ÇANTË ME PARA

"Gjithçka për popullin tim." Po për "popullin tënd“? Eh, hiç s’më intereson....

1Çfarë ka për t’u mburrur kryeministri Hristijan Mickoski që do të vendoska themele të reja mbi hirin dhe pluhurin që paska trashëguar një vit më parë, kur themelet e tij janë ndërtim pa leje? Ja një rast i pastër. Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska – po kjo që katër vjet më parë ishte zgjedhja e tij për kryetare të kryeqytetit – i dorëzon në tabaka dokumentet për krim të organizuar në Komunën e Çairit.

Është e vërtetë që Arsovska e ka lënë pas dore qytetin, që nuk kemi transport publik, që po mbytemi në mbeturina, që ka një karakter të vështirë dhe një sërë gjërash të tjera që e bëjnë atë kryetaren më të keqe në historinë e Shkupit. Është e vërtetë edhe që nuk e dimë çfarë e shtyn atë, pikërisht tani para përfundimit të mandatit, të zbulojë krim dhe mafia urbane. Është e vërtetë edhe që me fyerje të ndërsjella me kryetarin e Çairit, Visar Ganiu, se kush është krimineli më i madh, po relativizojnë krimin. Por a ka rëndësi kjo?

Fakt është që ka krim. Fakt është që janë dorëzuar kallëzime penale. Dhe fakt është që deri tani nuk ka asnjë reagim.

Ja ku i keni provat me dokumente për leje ndërtimi të antedatuara. Një ndërtesë banimi e ndërtuar në vitin 2024 e paraqitur për legalizim në vitin 2011. Kur mediat shkruanin për një mori ndërtesash banimi në Çair të legalizuara me falsifikime, ju i injoruat. Tani po injoroni edhe kryetaren tuaj. Po grindeni me të se kush është kompetent për të prishur ndërtimet pa leje. Por, për hir të Zotit, nëse ajo nuk sjell makineri se nuk ka kompetencë, sillni ju. E keni Inspektoratin Shtetëror të Ndërtimit. Pse të mos i merrni meritat? Merrjani lavdinë.

Po Prokuroria – çfarë po pret? Po pret të shpërthejë ndonjë zjarr në Komunë dhe të digjen dokumentet, siç u dogjën në Drejtorinë e Postës së Maqedonisë dhe në Inspektoratin për Mjedisin Jetësor?

Kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë, na ngjiteshin në kokë çdo ditë se Zoran Zaevi nuk guxonte t’i thoshte një fjalë Ali Ahmetit. Ndryshe nga tani, kur VMRO-DPMNE është në pushtet, e Mickoski nuk guxon t’i thotë asnjë fjalë një kryetari komune ku mijëra qytetarë jetojnë në ndërtesa pa leje.

Pra, nëse pushteti po e injoron kryetaren dhe mediat, atëherë le të ndihmojë qytetarët që jetojnë në ndërtesa të pasigurta sepse janë mashtruar nga mafia. Dhe le t’i pyesin: Si i kanë paguar banesat? Me para në dorë? A ia kanë dhënë “zemrën” me çanta me para një investitori 11-vjeçar, siç thotë kryetarja? Kush ia ka mbledhur paratë? Dhe ku i ka mbajtur? Në dollap? Vetëm se në dollapin e tij nuk ka pasur ngjitëse me flutura apo arusha. Te ai ishte vizatuar një ndërtesë.

Ka një mori pyetjesh pa përgjigje, për të cilat, në frymën e luftës historike kundër korrupsionit dhe premtimeve se më e mira është ende për të ardhur, pushteti duhet të japë përgjigje.

2Dhe pastaj habitemi se si ndodhi tragjedia në Koçan. Ja, kështu ndodhi. Ndërtim pa leje i legalizuar me një disko të legalizuar që mori jetën e 62 të rinjve dhe plagosi 200 të tjerë. Pastaj do të qajmë një javë, do të ndjejmë dhimbje bashkë me kryeministrin që do të thotë se ajo ishte dita më e vështirë e jetës së tij, do të mbajmë konferenca sentimentale për shtyp dhe do të mburremi se po ndërtojmë themelet nga “nën zero”.

Ja pra, kështu po ndërtojmë themelet. Me mijëra ndërtesa pa leje, për të cilat askush nuk e di sa të sigurta janë për banim, për kafene, për hotele, për restorante, për fast food, për dyqane, për diskoteka, për tregje…

Edhe diskoteka në Koçan ishte ndërtim pa leje.

3 E kryeministri, i cili thotë se qeveria e tij po ndërton themelet e ndryshimit, le të ndalë pak me poezitë me rastin e përvjetorit të parë të qeverisjes, të cilin e quan “viti që do ta mbajmë mend – si viti kur filloi koha e re”.

Për fillim, a ka ndarë fonde në buxhet për një miliardë euro për gipsin që po shpërbëhet? Le të mos na kujtojë si ka qenë gjatë shtatë viteve të LSDM-së para se ai të vinte në pushtet. Sepse kur të fillojmë të kthehemi në të kaluarën, do të kujtojmë se atyre 7 viteve u paraprinë 11 vjet në të cilat VMRO-DPMNE përgjonte mbi 20.000 njerëz, vodhi miliarda dhe e ktheu shtetin në rob.

Plus, harron të thotë se gjatë atyre shtatë viteve, VMRO-DPMNE e sulmoi Kuvendin, bllokoi ndihmën financiare për më të rrezikuarit gjatë krizës së COVID-it dhe bëri një sërë bllokadash të tjera ndaj interesit të përbashkët, thjesht nga inati.

LSDM ra nga pushteti për shkak të pakënaqësisë qytetare, sepse vetëm e përforcoi atë që bënte VMRO-DPMNE. Jo vetëm që nuk e ndryshoi mënyrën e të bërit politikë, por e konsolidoi atë. E vrau edhe shpresën më të thjeshtë tek ata që i dhanë besimin.

Ndoshta VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk kanë të njëjtën ideologji, por mënyra si e kuptojnë politikën, qeverisjen dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve është e njëjtë. Çfarëdo që të thonë, tregojnë se interesohen vetëm për ndjekësit e tyre besnikë.

Deri në fillimin zyrtar të fushatës për zgjedhjet lokale që po vijnë, do të kemi tribunë. Mos t’i quajmë mitingje zgjedhore, që të mos e shkelim Kodin Zgjedhor. Dhe meqë VMRO-DPMNE dhe LSDM bashkë hartuan një plan për të eliminuar nismat qytetare të pavarura nga zgjedhjet, nisën me këngë dhe valle. Është mirë që zgjedhjet lokale janë në vjeshtë, që kandidatët partiakë për kryetarë komunash me paratë tona të organizojnë “verë kulturore” me “mega koncerte”, që në fakt janë thjesht një tjetër emër për fushatë parazgjedhore.

Eh, siç thonë kryetarët: “Gjithçka për popullin tim”.

Po për “popullin tënd”? E, s’më intereson fare…

4Pikërisht sepse Mickoski e udhëheq fushatën sikur historia fillon me të, partitë më të mëdha, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, nuk mund të merren vesh se çfarë të bëjnë me veton nga Bullgaria dhe si të zhbllokohet rruga drejt BE-së.

Madje pushteti e paraqet si sukses faktin që me votimin në Parlamentin Evropian u vërtetua që Bullgaria nuk kërkon vetëm ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e disa qindra bullgarëve, por mohon edhe gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Për kë është sukses? Për pushtetin? Apo për ne, që na e “provuan” këtë? Se ne gjoja nuk e dinim. E vetëm në këtë kolumnë, sa herë e kam shkruar këtë. E unë jam ndër kundërshtarët më të mëdhenj të atij të mallkuari propozim francez që, në vend se të na hapte, na e mbylli rrugën për në BE.

Por kur bëhet fjalë për Maqedoninë, bullgarët, pa marrë parasysh cilës parti i përkasin, në BE luftojnë për çdo germë e presje. Miratuan me konsensus një mori rezolutash dhe dokumentesh kundër Maqedonisë dhe popullit maqedonas në parlamentin e tyre, aktivizuan të gjitha partitë e tyre motra apo jo motra në Bashkimin Evropian. Kurse këtu, VMRO-DPMNE dhe LSDM zihen se kush është maqedonasi më i madh dhe më krenar.

Po përsëritet e njëjta histori si me kontestin për emrin me Greqinë. Këtu nuk është me rëndësi a do të zgjidhet problemi, por kush do ta zgjidhë. Kush do të marrë lavdinë.

Ndërkohë, 216.000 qytetarë maqedonas janë regjistruar si bullgarë për të marrë pasaporta bullgare që të hyjnë në BE. Dhe çdo shtator kemi mbi 1.000 më pak nxënës të regjistruar në klasë të parë.

Kurse partitë, duke menduar vetëm për veten, as që arrijnë të kuptojnë – e lëre më të merren vesh – se çfarë është interes shtetëror i përbashkët.

5Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në Samitin e NATO-s në Hagë mendonte se kur u takua me presidentin amerikan Donald Trump, pati një bisedë edhe me nënkryetarin JD Vance, por në fakt ishte sekretari i shtetit Marco Rubio.

Gjithsesi. E rëndësishme është që Siljanovska-Davkova e njohu Trumpin dhe i tha që është presidente e Maqedonisë. Ajo tha se reagimi i tij ishte interesant, sidomos kur i përmendi Kennedy-n, dhe i vëzhgoi gjuhën e trupit. Gjoja kjo dëshmon që marrëdhëniet maqedonaso-amerikane janë bërë më të afërta në takimet në nivel të lartë. Presidenti Gjorge Ivanov mburrej se ia kishte shkelur syrin Barak Obama.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира