1 Ndërkohë që presim grupet e punës së Kiril Petkovit dhe Dimitar Kovaçevskit të merren vesh nëse për maqedonasit do të vlejë apo jo vlera themelore e qytetërimit ku mbështetet i gjithë Bashkimi Evropian – e drejta për vetëpërcaktim, Evropa po na ikën prej duarve. Dhe atë, jo vetëm në mënyrë simbolike, pasi me sulmin rus të Ukrainës po humbet edhe ideja zanafillase e një bashkimi evropian i cil në vitet 50-ta u krijua me synim parandalimin e një lufte të re në kontinentin evropian. Evropa po na ikën edhe me plot kuptimin e fjalës. Tridhjetë e dy vjet pas rënies së murit të Berlinit, jemi dëshmitarë të ngritjes së një muri të ri ukrainas në lindje të Evropës. Dhe një vrime të zezë në Ballkan, akoma më afër zemrës së Evropës.
Ish kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se lufta në Ukrainë është një pikë kthyese në historinë e Evropës. Po luftrat në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Serbi e në fund edhe në Maqedoni gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, vallë, nuk ishin mjaftueshëm të përgjakshme dhe tragjike, që të konsideroheshin nga ana e BE-së si pika kthyese? Deri më sot kanë pasur mundësinë ta pastrojnë gjithë rajonin e ta stabilizojnë Ballkanin një herë e përgjithmonë, e jo të lënë hapësirë për t’u frymëzuar nga sistemet autoritare, duke rrezikuar kështu sigurinë e gjithë kontinentit.
2 Ambasadorja gjermane në vendin tonë, Anke Holshtajn theksoi se “sot është shumë e qartë se çfarë do të thotë të jesh anëtar i NATO-s. Prespa do të thotë anëtarësim në NATO dhe një Maqedoni e Veriut e sigurtë”.
Maqedonia kapi trenin e fundit për në NATO. Gjermania kuptoi se duhej kthyer drejtimi i erës nga Prespa, e si kryesues i Bashkimit kërkonte datë për fillim të negocimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Për fat të keq, disa brenda Bashkimit nuk kanë vizion politik, që të mund të dallojnë vlerën e Marrëveshjes së Prespës si një faktor i sigurisë së tyre.
Në shansin e parë që kishin, dështuan. Shkaku – arsyet vetjake. Në fillim Makronit i afroheshin zgjedhjet lokale, e kështu, i frikësuar nga kandidatët për BE, filloi të shpikë metodologji të reja të zgjerimit. Kurse ne jemi sa një lagje e Parisit. Tamam, kohë e mjaftueshme që pastaj edhe Bullgarisë t’i kujtohet se çfarë fuqie i jep Bashkimi Evropian. E fuqinë vendosi ta shfrytëzojë që të zihet se kujt i takon Goce Dellçevi.
Tetë vjet Putini ishte në Ukrainë, ndërsa Bashkimi Evropian një herë ishte “seriozisht i mërzitur”, së dyti “thellësisht i mërzitur”. Ngaqë elitat politike të secilës prej 27 shteteve të BE-së ndiqnin qëllimet e tyre afatshkurtra. Kurse Putini, ja, u pa, paska patur qëllim afatgjatë.
Goce Dellçevi është vetëm një arsyetim për përbuzjen që Bashkimi Evropian i lejon Bullgarisë të na e bëjë. Ashtu sikurse Putini për luftë ka arsyetim pozitën e rusëve në Donbas. Ne me BE-në nuk ziheshim për Goce Dellçevin. Ziheshim për faktin nëse për integrimin tonë në BE vlen vlera themelore e civilizimit të vetëpërcaktimit.
3 Pavarësisht gjithë atyre miliona euro në lekë dhe ndihmë materiale të dhëna në Maqedoni, besimi në BE ka rënë në një nivel tejet të ulët.
Hulumtimet e fundit të Institutit të demokracisë “Societas Civilis” në bashkëpunim me fondacionin gjerman Konrad Adenauer, tregoi se vetëm 9,5 e qytetarëve maqedonas besojnë se BE ka ndikim shumë të madh në shtetin tonë, ndërsa para dy viteve kanë qenë 44,8 përqind. Gjithashtu, edhe perceptimi i BE-së si bashkëpunëtori më i madh u ul nga 43,2 përqind në vitin 2019 në 13,1 përqind. Pavarësisht miliona eurove në denarë dhe ndihmë materiale nga tatimpaguesit evropianë, besimi ndaj BE-së ka rënë në një nivel jashtëzakonisht të madh.
Disponimi në Maqedoni nuk është fare prorus. E as antiperëndimor. Disponimi është zhgënjim nga Perëndimi i cili vendosi që pikërisht neve të na i thyejë vlerat bazore të vetëpërcaktimit.
Jemi mirënjohjës për ndihmën. Por, imagjinoni se në mënyrë sa më efikase do të harxhoheshin paratë evropiane nëse tashmë do të kishim filluar me negocimet. Apo, tashmë të kishim qenë në BE dhe të ishim edhe ne ndër kontriubuesit për zhvillimin e Bashkimit. Kaloi shumë kohë nga 1991, kur Komisioni i Badinterit të Bashkimit të atëhershëm Evropian që përbëhej prej kryetarëve të gjykatave kushtetuese të Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Spanjës dhe Italistë vlerësoi dhe rekomandoi se vetëm Sllovenia dhe Maqedonia i plotësojnë kushtet për të qenë të njohura ndërkombëtarisht. Ehe, kush e di se ku do të ishim tani.
Tani të gjithë deklarojnë se sulmi mbi Ukrainën paraqet një shkelje të jashtëzakonshme të të drejtës ndërkombëtare. Ndërsa embargoja greke, kur na bllokuan dhe na lanë të vdesim 18 muaj në 1994-1995, kjo nuk ishte shkelje e të drejtave ndërkombëtare, vallë? Kur në dhjetor 2011 fituam çështjen me Greqinë në Gjykatën ndërkombëtare të të drejtave në Hagë për shkak të shkeljes flagrante të Marrëveshjes së përkohshme qeshnin me ne – e tani çfarë të bëjmë, ta arrestojmë Greqinë? Se – një gjë është drejtësia, e një gjë tjetër politika.
Tani na thonë – vazhdoni me reformat. Qeverisje e mirë, antikorrupsion, pazar i lirë, gjyqësi, prokurori, administratë publike, reforma, reforma, reforma…Po reforma e vetme që na mbeti është se si t’i vëmë bullgarët në Kushtetutë. T’i plotësojmë tekat e pesë-gjashtë të margjinalizuarve në politikë që nuk kalojnë në asnjë zgjedhje, mirë ama funksioni i tyre i vetëm është të jenë mashë me të cilën Bullgaria do ta zmadhojë zjarrin.
Njerëzit, kur nuk janë të integruar në një bashkësi më të gjerë të zhvilluar dhe kur ndjehen të tradhtuar dhe të përjashtuar nga kjo bashkësi bien në mitin e dorës së fortë. Mahniten nga autoritarët e tipit të Putinit. – Dhe – deri ku mbërriti Bullgaria me mbrojtjen e interesit nacional për të dëshmuar se maqedonasit janë bullgarë dhe derisa nuk e pranojmë këtë gjë, do të na mbajnë në vrimën e zezë jashtë BE-së? Le të vazhdojnë me vendosjen e vetove, dhe le ta afrojnë çizmen ruse edhe më afër BE-së.
4 Ata që mahniten nga fuqia e ushtrisë ruse dhe nga ashpërsia e Putinit i cili “ia bëri mirë Perëndimit”, le ta lexojnë më mirë deklaratën me anë të të cilës e shpalli agresionin ndaj Ukrainës. Sidomos atë pjesë ku thotë: “Lenini është autori dhe arkitekti i Ukrainës, ai e ka shtrembëruar Rusinë. Ukraina moderne ka qenë krejtësisht e shpikur nga Rusia, më saktësisht nga Bolshevikët. Kjo është pjesë e historisë sonë”.
Pa zëvendësoni fjalën Lenin me Tito. Zëvendësoni fjalën Ukrainë me Maqedoni. Zëvendësoni fjalën Rusi me Bullgari. Zëvendësoni fjalën Putin me Radev. Dhe vendimin e Parlamentit rus 2022 me deklaratën e Parlamentit bullgar 2019.
Nuk ishte dhe aq kohë më parë kur Karakaçanovi kërcënohej se do të dërgojë një njësi inxhinierësh në Maqedoni që t’i ndërrojë tabelat e përmendoreve antifashiste. Kërcënimi erdhi nga një ministër i mbrojtjes së një shteti-anëtar të BE-së.
Putini i dënon ukrainasit se nuk janë rusë. Radevi i dënon maqedonasit se nuk janë bullgarë.
Po BE-ja? BE-ja është thjesht “thellësisht e mërzitur”.
Përktheu: Fjolla Zllatku