ATENTATI I NIKSONIT

Për sa kohë që MVRO është VMRO, nëse mundet dhunuesit t’u hyjnë deputetëve në Parlament që t’i linçojnë, pritini nesër t’ju hyjnë në shtëpi.

ATENTATI I NIKSONIT

1Nikolla Gruevski duhej të tregonte barsoleta në 4 të mengjesit, kur, për sulmin e Parlamentit u bëri thirje “institucioneve, të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas, t’i zbulojnë fajtorët dhe ata të dërgohen në gjyq”.
Cilat institucione? Policia e Çavkovit dhe Prokuroria e Zvërlevskit? Policia, e cila me topat e ujit të Erdoganit e mbronte oborrin e bardhë të VMRO-DPMNE-së nga ngjyrosja, ndërsa i lejoi dhunuesit e maskuar të komandojnë në Parlament e t’i linçojnë deputetët e zgjedhur nga populli? Policia, që i ndiqte studentët nëpër biblioteka për t’i rrahur e për t’ia dorëzuar prokurorit Zvërlevski? Ja ku janë fëmijët, akoma i zvarritin nëpër gjyqe.

Në qeverisjen dhjetëvjeçare të VMRO-DPMNE-së ka dy data të famshme, 24 dhjetori 2012 dhe 27 prilli 2017. Më 24 dhjetor policia me shqelma i përjashtoi nga Parlamenti deputetët që ishin kundërshtarë politikë të VMRO-DPMNE-së dhe gazetarët, që të mos i shihnin fotografitë e shëmtuara. Më 27 prill policia ua hapi derën dhunuesve që t’ua gjakosin kokat kundërshtarëve politikë të VMRO-DPMNE-së, e nëse ia arrijnë, edhe t’i vrasin.
Aq e pati Parlamenti si institucion më i lartë shtetëror. Pasi për policinë ai nuk ishte institucion që meritonte mbrojtje. Duhet mbrojtur vetëm oborri i bardhë i VMRO-DPMNE-së. Pasi për policinë, vetëm VMRO-DPMNE është institucion. E ndërkohë që policia me uniformë është nën komandimin e VMRO-DPMNE-së, mesazhi është tmerrues. Për sa kohë që MVRO është VMRO, nëse mundet dhunuesit t’u hyjnë deputetëve në Parlament që t’i linçojnë, pritini nesër t’ju hyjnë në shtëpi.

2Nikolla Gruevski, në orët e para të mëngjesit na tregon përralla se nuk e ka ditur se çfarë po ndodh, sepse ka qenë në Vjenë. Dhe e gjykon dhunën në Parlament.
Po kush jepte intervista ku i thërriste mbështetësit e vet që të mos rrinin në shtëpi me këmbët në papuçe, por të dilnin rrugëve? Kush kërcënohej se “nuk mund ta kontrollojë hidhërimin e popullit”? Kush i frikësonte njerëzit me grusht shtet, ndërsa ai grushtetin në polici e kishte realizuar kohë më parë? Kush i bleu maskat e dhunuesve që përshëndeteshin me policinë në hyrje të Parlamentit? Mos vallë ia pagoi Sorosi?

Sa për urimin që u bëri deputetëve për shërim të shpejtë, përkon shumë me moralin e Gruevskit. E dëgjuam në bisedat e përgjuara si u nënqeshte atyre që nuk mendojnë njësoj si ai, si përpiqet të fshehë vrasje, çfarë sens humori ka, si shtiret mbi të pafuqishmit…Dëgjuam sa keqardhje ka e se sa ua do të mirën të tjerëve. Dy-tre shpulla, por nga ato më të fortat.
E dini se kur do të përfundojë ky hetim? Me VMRO-DPMNE-në krye, hetimi për tentimin për vrasje në Parlament do të përfundojë kur të përfundojë hetimi për rrahjen para Komunës Qendër. E kur të zbulohet e vërteta mbi Lagjen e Trimave.

3Mes atyre që kanë pasur keqardhje, madje edhe i kanë ndihmuar kolegët deputetë dhe i kanë mbrojtur nga dhunuesit në Parlament, kanë qenë deputetët Vllatko Gjorçev dhe Nikolla Todorov. Në fillim e shpuan zorrën, pastaj vihen në ndihmë për të ndaluar rrjedhjen e ujit që të mos vërshohemi.
Se a u është ndezur ndjenja e solidaritetit, apo në ato momente e kanë parë veten në ndonjë listë të zezë- vetëm ata e dinë. Sidomos që Gruevski nuk ishte me ta. Si një lider i vërtetë, kësaj here, në moment kyç nuk ishte në Parlament. Nga një vend i sigurt, me papuçe, porosit shpulla. E pastaj, nga avioni gjykon dhunën.

Besa, edhe shoku i tij, Ali Ahmeti i braktisi të vetit. Për herë të parë në histori u zgjodh kryetar i Parlamentit një shqiptar, dhe atë nga partia e vet, ndërsa ai nuk ishte. Madje edhe njeriu i tij i parë, Artan Grubi, pyetjes së gazetares se a kanë strategji duke marrë parasysh ngjarjet në Parlament, iu përgjigj: “Ore, çfarë strategjie. Ne po shohim si të shpëtojmë kokën!”
Ua thyen kokat deputetëve të shumicës së re parlamentare. Ama, kokat e thyera e thyen frikën nga “hidhërimi i popullit, të cilin Gruevski nuk e kontrollonte dot”. Pamë që nuk kishte qenë hidhërimi i popullit gjëja e tmerrshme. E tmerrshmja është policia, që Gruevski kontrollon dhe manipulon. Policia që mbron interesin e tij personal. Të mos shkojë në burg. Dhe Gruevski akoma kotrollon policinë.

4Ndërsa puna me Gjorge Ivanovin që nuk do të takohet me amerikanin Hojt Ji më 1 maj është detaj komplet i parëndësishëm. Le të shkojë i qetë në piknik, me skarë patriotike, sepse tashmë askush as nuk do ta takojë. Ata që kërkojnë takime, vijnë që të zgjidhin kriza. Kurse vetë Gjole është gjenerator krizash.
Të caktosh takim liderësh, ndërkohë që dy nga liderët i shikonim në televizor me kokat e gjakosura e të thyera, është keqtrajtim i paftyrë i viktimave të vendimeve të tija.

Megjithëse, nëse Ivanovi është informuar nga shërbimi publik MTV, ndoshta nuk e ka ditur se çfarë ka ndodhur. Pasi, deri në orën 21.45 kur në mes të një filmi u paraqit një kajron që presidenti në ora 22.00 do t’i drejtohet publikut, shikuesit e MTV-së jetonin në realitetin paralel të VMRO-DPMNE-së. Ku, pikërisht në momentet kur silexhinjtë e VMRO-DPMNE-së i linçonin deputetët e LSDM-së dhe Zijadin Selën, shfaqej filmi “Atentati i Niksonit” me Shon Pen. Vërtetë dinë të përzgjedhin filma.

5Kur Trajko Veljanoski thoshte: “Mendoni që lehtë arrihet te ky kolltuk”, kush mund ta besonte që kolltuku i Trajkos do të ngjyhej me gjak?
Obsesionimi me Qosen, të cilit i ngritën përmendore para gjyqit, u shpjegua nëpërmjet këtij sulmi të Parlamentit. Jo vetëm që duke valuar flamurin e Maqedonisë linçonin deputetë, por as automjetet e ambulancës nuk i lejonin të kishin qasje tek të plagosurit.

Ç’lloj urrejtje është kjo? Me sa sukses të madh e paska mbjellë dhe kultivuar atë Gruevski për 11 vjet. Dhe vazhdon ta kultivojë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира