BOJAN M’U TEK

LSDM-ja nuk ka aq frikën nga VMRO-DPMNE-ja sa nga qytetarët që i ndihmuan të arrijë në pushtet

1 Oree, aq shumë janë frikësuar LSDM dhe VMRO-DPMNE nga qytetarët apartiakë, sa që prapë ranë dakord ta ndryshojnë rregulloren zgjedhore vetëm tre muaj para zgjedhjeve lokale. Çfarë burracakërie që treguan. Panë listat e pavarura për kryetarë komunash dhe këshilltarë dhe vendosën t’i eliminojnë me procedurë emergjente. E pastaj e lëshuan ministrin e drejtësisë Bojan Mariçiq që t’i mbrojë ndryshimet e ligjit. Ky është po ai Mariçiqi, i cili derisa nuk ishte në pushtet na tregonte përralla joqeveritare për vlera evropiane, mbante trajnime mbi iniciativat qytetare, shiste pallavra për demokracinë dhe e interpretonte Kushtetutën për sovranitetin e qytetarëve. E tani, i mbrojtur fort mirë nga partia në pushtet nga pozita e tij e fuqisë, na thotë: “Nëse të pavarurit kanë mbështetje do të gjejnë 2 përqind nga votuesit e regjistruar në komunë”. Oh, medet. Nëse nuk do të qëndronte partia pas tij, ai nuk do të mund të mblidhte as një gjysmë nënshkrimi.

A e mban mend, vallë, shefi i Mariçiqit, Zoran Zaevi, se me ç’votash arriti LSDM  të vinte në pushtet? Me ç’mbështetje, vallë, e rrëzoi një sistem të tërë? A mban mend se me zor arriti të vinte në pushtet. Madje me gjithë atë mbështetje të të pavarurve? Kush i ndihmonte që të mbijetonte pas 27 prillit 2017 dhe ta shtynte referendumin për ndryshimin e emrit në 2018? Asgjë nga kjo s’kishte për të ndodhur nëse do të kishte mbetur vetëm Zaevi me ushtarët e tij partiakë dhe klientët nga administrata publike që e kthyen këngën nga VMRO-ja drejt LSDM-së. Atëherë për të vlenin shumë votat e mendjelirëve. E ç’bëri Zaevi tani? I shiti të pavarurit për koalicion me Hristijan Mickoskin.

2 Inati është irracional, por faktor tejet i rëndësishëm për shoqërinë maqedonase. A e mban mend Zaevi se kush ishte inatçor aq i madh sa në vitin 2015 të dilte “çdo ditë në ora 6” për ta ndryshuar regjimin e Gruevskit? A e di vallë se sa i madh qe inati i votuesve të Qendrës në zgjedhjet lokale në vitin 2013, të cilat pavarësisht liftave të prishur dhe fqinjve të shpërngulur nga Pusteci, votuan tri here për Zhernovskin, edhe pse edhe ai s’bënte për kandidat? Edhe zgjedhja e Stevo Pendarovskit për president u bë pas një rezultati të ngushtë pas rrethit të parë, pikërisht për shkak të votuesve inatçorë që kishin vendosur t’i jepnin qeverisë një mësim.

Kështu që, ndoshta të pavarurit nuk do të mbledhin 2 përqind nga lista zgjedhore. Votat e tyre me shumë siguri nuk do t’i shkojnë VMRO-DPMNE-së, por me siguri nuk do të shkojnë as në llogarinë e LSDM-së. Ata janë njerëz të cilët në vitin 2016 nuk kishin zgjedhje tjetër, ndërsa e mbështetën LSDM-në që të shpëtonin nga Gruevski, si dhe për shkak se LSDM u ofronte opcion qytetar. Tashmë frika se VMRO-DPMNE-ja do të kthehet në pushtet nuk vlen. Sidomos jo në nivel lokal, ku qeveria e LSDM-së tregoi se i praktikon të njëjta ato politika që i kritikonte dikur.
E pastaj, përse të kenë frikë qytetarët mendjelirë nëse do t’u kthehet VMRO-DPMNE-ja në pushtet, kur LSDM-ja bëri koalicion me VMRO-DPMNE-në që t’ua heshttë votimin?

3 LSDM-ja nuk ka aq frikë nga VMRO-DPMNE-ja, pasi përderisa Mickoski është lider, do të ishte budallallëk të kishe frikë. Tani duan edhe të na bindin se ky paska qenë rekomandimi i OSCE-s e se këto na qenkan praktika evropiane…Kësaj pune i thonë: “Mile, m’u tek.” Do të tregohemi më të zgjuar se ata, do ta ndryshojmë ligjin shpejt e shpejt, do të shkojmë nëpër pushime dhe sakaq, do të na kenë harruar.
Ja, le ta provojë Mariçiqi, të mbledhë nënshkrime nga ora 8 deri në orën 16 tek zyrtarët të shtetit, të cilët, gjithashtu, janë vënë me merita dhe ndërhyrje partiake. Madje edhe roja që të pyet “ku po shkon” kur ti shkon të nënshkruhesh është i vendosur sipas ndonjë liste partiake. Pastaj, do t’u bie sistemi, do të shkojnë në pauzë, do të vazhdojnë ta kenë vapë e do t’i lirojnë nga puna…Sikur të rriteshin numrat e atyre që janë pozitivë me Kovid, që Filipçes të mos i duhet të mashtrojë shumë për t’i ndërlikuar protokollet.
Of,of,of, do t’ia plasin të qeshurës nëpër shtabe, se si i kemi mashtruar këta, do të bëkan ata lista të pavarura…Të mundeshin, do të mblidhnin nënshkrimet, por ja që, nuk munden. Ç’tu bëjnë? Demokraci.

Ç’kujtojnë ata? Bojan, m’u tek. T’i bëjmë budallenj, e atyre s’do t’u kujtohet se janë budallenj.

Sidomos që me siguri do të gëzohen shumë nëse mendojnë se njerëzit janë budallenj.

4 Në fillimin e fushatës së zgjedhjeve lokale, në shtator të vitit 2017, në tubim të Manastirit, lideri i LSDM-së Zoran Zaevi bënte premtime: “Mbaroi koha e “Ej Mile, m’u tek, të vëmë këtu një shatërvan të vockël”.
Ndjekësit e bindur të partive që presin punësim nëpër zyrat e komunave do të rrethonin emrin e kujtdo në listën partiake. Gjëja më e vështirë është të kesh simpatizues besnikë të partisë. Zaevi do të ishte shumë me fat nëse do t’i kishte ruajtur simpatizuesit e para 4 vjetëve. Kjo do të thoshte se kryetarët e komunave e kanë bërë mirë punën e tyre. Nuk do të kishte qenë nevoja të bënte procedura të shpejtuara në 40 gradë dhe në një fushatë tashmë të nisur të zgjedhjeve lokale.

Nëse do të isha unë anëtar i LSDM, por e kam fjalën një socialdemokrat i vërtetë me ideologji, e jo klient i partisë, do të kisha pasur frikë nga praktikimi i tillë i demokracisë. Nëser, kur do të duan të ndryshojnë diçka, le të mbledhin nënshkrime sipas mënyrës së komplikuar, nën syrin vigjilues të shefave. Nëse je demokrat i vërtetë, atëherë ji një demokrat për të gjithë. Nuk mund ta praktikosh demokracinë nga një pozitë e fuqisë. Nuk e ka thënë më kot populli – bukuria me zor s’bëhet.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира