1Le të përpiqemi edhe njëherë ta kuptojmë esencën e rastit “Reket”. Një aferë korruptuese e cila e eliminoi Prokurorinë Speciale Publike e cila duhej të zbulonte dy gjëra. E para, se kush qëndron pas përgjimit illegal gjatë kohës së Nikolla Gruevskit dhe e dyta, nëse ka apo jo korrupsion dhe ndonjë krim më të rëndë në bisedat.
Dhe, meqënëse askush nuk reagon ndaj përgjimit jolegal të asaj kohe, nuk më befason fakti se bisedat e përgjuara të asaj kohe u bënë një mënyrë standarde feste e popullit. Nuk më befason as dëshmia e Kamçevëve në stilin “s’më bëhet vonë fare se kush e ha”.
Rastet e PSP janë bllokuar nëpër gjyqe, kurse e gjithë historia me viktimën Orce Kamçev, me mikun e tij Zoran Mileski të Kërçovës, me shoumenin Boki 13 dhe me prokuroren speciale Katica Janeva duket si një shou real. Afatet e gjykimit për rastin “Reket”, me gjithë trajtimin e tyre nëpër media dhe me thashethemet shoqëruese të miqve të Orces të lëshuara në YouTube janë një estradizim i përkryer i sistemi gjyqësor të Maqedonisë.
Mirëpo, çfarë përfitojmë ne nga ky sehir, nga kjo lloj prokurorie dhe kjo lloj gjyqësie, veçse një vërtetim se sistemi ynë ligjor është një katastrofë e vërtetë.
Në këtë histori për Maqedoninë në kërkim të drejtësisë me sa duket nuk ka asnjë personazh pozitiv. Megjithatë, nuk besoj se gjykatësit dhe prokurorët janë kaq të paaftë. Përkundrazi, mendoj se janë shumë të aftë që dijen, ndikimin dhe fuqinë e tyre ta përdorin për t’I manipuluar proceset. Dhe e gjithë kjo të jetë “çdo gjë sipas ligjit, shef”. Ku ndodhet dinjiteti dhe respekti për gjykatësit dhe prokurorët që shohim në seritë dhe filmat e huaj? Askund. Në Maqedoni ato janë harruar në ndonjë sirtar, bashkë me lëndë poashtu të harruara. Apo diku mes fletëve të defterëve partiakë. E ne, si budallenj mezi presim të zbulojmë të vërtetën. Kërkojmë drejtsi. Bëjmë muhabete serioze për “sundimin e së drejtës”. Ha-ha. Lëshoni edhe ndonjë barcaletë për sundimin e së drejtës dhe na thoni se në cilin kanal në YouTube mund ta gjejmë.
2Këtë kolumnë po e shkruaj ndërkohë që jam në Nju Orleans, në shtetin amerikan Luizijana, dhe dua të ndaj një histori që mu duk fort interesante, si për drejtësinë që kërkohet nga qytetarët, ashtu edhe për gjyqësinë dhe qeverinë dhe rolin e mediave. Pas vërshimit katastrofik të vitit 2005 të shkaktuar nga uragani Katrina, kur vetëm në Nju Orleans dhe në rrethinë vdiqën mbi 1.200 njerëz, qytetarët u bënë shumë më të përgjegjshëm dhe më të ndërgjegjshëm në raport me qeverinë. Nju Orleansi përbëhet prej shtatë qyteteve më të vogla, të themi komuna, e unë do të doja ta krahasoja me Shkupin dhe dhjetë komunat. Në periudhën e Katrinës, ndërkohë që vinin ndihmat në qytet, tre nga shtatë kryetarë komunash të komunave në Nju Orleans kanë përfunduar në burg. Të gjithë për shkak të korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksionit shtetëror. Kanë qenë të dyshuar për shumë krime, por edhe të gjykuar për vepra të çuditshme. Njëri sepse kishte blerë makinë për të dashurin me paratë e komunës, tjetri sepse kishte punësuar të shoqen si psikiatre, pa diplomë. Një tjetër sepse ka qenë duke vozitur i pirë dhe ka thyer një rampë kalimi për në urë. Kur e kanë zënë, polici e ka kuptuar se për kë bëhet fjalë, i ka bërë një telefonatë drejtorit dhe e ka lëshuar të ikë. Mirë ama, në gjyq firma përgjegjëse për urën dhe rrugët e ka gjykuar për dëmet e shkaktuara. Kështu, kryetari i komunës ka përfunduar në burg, ndërsa polici dhe drejtori kanë ngelur pa punë.
Ja edhe një shembull. Në gusht të vitit 2017, Nju Orleansi pësoi një vërshim tjetër nga një shi i papritur. Kryetari I komunës ka dhënë deklaratë se “Zoti ka dashur që të vërshojë”. Megjithatë, dy ditë më pas mediat kanë zbuluar se prej 120 stacioneve të pompës që duhet ta thithin ujin, kanë punuar vetëm shtatë. Kryetari ka kërkuar falje dhe ka thënë se do të shikojë se pse ka ndodhur një lëshim i tillë. Atëherë ai ka pushuar nga puna personin për marrëdhënie me publikun duke thënë se gënjen. Vetëm pas dy ditësh, gazetarët kanë zbuluar se nga 5 turbinat për prodhimin e rrymës ka punuar vetëm njëra.Pas kësaj, kryetari i ka pushuar drejtorët e firmave përgjegjëse për sistemin e mbrojtjes së qytetit nga vërshimet.
Nju Orleansi është gjatë gjithë kohës i rrezikuar nga vërshimet. Në dimër kërcënohet nga uji i Misisipit, në verë nga uraganet. Kryetarja aktuale vjen nga partia demokatike, pushteti lokal është i demokratëve, kurse pushteti i shtetit Luizijana është në duart e republikanëve. Por qytetarëve të Nju Orleansit, të cilët janë akoma në rimëkëmbje e sipër nga vërshimet, të cilat e kanë dëmtuar mbrojtjen e qytetit dhe koordinimin me pushtetin federal në Uashington dhe atij të Nju Orleansit dhe Luizijanës, thonë: “Nuk na intereson nëse është republikan, apo demokrat…Na intereson të na mbrojnë nga vërshimet”.
Edhe ne jemi të rrezikuar dhe kemi kaluar shumë Katrina. Vërshimet në Stajkovci dhe në Shipkovicë, ndotja e ajrit në Shkup, Manastir, Tetovë, fatkeqësia në Llaskarcë…Krahasimisht ndoshta më të këqija se ato në Amerikë. Mirëpo, dallimi kryesor mes nesh dhe Nju Orleansit është se në SHBA si në nivel qendror ashtu dhe në nivel lokal funksionojnë gjykatat, kështu është shumë më thjeshtë që qytetarët të jenë të përgjegjshëm dhe të kërkojnë nivel përgjegjësie edhe nga politikanët. Po ta marrësh, për ne, i gjithë liqeni i Ohrit, edhe pse i mbrojtur nga UNESKO, është një Katrinë e vazhdueshme. Ndërsa kryetari i Strugës Ramiz Merko vazhdon të tallet me pushtetin qendror.
Amerikanët e kanë shumë më të thjeshtë të kenë drejtësi, sepse për gjykatësit dhe prokurorët e tyre dinjiteti njerëzor është shumë më i rëndësishëm se sa lidhjet me kriminelët e njohur. Atje nuk thonë, siç thotë lideri i partisë opozitare këtu, Hristijan Mickoski, se është përndjekje politike nëse kapen funksionerët duke vjedhur, madje edhe atëherë kur i kaluari është arratisur diku jashtë shtetit. Atje nuk mund as të imagjinohet, qoftë edhe në ndonjë serial humoristik, që një kryetar komune, siç është Petre Shilegovi te ne, t’i kthejë qytetarit të pakënaqur një përgjigje si “Hiç mos voto për mua!”. Atje nuk kanë BDI-në që të bëhet partner koalicioni për çdo qeveri. Së fundmi, për ata pritshmëria e vetme e qytetarëve ndaj partisë nuk është të kenë punë shteti.
3Kryeministri Zoran Zaev do të pastrojë bashkë me administratën publike. Me pastrimin e së shtunës, punonjësit e administrates do të kryejnë ditë pune për kompensim të pushimit më 2 janar. Sikur të ishte puna për një ditë pushimi! Për më tepër një 2 janari i bie e enjte, e mos kujtoni se të premten, të pushuar e të freskët do të vinë në punë!?
Ministri për administrim dhe informatikë Damjan Mançevski nuk tha nëse do të pastrojnë 1.600 punonjës të administrates që marrin rrogë, por nuk shkojnë në punë. Apo, ata do të vinë në punë mu në 2 janar? Dhe pas 3 janarit nuk do të vine më.
Mendoja se Mançevski duhej të organizonte reformë që të kemi administrate efikase dhe të aftë, e jo pastrim. Pasi ai është ministër, e jo drejtor i ndërmarrjes komunale.
Kurse Zaevi duhej të pastronte administratën publike, e jo të pastronte bashkë me të.