kthehen retorikës së luftës nga 2001.

BE-ja do të ketë Maqedoni jostabile me ndikim të fuqizuar prorus. Vallë, kjo i duhet BE-së?

3 Nuk mund ta kuptoj seriozisht ambasadorin e BE-së Dejvid Gir, por edhe ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në shtet, kur na thonë “Prej jush varet nëse do të bëheni anëtar të BE-së”. Nuk është kështu. Thatë se prej nesh varet kur ndryshuam emrin, e doli se nuk varej prej nesh.
Mos u lodhni më kot. E pamë se nuk varet prej nesh. Varet prej jush. E pamë se kur doni të mbaroni punë mund ta kapërceni edhe Rumen Radevin që fshehurazi të dërgohet ndihmë ushtarake bullgare për Ukrainën.

Mirë që jemi viktimë e një fqinji të fuqishëm dhe armiqësor që nuk e pranon as popullim e as gjuhën maqedonase, po edhe fajtorë do të dalim. Ashtu sikur se Putini flet për Ukrainën si një shtet vëllazëror, e nuk e pranon popullin dhe gjuhën ukrainase.

Çfarë varet prej nesh, kur BE-ja pranoi një politikë zyrtare të një shteti-anëtar që thotë se populli dhe gjuha maqedonase nuk ekzistojnë?

4 Po edhe ambasada e SHBA-së në deklaratën për 360 Stepeni, duke gjykuar deklaratën e eurodeputetit bullgar Aleksandar Xhambaski, bëri thirrje për “deeskalim të çdo lloj gjuhe agresive në të dyja anët e kufirit”.
Ku panë amerikanët “gjuhë agresive”  në këtë anë të kufirit? Të gjitha institucionet shtetërore dhe funksionarët e gjykuan sulmin, spitali e strehoi të rrahurin, policia e zuri rrahësin, prokuroria kërkoi paraburgim, shteti e lëshoi të dyshuarin për posedim të kokainës që të mjekohet jashtë shtetit…Bujar Osmani, vallë, ishte agresiv kur shkoi në Sofje që ta vizitojë të rrahurin nga Ohri? Presidenti Pendarovski, mos ishte agresiv, vallë, kur nuk na e përmendi as emrin e euroamabasadorit për të cilin ka propozuar që të shpallet si persona non grata? Kryeministri Kovaçevski, vallë, ishte agresiv me njëfarë deklarate, kaq atraktive, sa nuk e nxjerr dot as një frazë për lajm. Zëvendës kryeministri Mariçiq mos ishte agresiv kur u paraqit nga skriningu në Bruksel me shprehjet për vlerat evropiane?

Ndërkohë që nga kjo anë e kufirit në mënyrën më të kujdesur përgjigjeshin ndaj agresivitetit të Bullgarisë, ata e thërritën ambasadorin në konsultim, a thua se ne kishim dalë me tenqe në kufi dhe kreu shtetëror nga kërcënohet me veto të re. Nëse Angell Xhambaskin, që lajmëron atentat ndaj presidentit Stevo Pendarovski edhe në Bullgari e konsiderojnë për budalla, si vallë e kanë zgjedhur për deputet në parlamentin evropian? A është person i rastësishëm Kostadin Kostadinov, lideri i Prerodbës me 27 deputetë, të cilët kur votohej propozimi francez në Parlament mbanin postera “Maqedonia është Bullgari”?
Sllavi Trifunov,  mos është vallë lider i parëndësishëm i partisë që e rrëzoi Qeverinë e Kiril Petkovit, duke deklaruar me krenari se e rrëzon “për shkak të Maqedonisë” e tani ne duhet ta marrim seriozisht kur thotë “Mënyra e vetme që t’i bëjmë maqedonasit të na dëgjojnë, është duke kthyer veton për BE-në”?.

Alo, Sofje! Kush jeni ju bre që t’ju dëgjojmë? Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mos ju jep të drejtën që të jepni deklarata a thua se janë të vitit 1941, e Hitleri ju lejoi që çizmja fashiste e ushtrisë së Car Borisit të tretë ta shkelë Maqedoninë?

Nuk ka “deklarata agresive nga dy anët e kufirit”. Ka një agresin brutal nga Bullgaria, shtet-anëtar i BE-së që e mohon ekzistencën e maqedonasve dhe gjuhën maqedonase mbi Maqedoninë që dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, e cila mbrohet e papërgatitur nga agresioni në dëm të vetvetes. Nuk mund të torturohet përjetësisht ky popull – ndryshoni flamurin, ndryshoni emrin, e tani edhe përbërjen etnike ndryshojeni.

T’i bëjmë maqedonasit të na dëgjojnë!?

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира