1 E ndjek ndonjëherë seancën kuvendore për rinkonstruimin e Qeverisë, por nuk mund t’i lidh gjërat. Kush do të bëhet prokuror, bashkëshorja e cilit është gjykatëse, babai i cilit është avokat…Sinqerisht, nuk jam aq i preokupurar me mendimin nëse qeveria e re do të sigurojë progres evropian, sa përpiqem të imagjinoj se si do të duken, vallë, festat familjare të politikanëve. Imagjinoni: biri prokuror, bija gjykatëse, babai deputet, nëna avokate, gjyshi ministër, gjyshja anëtare e Këshillit gjyqësor, kushëriri anëtar i Antikorrupsionit…
Kaq shumë i kanë futur familjarët nëpër gjykata dhe prokurori, sa që politikanë tanë nëser pasnesër mund të zgjedhin se cili nga familjarët e tyre t’u përgatisë një akuzë e cili të gjykojë. As sistemi AKMIS nuk ka nevojë të kurdiset. Mesiguri do t’u bjerë ndonjë i afërm si gjykatës. Dhe imagjinoni se si do të duket kur të gjithë ata fëmijë, prindër, gjyshe, gjyshër dhe kushurinj të festave familjare do të gjenden sëbashku në sallën e gjykimit. Gjykimet do të jenë drama të vërteta familjare, në kuptimin e plotë të fjalës.
2 Deri më tani nuk po dihet se ç’fajde kemi nga rinkonstruimi i Qeverisë. Kaq gjatë po zvarritet, sa që nuk dihet më se ç’bëhet. Sidomos pas debatit dyjavor në Kuvend, nuk e kam fare të qartë se ç’i duhej Dimitar Kovaçevskit apo Ali Ahmetit ky ekskursion me Aleancën për shqiptarët.
Jo se kam diçka kundër Aleancës, apo kundër ministrave të Arben Taravarit. Herë qenkësh Aleanca, herë Alternativa, herë BDI-ja, herë LSDM-ja, herë VMRO-DPMNE-ja. Njësoj është. Kush nuk ka punë më të mençur le t’i shikojë transmetimet nga Kuvendi, se si deputetët nxjerrin gjithë anët e tyre më të pista deri në orën 2 të mëngjesit. Ti po vjedh! Po ti kur vidhje? Ti punëson familjarët e tu! Po ti kur i punësoje? As për sehir nuk ia vlen t’i shohësh. Flasim për Kuvend që nuk mblidhet për të kryer asnjë punë. Flasim për deputetë, masa e suksesit e të cilëve nuk është numri i ligjeve që kanë sjellur, por mijërat e eurove që i kanë paguar në emër të shpenzimeve të transportit.
Nuk na kanë lënë trutë. Të paktën kaq mbajmë mend – se ç’bënin këta të opozitës që tani akuzojnë qeverinë. Vetëm se jemi lodhur dhe po na kaplon letargjia, ngaqë LSDM-ja na solli deri në derexhenë që VMRO-DPMNE-ja t’i akuzojë për të njëjtat gjëra që bënin ata e për shkak të të cilave ranë nga qeveria. E tani as për muhabet kafeneje nuk ia vlen të harxhohet kohë me diskutime të tipit “a e pe si ia plasi në fytyrë?”.
3 Ndërkohë që qeveria dhe opozita numërojnë se kush sa ka vjedhur dhe sa ka punësuar me rrogë shtetëtore, mjekët dhe infermierët nga shëndeti publik protestonin. Kujt i protestonin? Le të mbajnë mend se çfarë kanë kërkuar në protestë, e kur të zgjedhin ministrin e ri dhe zëvendësministrin e ri të shëndetësisë përsëri le të protestojnë. Ashtu edhe rinkonstruimi i Qeverisë mund të marrë ndonjë kuptim. Deri më sot është e pakuptimtë.
Në spitalin e Prilepit kanë vdekur dy pacientë në operacion rutinor – nga sepsa.
Qytetarët e Prilepit thonë se është një e martë e rregullt në spitalin e tyre. Sallat e operimit janë të mbyllura, nuk ka operacione, kirurgët nuk kanë punë, pacientët shkojnë sa këtej andej, dikush në Manastir, dikush në Ohër, dikush në Shkup. Por, nuk ka rëndësi që Prilepi për momentin nuk ka spital. Është më e rëndësishme që Aleanca do të ketë ministër të shëndetësisë dhe nuk e di se çfarë partie tjetër do të ketë zëvendës ministër të ri të shëndetësisë. A thua se ministrat dhe zëvendësit janë aty për t’i zgjidhur problemet në shëndetin publik, e jo për t’i plotësuar qejfet e strukturave partiake.
Njëlloj si drejtori i dytë i Fondit për sigurim shëndetësor, për të cilin publiku u habit se pse nuk e ka ndërprerë rrugën për në Amerikë kur ndodhi sulmi i hakerëve dhe i gjithë sistemi shëndetësor u bllokua për dy javë. E pse do të kthehej? Drejtori i dytë i Fondit kështu-ashtu nuk është vënë atyre që ta kryejë punën e vet. Nuk e ka vënë BDI-ja që të mbajë përgjegjësi. Ai është atje për balancë. Që të mos bjerë Qeveria. Që të jetë stabile shumica. Ashtu si dhe drejtorët ekonomikë nëpër klinika. Edhe ata janë aty që të mos bjerë Qeveria.
Nga kuadrot e BDI-së nuk duhet të kërkohen rezultate, as transparencë për atë se si i shpenzojnë paratë tona, pse përdorin automjete zyrtare për transport privat, ku udhëtojnë, pse udhëtojnë, kë punësojnë, pse e paguajnë…Sepse ato nuk çojnë në BE. Vlerë evropiane është atëherë kur në rast se dikush nga BDI-ja akuzohet për krim, nga ana e BDI-së të kthehen me: A ju po shpallni luftë?
4 Nga LSDM-ja nxituan, sa janë akoma në qeveri, të hapin firma familjare të rrymës. Mirëpo, për dallim nga VMRO-DPMNE-ja që fshihej pas emrave të tjerë, këta janë transparentë. Në VMRO kishin parullën “të mos kesh ndonjë firmë që të rri joaktive”, e kështu i shëtisnin paratë sa këtej andej nëpër Belize dhe parajsa të tjera atraktive tatimore, që të hapin firma ndërtimtarie, hotelierie, nafte…Gratë nuk u hapnin firma. Ndërsa këta të LSDM-së nuk e fshehin faktin se edhe gratë, djemtë, baballarët e vëllezërit e tyre u janë futur bizneseve të rrymës.
Gjithçka vazhdon të mbetet e njëjtë. Veç lloji i energjisë u ndërrua. VMRO-ja është më shumë pas naftës. LSDM-ja pas paneleve fotovoltaike.
Ndërsa BDI-ja ka një poezi për recitim, të thurur me të gjitha frazat korrekte politike – Evropa, axhenda e gjelbër, progresi, përgjegjësia, transparenca…Se a besojnë vetë në atë çfarë recitojnë e se a u beson njeri, as që u intereson. Fare. Recitojnë edhe për luftën kundër krimit, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Madje edhe për luftën kundër nepotizmit do të fillojnë të recitojnë, e ti thua me vete, mos o zot – këto kanë vendosur të na vdesin. Nga të qeshurat.
Përktheu: Fjolla Zllatku