ARI NË RRUGË

Po, është i tmerrshëm largimi i të rinjve. Por, më e tmerrshme se kjo është largimi i turpit.

1 Rastin me ariun e ngordhur, me të cilin me krenari u fotografua zëvendës drejtori i “Rrugët e Maqedonisë” Sasho Drango, do ta marrë përsipër Komisioni për antikorrupsion. Nuk ka se përse të përzihet Prokuroria. Për kuadrot e vendosura në partinë qeverisëse është kompetent Komisioni për antikorrupsion. Sigurisht, ky institucion që njihet për nga kredibiliteti i tij, do të vendosë në dobi të drejtorit dhe do të konfirmojë se ariu ka qenë viktimë e një aksidenti rrugor. Ka hapur sytë nga gjumi i dimrit dhe ka marrë rrugën për Manastir, të bëj një xhiro në Shirok Sokak, ndërsa zëvendës drejtori në suaza të detyrimeve të tija të punës, me pushkë dhe dylbi ka mbikqyrur rrugën dhe kështu, e ka gjetur ariun e shkelur.
Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima mundi” kërkon që zëvendës drejtori i ndërmarrjes publike të përndiqet penalisht. Kurse ai thotë se ariu ka humbur jetën në një ndeshje rrugore në rrugën Manastir-Resnjë, ndërkohë që ai ndodhej “në atë vend si pjesë e detyrimeve të tija të punës, dhe bashkë me të punësuarit në ndërmarrjen publike e kanë larguar nga rruga, fill pas çkaje është fotografuar me të”.

Nga “Anima mundi” thonë se në asnjë buletin të MPB nuk është gjetur aksident me ari dhe askush nuk ka paraqitur ari të vrarë, gjë e cila është e detyrueshme me dy ligje – atë për kafshë të egra dhe gjueti dhe për mbrojtje të mirëqenies së kafshëve.

Megjithatë, diçka në këtë histori nuk është normale. Nëse zëvendës drejtori i ndërmarrjes publike e ka gjetur ariun e ngordhur, atëherë përse është fotografuar me të? Drango është dhe kryetar i Unionit të veterinerëve të VMRO-DPMNE-së nga Demir Hisar. Me të vërtetë është diçka heroike të gjesh ari të ngordhur në rrugë, ta tërheqësh deri në pyll dhe pastaj të fotografohesh me të me gjithë pushkë. Mirë që është fotografuar, por ka publikuar dhe një galeri të tërë me ariun e kapur nga të gjitha anët. Vërtet, një hero i madh i VMRO-së.

2 Në një shtet ku turpi në jetën publike, sidomos në atë politike qëmoti nuk ekziston, çdo justifikim mund të kalojë.
Pyes veten, të jetë e vërtetë, vallë, që partia në pushtet të mos ketë kuadër tjetër e të mos mund të gjejë një zëvendësim adekuar të një zëvendës drejtori të një ndërmarrjeje publike? Ore, punë e madhe. Do ta gjykojnë me kusht dhe do ta mbyllin temën. Ai nuk do të mund të jetë drejtor, por punë tjetër me siguri që do t’i gjejnë. Nuk do t’i shembet bota.

Por, nuk është kështu. Partia e ka më me rëndësi mbrojtjen e kuadros së vet sesa mbrojtjen e qeverisjes së të drejtës. Kurse ky që është fotografuar me ariun është vetëm një nga qindra, apo edhe mijëra të tjerë, që me vetë faktin që i ka vendosur partia, sillen sikur të ishin vetë arinj të mbrojtur. Më shihni sa i fortë jam. Mund të rrah një ari, mund ta fotografoj dhe ta postoj. Dhe s’më bëni dot asgjë.

Është e njëjta gjë si kur ministrat e BDI-së luanin basket dhe futboll në kabinetin e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ndërsa Bujar Osmani para shumë kohe tha se ky incizim nuk duhet të dalë në publik. Nuk tha se nuk duhet të luajnë futboll në kabinet qeveritar. Apo kur Dime Spasovi, si ministër i punës dhe politikës sociale në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, duke ikur nga paparacët që të mos e kapnin me dashnore, ua mëshoi disa makinave, ndërsa Qendra partiake për komunikim ua servoi historinë televizioneve proqeveritare që të raportojnë se si e kanë ndjekur banda kriminale të Serovës.

Në një situatë normale, njerëzit do të turpëroheshin nga gabimet e tyre. Por, te ne, ata lëvdohen.

Nëse kaq shumë duan kuadrot e partisë në pushtet të rrahin arinj nëpër pyje, le ta ndryshojnë ligjin. Kanë shumicën në Kuvend. Kështu edhe vrasja e arinjve do të jetë “gjithçka sipas ligjit shef”. Kjo është shumëherë më e ndershme sesa çdo shkelje të ligjit të na e arsyetojnë si ofendim të inteligjencës të të paktën dikujt që ka sado pak një vetëdije të shëndoshë.

Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe “Vlen” mund të ndryshojë sa ligje të dojë, të vendosë drejtorët e saj, të ndryshojë gjykatës, prokurorë, të hapë mijëra vende pune, të lëshojë skilifte të reja, të rinovojë çerdhe dhe salla sportive, por e gjithë kjo nuk do të funksionojë siç duhet përderisa liderët partiakë nuk pushojnë me llastimin e kuadrove të veta partiake.

Këtë shtet do ta shkatërrojë partizimi i paskrupullt dhe mosdënimi që vjen nga mungesa e turpit. Po, është i tmerrshëm largimi i të rinjve. Por, më e tmerrshme se kjo është largimi i turpit.

P.S.

Të dashurit e mi, e gëzofshim Vitin e Ri 2025! Gëzuar Krishtlindjet! Shëndet e gjithë të mirat.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира