1 Interesin publik do ta mbroj përderisa nuk rrezikohet interesi im personal. Kjo është parulla e kapitalit qytetar në Maqedoni. Do të ankohem se si shteti na ka helmuar të gjithëve, do të protestoj kundër ndotjes, por ama plehrat do t’i hedh nga ballkoni, do ta lë makinën në korsinë e tretë të bulevardit, do ta shkund taketuken e makinës mbi trotuarin ku jam parkuar, do t’i lë shishet plastike dhe konservat në plazh, do të parkohem mbi bar, nuk do ta mbledh jashtëqitjen e qenve, nuk do të pyes se ku shkuan mbeturinat për një çmim kaq të lirë…
Nuk e kuptoj se pse gjithmonë habitemi me disa situata tashmë të njohura dhe të parashikueshme, sikur nuk e dimë se kush dhe çfarë jemi. Përveç faktit se mund të duket gati surreale kur në mes të një debati, herë-herë dhe histerik, mbi dyshimet për transportin e mbeturinave të rrezikshme dhe ndërkohë që në Shkup kemi tregues rekord të parametrave të lartë të ajrit të ndotur, një pjesë e banorëve të dy lagjeve të qendrës së Shkupit, në një debat mbi planet e detajuara urbanistike, thonë: “Nuk duam gjelbërim, nuk duam banesa për fëmijët”. Jam e bindur se në debate kanë ardhur me maska. Pasi janë të vetëdijshëm ekologjikisht.
Kinse në kryeqytete të tjera, ku ndotja nuk është kaq e madhe sa në Shkup, fëmijët nuk kanë nevojë për banesa. Apo kinse biznesi ndërtimor do të shembet nëse ligji nuk lejon të ndërtohet në gjithë parcelën, ndonëse ka kufizim të numrit të kateve. Përkundrazi. Aty edhe banesat janë më të shtrenjta sepse kanë kushte më njerëzore për jetesë. E edhe ndërtimtarët janë më të pasur.
Epo, njerëzit kështu janë. Interesi publik përfundon deri te parcela dhe pulla ime e ndërtimit. Nuk kemi të bëjmë vetëm me parcelën, por deri te gjithçka që mund të kufizojë të afërmit e mi apo shoqërinë time. Parkimi, hedhja e mbeturinave, vozitja e motorit, përdorimi i çfarëdolloj mbeturine për t’u ngrohur, zhurma, okupimi i hapësirës publike…
Mirë, mirë, e dimë se është ligj, por a duhet që pikërisht unë të jem i pari që e zbatoj? A duhet të jem pikërisht unë që veproj sipas asaj që shkruhet? Është patjetër ta bëj tani? E për më tepër, ç’merren këta me mua? A nuk ekzistojnë institucione në këtë shtet? E vodhën shtetin mirë e mirë, e tani me mua do të merren…
2Me po të njëjtën logjikë siç qytetarët mbrojnë interesin publik, po zhvillohet edhe debati për Ligjin e famshëm të prokurorisë publike. Ne jemi për sundimin e së drejtës dhe për dënimi e kriminelëve. Por, nëse do të mundet vetëm edhe ky krim të mbetet pa u ndëshkuar. E nga tani e tutje do të luftojmë për drejtësi.
E njashtu sikurse është surreale skena ku qytetarë që ankohen për ndotjen e ajrit njëkohësisht kërkojnë të ketë ndërtesa në vend të gjelbërimit, edhe më e pabesueshme është skena e Parlamentit ku mbi atë se si duhet të jetë Ligji i prokurorisë publike debatojnë deputetë të dyshuar, të akuzuar dhe të amnistuar. Çfarë ligji kundër krimit prisni nga të akuzuarit Ilija Dimovski, Trajko Veljanoski, Ejup Alimi, Frosina Remenski, i dyshuari Antonio Milloshoski e Xhevat Ademi, për të cilin ekziston hetim për qitje në dasmë dhe nga Kostadin Acevski të cilin e shoqja e ka paraqitur në polici për dhunë familjare? Çfarë kontributi, vallë, do të sjellin këta deputetë në debatin mbi interesin publik?
3Megjithatë, nëse duam të mbajmë një këndvështrim sado pak optimist mbi debatin për Ligjin e prokurorisë publike, ai mund të bazohet te fakti që edhe për njëherë po bëhet e qartë se ç’anë mban secili. Për ligj kundër krimit apo për një ligj në mbrojtje të tij?
Lideri i LSDM-së Zoran Zaevi thotë se Ligji për prokurorinë publike garanton të ardhmen evropiane. Ore, nëse nuk procesuoen rastet e PSP-së, për Maqedoninë nuk do të ketë të ardhme as evropiane, as çfarëdo të jetë.
Jemi lodhur. Jemi dorëzuar. Na kaluan katër vjet në kërkim të drejtësisë. E drejtësi nuk ka. Ndëshkim të kriminelëve, nuk ka. Po tani, ç’bëjmë? Bëjmë sikur bëjmë debat. Demek, me njerëzit e njëjtë, ata të bombave dhe sulmit të Parlamentit, do të bëjmë një fillim të ri.
Për çfarë fillimi dhe besimi te drejtësia të shpresojmë me këta njerëz që duhet të sjellin ligjin? Ja një realitet i Maqedonisë që duket surreal. Përparimi i shtetit drejt BE-së varet nga persona të akuzuar, të dyshuar dhe të amnistuar.
4Ligji për prokurorinë publike nuk paska qenë kusht për përcaktimin e datës për fillim të negociatave me BE-në, por evropianët kanë dashur të shohin se sa kapacitet kanë partitë e Parlamentit të bien dakord.
Të kishte pasur VMRO-DPMNE-ja kapacitet për të bërë marrëveshje, nuk do ta kishte sulmuar Parlamentin më 27 prill 2017. Ndërsa kapaciteti i LSDM-së u bë i qartë n ë momentin kur u pajtuan me ata që donin t’i vrisnin.
5Mbase edhe do të sillet një Ligj i Ri për prokurori publike. Por edhe deri më tani kishim ligje për të përndjekur krime. Por, kush t’i përndjekë? Kapaciteti i gjykatësve dhe prokurorëve është më se i dukshëm. Veçse, gjithnjë e më tepër shfaqet me kolokuializëm. Ndyrësirë, kurvë, janë vetëm një pjesë e dialogut akademik mes prokurorëve dhe gjykatësve. Këtë gjë do të duhet ta kemi parasysh, tani që do të fillojmë sërish të luftojmë për drejtësi.
Po prokurorë dhe gjykatës ku do të gjejmë për këtë fillim të ri? Apo do t’i importojmë? Po s’janë ata mbeturina që të importohen si lëndë djegëse. Apo do t’i marrin në të zezë si mbeturina të rrezikshme? Se, Marsi është shumë larg, që të mund të bien nga atje, apo jo?
6E pastaj habitesh se si mundet një 19 vjeçar, i punësuar si sigurim në qendrën më të madhe tregtare të shtetit, të mos jetë i vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë një lajmërim i rremë për bombë vetëm për t’u tallur me shefin. Ja përse. Sepse ai kurrë nuk ka dëgjuar dikë të mbajë përgjegjësi për dëme shumë më të mëdha ndaj të gjithë shtetit. Përse të mendojë mbi pasojat, kur në shtet nuk ka pasoja as për krime shumë më të rënda se tallja me shefit?
Këtu, të vetmit të dënuar janë ata që harrojnë të dërgojnë mesazhe për parking. Sa budallenj dhe ata. Parkohu në korsinë e tretë dhe aty mbi bar. Dhe shiko punën tënde. Pastaj ankohu në kafene se “ky shteti ynë s’bëhet kurrë”.
Përktheu: Fjolla Zllatku