ATERIKSI DHE OBELIKSI

Që kur kanë qenë ministrat ata që kanë ndërmjetësuar se sa duhet të paguajnë banorët e Sllupçanit për rrymë, atëherë Qeveria duhet ta publikojë marrëveshjen

1 Shumë më intereson se çfarë marrëveshje kanë arritur banorët e Slluçpanit dhe EVN-ja që të munden ekipet e elektrodistribuimit të futen në fshat, ta largojnë defektin dhe t’u vënë matës për rrymë. Kompania komunikoi se sërish garanci kanë dhënë të gjitha partitë politike dhe qeveria lokale, por jam shumë kurioz se çfarë kanë premtuar garantuesit e banorëve. E që kur kanë ndërmjetësuar ministra, atëherë Qeveria duhet ta publikojë marrëveshjen.
Çfarë fitore arritën banorët e Sllupçanit në këtë marrëveshje, të cilit kishin menduar se, nëse tashmë nuk duhet të paguajnë rrymën, faturat të mos i kanë më të larta se 3.000 denarë? A ua falën rrymën e vjedhur deri më tani? A u është pranuar kërkesa që xhamia të mos paguajë rrymë? Sepse harxhimi i rrymës është vullneti i Zotit.

Ku mësuan të luftojnë kështu? A thua se i kanë lexuar stripat e Alsteriksit dhe Obeliksit nga fshati rebel i galëve që ka luftuar kundër perandorisë romake kur Cezari ka vendosur t’ua nivelizojë matësit e rrymës. Ose ndoshta familjarët e tyre që jetojnë në Belgjikë, Zvicër dhe Gjermani u kanë treguar se atje banorët negociojnë me partitë politike për atë se kur duan dhe sa duan të paguajnë rrymë. E nëse faturat e rrymës shkaktojnë shqetësim në jetët e tyre, atëherë ata e shkatërrojnë pa mëshirë infrastukturën e kompanisë elektrodistibutive. Arsyeja se pse askush nuk mund t’u vihet kundër është se ata pijnë nga pija çudibërëse e sherifit lokal partiak. Mbrojtja partiake sot në Maqedoni jep shumë më tepër fuqi, sesa pija magjike e Panoramiks në kohën e perandorisë romake. E kur në Zvicër, familjarët e sllupçanasve do të nxitin një defekt të tillë me çka do të lënë tetë fshtara dhe një kalim kufitar pa rrymë, menjëherë në fshat vijnë ministra dhe funksionarë partiakë dhe debatojnë sëbashku për të drejtat e njeriut.

E kështu, në Maqedoninë bashkëkohore, anëtare të NATO-s, në shekullin 21 kemi situatë kur ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi në mënyrën më zyrtare deklaron se secili që harxhon rrymë, duhet të paguajë aq sa harxhon. Hajdee…po tjetra çfarë do të jetë? Karvan edukues nëpër fshatra dhe qytete se si të paguhen faturat e rrymës?

Ashtu si kanë nisur negociatat, së shpejti ndoshta do të kërkojnë që edhe në faturat e rrymës të shkruhet etniciteti. Edhe EVN-ja të di se me kë ka të bëjë, edhe me balancues, edhe sipas regjistrimit të popullsisë, të matet edhe cili etnicitet çfarë shume duhet të paguajë.

2 Nga BE-ja na dërguan një farë grupi që duhet t’i hetojë ngjarjet në Këshillin gjyqësor. Çfarë kanë për të hetuar? U mjafton vetëm ndodhia e fundit. Gjykatësi suprem Naqe Georgiev u paraqit për anëtar të Këshillit Gjyqësor. Në atë Këshill gjyqësor për të kishte parashtresa, por me muaj të tërë nuk shqyrtoheshin. Siç afrohej dita e zgjedhjes së Georgievit, anëtarët e Këshillit gjyqësor i nxorën parashtresat nga sirtarët dhe i hoqën. E zgjodhën për anëtar të ri të Këshillit gjyqësor me gjashtë vota, me gjithë votën e tij. Dhe mu ditën kur duhej të bënte betimin, u caktua seancë e Këshillit gjyqësor, në të cilin ai duhej të votonte që biri i tij të bëhet gjykatës. Dhe atëherë, anëtarët e Këshillit gjyqësor kuptuan se babai nuk mund të votojë për zgjedhje të birit. Më saktë, nëse babai është anëtar i Këshillit gjyqësor, biri nuk mund të jetë gjykatës. Sepse, ashtu thotë ligji.

Dhe atëherë filloi beteja për zbardhjen e fytyrës së Këshillit gjyqësor. Mirë që as gjykatësi suprem nuk e ka lexuar ligjin, mirë që anëtarët e tjerë të Këshillit, puna e të cilëve është të përzgjedhë gjykatës, nuk e kanë parë ligjin për përzgjedhje të gjykatësve, por dikujt i është kujtuar ta shtyjë betimin e anëtarëve të rinj, e ndërkohë babai megjithatë të votojë për birin. Domethënë, me të vërtetë, në atë Këshill gjyqësor ka mendje gjeniale.

Kështu, anëtari i ri i Këshillit gjyqësor u tërhoq për arsye personale dhe morale. Sepse e kapën para se të bëjë betimin. Po mos ta kishin kapur, do të ishte puna “gjithkush meriton një shans, po edhe biri i anëtarit të Këshillit gjyqësor mund të jetë gjykatës”.

Por, mosi bien dikujt në qafë! Ndoshta në Këshillin gjyqësor e kanë ditur ligjin për përzgjedhje të gjykatësve, por kanë thënë, le të shkojmë sipas ligjit. “Nëse kalon, kalon”. Për më tepër që, ata nuk janë përzgjedhur atje për ta zbatuar ligjin. Ata janë përzgjedhur për t’i zbatuar urdhrat “prej lart”.

3 Ra euforia e shënimit të 60 vjetorit të tërmetit të Shkupit, projeksionet digjitale, plaketat për diplomatë, koncertet komemorative, fjalimet e mëdha për “Shkupin tonë” dhe “qytetin e bukur”. Më 26 korrik 1963 në ora 5.17 përjetoi katastrofë që ka zgjatur njëzet sekonda. Sot, Shkupi e jeton katastrofën që vijon tashmë për 30 vjet. Tek e presin katastrofa, kur do të ndërtohen të gjitha ato ndërtesa dhe qendra tregtare monstruoze, ndërsa rrugët dhe e gjithë infrastruktura e higjienës komunale janë nga koha e Titos, kur çdo i punësuar në Jugosllavi, ndante një mëditje solidariteti nga rroga e tij për Shkupin. Do të vdesim nëpër qendrat tregtare dhe në robërinë e banesave se nuk do të mund të vijë as Ndihma e shpejtë e as Zjarrfikësi që të na shpëtojë.
Qendra e kryeqytetit, fytyra e çdo shteti, tani duket a thua se sapo kemi dalë nga lufta. Shkupi mbytet në qelbësinë e vet, në mbeturinat dhe pluhurin e shtresuar prej dekadash. Ai jo vetëm që është një metropolë jofunksionale, një qytet i dhunuar urbanistikisht me kushte substandarde të jetesës, nisur nga lindja e deri në vdekje, pa transport publik të organizuar, me banko të thyera, me deponi të paligjshme të djegura, me kanale pa përkujdesje, me qen të pastrehë, me kopshte të mbipopulluara, me shishe plastike në Vardar, me përmendore të ndyra, me shatërvanë të tharë…

Me keq se kjo është se Shkupi po mbytet në korrupsion.

Ndërtimtarët, apo të ashtuquajturit “investitorë” dëshirojnë – kurse pushteti lokal zbaton. Askush nuk merret me punën e vet, por me një vjedhje kolektive. Por edhe pushtetet lokale, kryetarët e komunave, këshilltarët, inspektorët, nuk do të mund t’i zbatonin ato gjëra nëse ajo nuk kalon përmes personave profesionalë, urbanistëve, arkitektëve, ndërtimtarëve…Dekani i fakultetit të ndërtimtarisë Goran Markovski dha një definicion të bukur për këtë grup – prostitucion inxhinierik. Ata që duhet ta ndërtojnë Shkupin, po e shkatërrojnë atë.

Ka kohë që nuk çuditem më për faktin se nuk kanë sedër. Për turp, të mos flasim fare, kjo tashmë është kategori e harruar. Por, më intereson shumë se si jetojnë praktikisht këta njerëz? Si duket përditshmëria e tyre në qytetin të cilin po e shkatërrojnë? Sado të shtrenjtë ta kenë veturën që e vozitin, po qofshin këto me xhama të errët, ata sërish kalojnë mbi po ata gropa ku kalojmë dhe ne, ngecin në komunikacionin e bllokuar, kalojnë pranë mbeturinave që i shohim dhe ne, zhyten në baltë kur parkohen…Pa çka nëse fëmijët u mësojnë në shkollat më të shtrenjta private, kur ata përsëri thithin ajrin e njëjtë. Nuk shëtisin dot me bombola të oksigjenit. Mund të shkojnë në pushime të shtrenjta, të blejnë shtëpi në mal, të marrin hua apartamente pranë detit, por sërish këtu do të kthehen. Nuk e evakuojnë dot tërë familjen. Prapë se prapë, ndonjë fëmijë, nënë, gjyshe, komshi, shok të fëmijërisë do t’iu ngelet që të jetojë këtu, në kaosin e mjerë që kanë bërë, duke menduar vetëm për vete. Ama, çfarë dobie kanë që, qoftë edhe nëse mjekohen në spitalin më të shtrenjtë privat, kur do ta hapin dritaren për të marrë ajër, prapë do të thithin ajrin e deponisë së djegur, po atë ajër që thithin edhe ata të spitalit shtetëror.

Vërtetë, 60 vjetori i tërmetit katastrofal të Shkupit është një rast i mirë për të pyetur veten si jetojnë në përditshmëri politikanët që ne i zgjedhim dhe të ashtuquajturit investitorë ndërtimorë dhe persona profesionalë që ua vizatojnë dhe miratojnë planet dhe ndërtesat, në mënyrë që të jetë “gjithçka sipas ligjit, shef”. Si, ato para që i kanë bërë me ryshfet dhe korrupsion i harxhojnë për cilësinë e jetesës së tyre në këtë qytet?

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира