ÇIP KUMANOVË

Bill Gates vendosi që personalisht t'i vejë çip Maksim Dimitrievskit.

ÇIP KUMANOVË

1Ata që thonë se kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski parashihte gjithçka dhe ishte vizionar në fillim të krizës së koronavirusit paskan pasur të drejtë.  Qysh më 6 prill, ai i kërkoi qeverisë që t’i sigurojë atij një ambulancë shtesë për të transportuar pacientët. Sikur ta dinte se do të ishte pikërisht ai dhe gruaja e tij që do të kishin nevojë për ambulancën që t’i çonte nëpër laboratoret private të gjithë Shkupit.

Pasi u testua për koronavirus privatisht, kryetari i Kumanovës publikoi: “I hedh poshtë të gjitha pretendimet që thonë se jam pozitiv me koronavirus.” Për çfarë pretendimesh e ka fjalën?  A nuk ishte ai vetë që postoi në Facebook se testi nga Instituti i Shëndetit Publik ka treguar se ishte pozitiv me koronavirus. Çfarë do të thotë kjo? Se testi i Institutit të Shëndetit Publik nuk është i saktë?

Testin e parë të sistemit shëndetësor kryetari i Komunës së Kumanovës e bëri atëherë kur ftoi gjysmën e kryesisë së shtetit në një seancë të Shtabit Komunal të Krizave, pa thënë se ishte testuar për koronavirus dy ditë më parë. Nuk i mjaftonte që për shkak të këtij akti u desh që zëvendëskryeministri, ministri i arsimit, ministri i shëndetësisë dhe kreu i Komisionit për sëmundje infektive të shkonin në izolim, kështu që vendosi të testojë shtetin për herë të dytë. Nuk i besoi Institutit të Shëndetit Publik, e shkoi për t’u testuar në laboratore private. Pasi, sistemi i tij i luftës kundër koronavirusit ia vlen.  E ai i shtetit nuk bën.  Ai nuk është i saktë.

Çfarë do të thotë ky diskreditim i sistemit për ata që janë të sëmurë, për ata që janë duke pritur për rezultate, për familjet e të vdekurve nga KOVID-19? Kur kryetari i një komune me numër më të madh të banorëve, plus dhe e një partie në pushtet, beson se dikush po i jep rezultate mashtruese pozitive për koronavirus, pse çuditemi për postimet e Facebook se Vill Gates (me “V) na e paska shpikur sëmundjen që të na shesë vakcina dhe të na vendosë çipa. Dhe se të afërmit e të vdekurve kanë dëshmuar se mjekët u kanë dhënë nga 2,000 euro që të deklarojnë se kanë vdekur nga korona, edhe pse ata kishin vdekur nga diçka tjetër.  Deri para dy jave shuma ishte 1000 euro, por siç afrohet kulmi, ashtu rritet dhe çmimi.

Kush e di, mbase Bill Gates vendosi të fillojë fushatën e tij ballkanike nga Kumanova. Dhe personalisht t’i vejë çipit Dimitrievskit.  Por Maksimi mbron veten heroikisht, me të njëjtin intensitet siç  u mbrojt nga provat e supozuara pozitive të Institutit të Shëndetit Publik. Deri para ca kohe mendoja se kjo ishte një lojë midis anëtarëve të partisë dhe bashkëqytetarëve Oliver Spasovski dhe Maksim Dimitrievski. Një lojë tipike e LSDM-së.  Por tashmë kjo lojë po bëhet dhe lojë tipike e Trampit. Herët a vonë, Dr. Dimitrievski do të fillojë t’ua shkruajë vetë terapitë kumanovarëve.

2Ne e dimë se sistemi ynë shëndetësor është i rrënuar. Madje, duke pasur parasysh përvojën e dobët të kujdesit shëndetësor para koronës, këndshëm u befasuam kur pamë se si shteti po trajton me sukses një krizë brenda një sistemi i cili për 30 vjet është shkatërruar me anë të kalkulimeve partiake.  Kemi shëndet të dobët publik që u tregua se nuk ishte dhe aq i dobët.  Supozoj se sistemin e mbajnë forcat e punonjësve shëndetësorë në sektorin publik me punë të përkushtuar dhe entuziazëm që i mban ende në formë, si dhe fakti se ministri Venko Filipçe në fillim të krizës konsultohej me kolegët e tij mjekë dhe farmacistë.  Sapo në këtë mes u përfshi politika, fillimisht patëm problem me besimtarët, pastaj kopjuam masat e Vuçiçit të Serbisë dhe përfunduam me Çip Kumanovë.

Kush ia punoi Maksimit?  Kush ia punoi Oliverit?  E përse?  A ia punoi mirë?  Merremi me marrëzira.  A nuk thuhet se po luftojmë me një armik të padukshëm? Të mendosh për një karrierë politike kur duhet të jesh duke menduar për shëndetin publik është e barabartë me një sabotazh.  Dhe në sabotazh, lufta dështon. Në një luftë të dështuar, si anëtarët e LSDM-së, ashtu edhe ata të VMRO-së, si ata të kornizës apo ata jashtë saj, si të pasurit ashtu dhe të varfërit – as shatori afër Klinikës infektive nuk do të na nxërë.  Është me të vërtetë mëkat që politika të na e prishë gjithë punën e arritur me mund.

Partitë le të mos na nënvlerësojnë.  Nëse tashmë po bëjnë llogaritë e zgjedhjeve, shpresoj ta kenë të qartë se tema kryesore tani e tutje do të jetë shëndeti publik dhe dalja nga kriza ekonomike. Të na falin ata që mendojnë se do të vazhdojnë të merremi me Marrëveshjen e Prespës.  Ku do të ishim nëse nuk do të kishim shëndet publik, i cili, megjithë shkatërrimin e sistemit tonë, ende funksionon? Itali, Spanjë, Francë, Belgjikë, SHBA… Të hapim debate për partneritet publik-privat? Në spitalet private nuk ka reparte infektive.  Vdekjet nuk janë të mira për reklamë.  Nuk ka fitim nga to.

Kjo krizë ka treguar të gjitha dobësitë, por edhe të gjitha anët e mira të të gjithë sistemit shëndetësor. Duke nisur nga mjekët amë, ambulancat, vizitat në shtëpi, inspektimet, spitalet e braktisura, situatat në poliklinika, qendrat e shëndetit publik, kuadrot e politizuara partiake, ekspertët e pashfryëzuar dhe të papërdorur, ndjekësit fiktivë, udhëheqësit e paditur që u ikin gazetarëve, drejtorët e spitaleve që e kanë tejet të rëndëdishme mbajtjen e raporteve të mira me partinë dhe jo punëne tyre, politikanët që kënaqen duke u mburrur se sa të afërt janë me liderët e partisë, sepse me siguri nuk mund të mburren me numrin e pacientëve të kënaqur apo me kuadrot e reja të suksesshme që kanë lënë pas vetes…

Dhe do të ishte vërtet marrëzi që përveç të gjithë mjekëve dhe infermierëve që i lëshuam që të shpëtojnë jetë në Gjermani, t’i humbim edhe këta që kanë qëndruar në shtëpi vetëm sepse konsdierohen si numra të zakonshëm në llogaritjet e partisë. Pse, për shembull, të ndryshoni një drejtor spitali, i cili ka dëshmuar të jetë njëkohësisht një mjek i mirë dhe një menaxher i mirë, vetëm se nuk është nga partia juaj? Apo se nuk do që të jetë në asnjë parti?  Dhe pse një ekspert duhet të jetë në një parti për të qenë drejtor?

Arritja e një funksioni në meritën e partisë, jo për shkak të ekspertizës, është katastrofike kudo, por në sektorin shëndetësor çmimi matet me jetë të humbura. Pra, për shkak të këtij partizimi të tmerrshëm, arritëm në këtë pikë krize ku VMRO-DPMNE të duhet të njoftojë se po e vë në dispozicion ekipin e vet mjekësor. Kush e vë në dispozicion? Dhe kush është ky ekip i tyre që nuk është dhe i yni?

3Gjykatësit paraqitën një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese sepse Qeveria ua uli pagën edhe atyre  tyre në 14.500 denarë për dy muaj, në mënyrë që të jenë në solidaritet me zyrtarët e tjerë, ndërsa vendi po lufton me krizën pandemike. Ata thonë se nuk është kushtetuese, sepse pushteti gjyqësor është i pavarur nga pushteti ekzekutiv.

Kjo është e drejtë. Por ne nuk po flasim këtu kushtetutshmëri. Po flasim për solidaritet. Po flasim për gjykatës, të cilët nuk u ankuan se çekimi i emrave të tyre në fletoret e Gruevskit nuk ishte kushtetues, e aso kohe bënin të urtët madje edhe para sekretareshës së kryeministrit.

Gjykatësit kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që urgjentisht ta konsiderojë iniciativën e tyre. Sepse masa e qeverisë pritet të zgjasë vetëm dy muaj. Dhe kanë frikë se mos vjetërohet.

Në rregull. Le ta shqyrtojë Gjykata kushteturese iniciativën në formën e tyre.  Në po atë formë siç i shqyrtojnë edhe lëndët e tyre.  Si fillim ta vënë pikën e diskutimit në kolegium.  Më pas ta kalojnë atë te një gjykatës raportues.  Këtij do t’i duhet kohë për ta shqyrtuar inicaitivën.  E do të kërkojë edhe përkthim.  Po veç përkthimit, do të kërkojë edhe mendim nga Qeveria, nga Parlamenti dhe nga institucionet e tjera.  E atëherë do të presë përgjigje.  Përgjigja do të udhëtojë.  Pastaj do të qëllojë një festë.  Pas festës do të na sëmuret kuriri.  Pastaj gjykatësit do të konsultohen me ekspertë.  E pastaj do të vendosin nëse do ta vënë iniciativën në rend të ditës. E nëse e vënë, do të caktojnë një seancë parapëgatitore. Dhe atëherë gjykatësi raportues do të shkojë në izolim sepse mund të jetë takuar me dikë pozitiv për koronavirusin…

Për njëzet vjet kemi pasur një vërejtje të vazhdueshme në lidhje me mungesën e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ne madje ndryshuam emrin, kurse vërejtja për gjyqësinë e korruptuar nuk ndryshoi.  Njëzet vjet me radhë ndodhemi në të njëjtin vend.  E ata, nuk mundeshkan të solidarizohen me ne për dy muaj.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира