DY MUZIKA

Në qoftë se alternativa për paaftësinë e LSDM-së dhe arbitraritetin e BDI-së është një VMRO-DPMNE e këtillë e fuqizuar nga ana e Levicës, vaj medeti për ne. Do të na duhet shpëtim nga të gjithë ata.

1 Kaloi edhe një festë. Maqedonasi e shfrytëzoi edhe një mundësi që të ankohet për fatin e tij të vështirë. A thua vetë fakti se kemi një shtet tonin nuk mjafton që të jetë arsye kënaqësie, e kështu mu në Ditën e pavarësisë duhet të qahemi me deklarata patetike si “të mirë e kemi nënën Maqedoni”, por nuk e kemi merituar.
Të ankohesh për fatin tënd të zi në ditë feste, kur mund të ishe duke u gëzuar, është një gjendje shpirti e atij që refuzon përgjegjësinë e ekzistencës së tij, ndërkohë që ka pritshmëri të mëdha nga të gjithë të tjerët. Ke një shtet, por nuk e di se ç’të bësh me të. Dhe për çdo gjë që s’bën, fajin ta ka dikush tjetër.

Si një gazetar profesional, jam dëshmitar, e ndonjëherë kam qenë edhe pjesëmarrës në pothuajse të gjitha ngjarjet historike të Maqedonisë nga viti 1991 e deri më sot, dhe mbase tingllon jomodeste, por jam shumë krenar që jam pjesë e gjeneratës së themelimit të shtetit. Andaj, nuk më vjen mirë kur, edhe pas 31 vjetëve pavarësi, të ketë njerëz që mendojnë se shteti është LSDM, VMRO-DPMNE apo BDI, e jo secili prej nesh dhe të gjithë ne, qytetarët e këtij shteti.

2 Të mos veçohet VMRO-DPMNE-ja nga shteti? Ata bënë festimin e tyre të veçantë për Ditën e pavarësisë së Maqedonisë në Autokomandën e Shkupit. Me njerëzit, këngëtarët dhe grupet e tyre. Në mënyrë që të gëzohen vetë, sepse nuk duan me të tjerë, që nuk janë të VMRO-së, as ajrin e njëjtë ta thithin.

Për Ilindenin të gjithë në Krushevë, Hristijan Mickoski në Tashmarunishtë. Për 8 shtatorin, të gjithë në Shkup, ai ia mbathi për Smilevë. Ç’do të bëjë kur të bëhet kryeministër i një shteti ku është bërë gjë normale që opozita të organizojë festime të veçanta për festat më të mëdha shtetërore? Secili me bandën e vet në sheshet e komunave të fituara. Le të këndohen dy muzika. Le të valohen dy flamuj. Le të urrehen njerëzit mes vete. Insistimi për t’i thelluar ndasitë nuk ka asnjë logjikë për dikë që dëshiron të jetë kryeministër, vetëm nëse Mickovski është i bindur që, sa më shumë të urrehen njerëzit, aq më shumë do ta duan.

3 Në po këtë linjë të krijimit të ndasive të reja është edhe referendumi që kryesohet nga VMRO-DPMNE. Ç’pyetje e paqartë është kjo: A jeni për braktisjen e rëndësisë së Ligjit për ratifikim për Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim mes R. së Maqedonisë dhe R. së Bullgarisë të publikuar në Gazetën zyrtare nr 12/2018 nga 18.01.2018?
Me këtë pyetje planifikojnë të mobilizojnë 900.000 votues? Njerëzit dolën në rrugë për protesta kundër propozimit francez për heqjen e vetos bullgare, kundër mohimit të gjuhës maqednase, kundër përbuzjes që na bën BE-ja duke i pranuar kërkesat nacionaliste të Bullgarisë si vlerat e saj, kundër përzierjes së Bullgarisë në shkrimin e librave tanë shkollorë, kundër futjes së çështjeve historike si kush për të hyrë në BE…

Bëhuni të guximshëm të paktën një herë dhe parashtroni pyetjen e vërtetë: A jeni për anëtarësim në BE nën kushtet që i vendos Bullgaria? Mos u fshihni pas fjalimeve të paqarta si “braktisje të rëndësisë”, “ligj për ratifikim”, po madje edhe “gazeta zyrtare numër bla,bla,bla”…Sado dramë të ketë në shtëpi, pse duhet Mickoski kur del para gazetarëve të thotë se kemi mbledhur kaq e kaq nënshkrime, e po na bëjnë shtypje për anëtarësim…Por nëse mundet, të mos ketë sukses referendumi që të mos i hidhërohen të huajt. Ashtu siç në ditën e fundit nuk kishte guximin të thotë nëse do ta bojkotojë referendumin për ndryshimin e emrit me anë të Marrevshjes së Presës, e më pas lëvdohej se e ka bojkotuar.

Pse Mickovski i lodh njerëzit, kur nuk ka fare nevojë për referendum për shfuqizim të Marrveshjes me Bullgarinë? Në nenin 13 të Marrëveshjes thuhet: “Çdo palë e marrëveshjes mund ta prishë marrëveshjen me anë të dërgimit të një lajmërimi të shkruar deri te pala tjetër. Marrëveshja do të pushojë së qeni në fuqi një vit pas datës së pranimit të lajmërimit në fjalë.”

Prandaj, mos harxhoni kaq shumë para për referendum, mos vidhni nga populli, mos na e humbisni kohën. Mjafton VMRO-DPMNE t’i fitojë zgjedhjet e ardhme. Nuk do të kenë nevojë as për dy të tretat e shumicës, as votim sipas Badinterit. Le të gjejnë 61 deputetë në Kuvend, le të ngrenë dorën për shfuqizimin e Marrëveshjes, Mickoski le ta shkruajë letrën dhe t’ia dërgojë Sofjes – dhe puna ka mbaruar.

Kjo që po bën Mickoski me referendumin është në korniza të profesionalizmit të tij që e tregon vazhdimisht që kur u bë lider i VMRO-DPMNE-së – ta turbullojë ujin që të mos jetë i qartë. Në mes të dimrit të vështirë, krizës energjetike dhe luftës në Evropë ne harxhojmë para për referendum sepse nuk mund të presë zgjedhje në të cilat edhe ka mundësi të fitojë.

4 Nuk mund ta besoj se çfarë më lexojnë sytë në komentet e rrjeteve sociale pas lajmit mbi vdekjen e Mbretëreshës Elizabeta II. Madje e akuzuan edhe për fajtore për bombardimin e fshatrave maqedonas në Maqedoninë e Egjeut gjatë kohës së luftës civile në Greqi që përfundoi në 1949, ndërkohë që ajo është bërë mbretëreshë në 1952.
Mund të jesh majtist, republikan, mund të jesh dhe antimonarkist, të mos pajtohesh fare ideologjikisht, ndoshta historitë mbretërore dhe thashethemet për oborrin mbretëror mund të të mos interesojnë fare. Por disi nuk më duket normale të tallesh me vdekjen e një gruaje 96 vjeçare.

Mbretëreshën Elizabetë e njohim që kur njohim dhe veten. Pa të kalonin më shumë se 15 kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar. Të paktën le të tregohet resçekt për këto 70 vjet histori. Jo ore. Vetëm ligësi. Ligësi të legjitimizuar si qëndrim për gjeopolitikë.

Njerëzit që nuk dinë të gëzohen për pavarësinë e shtetit të tyre, u gëzuan për vdekjen e gruas 96 vjeçare.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира