BETEJË E RE

Turpi është i tyre, jo i yni.

1 Në këtë shtet, ata që shkelin ligjet janë kryesorët. Qeveria bën gjithçka që atyre t’ua lehtësojë jetën. Ndryshohen ligjet që t’u shkojnë për shtat hajdutëve të së shkuarës, së tashmes dhe të ardhmes. Dhe këtë gjë qeveria e shet si përparim drejt BE-së. Kurse ata që respektojnë ligjin nuk janë fare temë e bisedës. Ata ankohen kot së koti dhe nuk marrin vesh nga politika. Mënyra me të cilën qeveria e maltreton publikun nuk ka ndryshuar edhe pas ndryshimit të Kodit penal, me çka u zvogëluan dënimet për funksionarët e korruptuar. Deri më tani na e nënvlerësonin inteligjencën, por tani me çfarë arrogance po mbrojnë të pambrojtshmen e mendojnë se të gjithë jemi budallenj! Meqenëse të gjitha punët u kanë dalë me sukses deri më tani, mendojnë se edhe kjo do të jetë e tillë. Ministri i drejtësisë paska qenë në udhëtim zyrtar, ka nënshkruar zëvendës ministrja, nuk dihet se kush i ka shkruar ndryshimet e ligjit, përnjëherë teksti u ndodh në Kuvend, e qëndisën me një flamur evropian, LSDM-ja nuk mbronte asgjë, VMRO-DPMNE-ja gjoja nuk lëshonte pe dhe hop – kryeministri Dimitar Kovaçevski do të lëvdohet se i kanë ndryshuar urdhëresat ligjore që kanë qenë nga koha komuniste e shekullit 19-të. Xhanëm, prej para Ilindenit.

Ata do të ndryshuakan ligje komuniste? Ndërkohë që nuk mund të dalin nga matrica komuniste e diskreditimit të atyre që nuk mendojnë njësoj si ta. Refleksi është që secilit që i kritikon t’i vihet etiketa – antievropian, albanofob, bot rus e tash edhe komunjarë? Dhe kush e thotë këtë? Fëmijët e komunistëve, të rritur me bukën komuniste nga një parti e cila është trashëgimtare e partisë komuniste.

2 Ditëve të fundit nga LSDM-ja gjithë kohës përsëritet refreni “konfiskim, konfiskim”. Demek, dënimet janë zvogëluar, por pikërisht për këtë tani do të ketë konfiskim të pronave. Te funksionarët do të uleshka motivi për të vjedhur sepse ata do t’ua marrin paratë. Deri më tani ata kanë vjedhur sepse e kanë ditur se nëse i kapin do të shkojnë në burg, por paratë do t’u mbeten. Si mundet? Si? E përse konfiskimi do të përjashtonte burg më të rreptë dhe afat më të gjatë për vjetërim?
Të kishte qenë gjyqësia e aftë, do të kishte pasur konfiskim deri më tani. Në këtë mënyrë vetëm sa u lehtësohet jeta edhe funksionarëve dhe gjykatësve të korruptuar. Deri më tani u duhej të gjenin lidhje, të paguajnë, të shpikin truke se si ta zvarrisin procesin. Tani do të duhet vetëm të paguajnë, pa menduar për truke, sepse veprat për të cilat janë akuzuar do t’u vjetërohen më shpejt.

3 Për më tepër që, qeveria e LSDM-së mandatin e filloi me lehtësime për ata që i shkelin ligjet. Në fillim u kapën për atë se si ta legalizojnë mosrespektimin e ligjit për ndalim të duhanpirjes. Më pas, në mënyrë elegante e legalizuan uzurpimin e hapësirës publike të trotoareve me tarraca ilegale që u shndërruan në një ndërtim të fortë. Me një ligj, legalizuan dy shkelje të ligjit. E pastaj vazhduan me shitjen e tokës shtetërore për hiçgjë. Si thoshte Gruevski, kur blinte parcela në Vodno, “duhet ndërtuar”, me “nuk mund të jetë jo, duhet të jetë po”, me rritjen e tatimit për paguesit dhe shpërblimin e jopaguesve, për disa biznese me para të shtetit, për disa të tjera borxhe të falura, etj…
Ndaj çdo kritike përgjigjeshin: Do ta ktheni VMRO-në. A thua se ne vdiqëm nga dëshira që të kthehet VMRO-ja, me gjithë Nikolla Gruevskin dhe gjithë shoqërinë keqbërëse që LSDM-ja e shpëtoi nga burgu.
Se, pak vuajtëm prej tyre.

Ende vazhdojnë të më tërheqin nëpër gjyqe si dëshmitar i proceseve të përgjimit ku isha viktimë, kurse ata që e zbuluan përgjimin nuk shfaqen në afate. E tani, unë do ta kthyekam VMRO-në.
Ndërsa kritikat u ishin drejtuar pikërisht që të përmirësohen, si një parajamërim, në mënyrë që të mos kthehet VMRO-ja. Por jo. Ata janë këmbëngulës, shkonin me të tyren. Sepse e kanë më së lehti të thonë: A doni ta ktheni VMRO-në? Ne u thoshim: Jo! Na del se tashmë për shtatë vjet me asgjë tjetër nuk janë marrë përveçse me kthimin e VMRO-së. Vetëm se gjithë kohës kërkonin një fajtor për atë. Dhe në fund, vetë do ta kthejnë.

Turpi është i tyre, jo i yni.

4 Ende më tingëllon në veshë fjalia e Zaevit: “Kjo ligësi nuk do të përsëritet!”. Dhe si një kurorëzim i kësaj qeverisjeje erdhi ndryshimi i Kodit penal me anë të të cilit u legalizua mosdënimi.
Si thoshte një kryetar i Komisionit të antikorrupsionit në 2016 kur e fshihte pronën e Gruevskit: “Ju lutem përzemërisht të mbyllet kjo çështje për jetë e mot, amin!”.
Domethënë, jo vetëm që janë anuluar nenet komuste të ligjit. Por, është vullneti i perëndisë që funksionarëve t’u lejohet vjedhja, askush asgjë nuk guxon të pyesë se si i shpenzojnë paratë tona dhe nuk shkojnë në burg, nëse eventualisht i kapin se kanë vjedhur. Amin.

5 Në fillim isha pak i zhgënjyer, por thosha me vete, ka kohë, do të jetë më mirë. Kur ndodhi skandali me Prokurorinë speciale dhe dështimin e atyre rasteve gjyqësore isha i hidhëruar. Tashmë jam i mllefosur dhe i pështirosur.
Nuk ka se nga të vilet optimizëm. Nuk jetohet në apati. Le të jetë ngushëlluese dijenia se të gjithë kemi dështuar. VMRO ishte ligësi dhe nuk mori forcën as të kërkojë falje për ligësinë që i bëri shtetit. BDI janë BDI – një bandë e cila pozicionohej si ligësi, pa të cilën nuk jetohet dot, se pa ta do të jetë dhe më keq. E pas gënjeshtrës së fundit të LSDM-së se vlerë evropiane është të dënohet krimi për paratë shtetërore, mendoj edhe se apolоgët më të mëdhenj të qeverisë tashmë orvaten se si të pranojnë se me të vërtetë janë të gjithë njëlloj.
Mjaft më qajmë për Revolucionin e larmë. Kot paska qenë. Nuk është e vërtetë. Revolucioni i larmë e bëri punën e vet. Ndodhi ndryshim. U rrëzua regjimi. Të larmët e vërtetë nuk ankohen se për net të tëra bënin kujdestari në kampet e gjimnazistëve që protestonin dhe marshonin nëpër rrugë me muaj të tërë, shpeshherë në dëmin e tyre, se nuk është se ishte pa rrezik.

Mirëpo, të larmët e vërtetë vazhduan të jenë kritikues edhe ndaj qeverisë së re, shpeshherë në dëmin e tyre.
Edhe të larmëve të vërtetë, mbase u vjen keq që qeveria nuk i merr parasysh kritikat e tyre për qeverisje më të ndershme dhe më të mirë, por kjo nuk do të thotë se do ta falin.

Ky është shteti ynë, jo i politikanëve. Dhe duhet ta kthejmë. Opsioni tjetër është të shpërngulemi apo të dergjemi. Epo, nuk dua të shpërngulem, por as të dergjem.

Le ta shfrytëzojmë mu këtë hidhësi prej dijenie se të gjithë janë njësoj si një nxitje për një betejë të re.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира