ECJE KOTI

VMRO-DPMNE nuk e vodhi vetëm shtetin. Tani po e vjedh edhe demokracinë.

ECJE KOTI

1 Ore, ai Zvërlevski. Ç’njeri paska qenë? Si nuk pati një pikë turpi? Pak ti vinte siklet. Me ç’e mbajnë vallë, cilën të fshehtë ia dinë, çfarë kanë ata për të, që të mos mundet deri në atë shkallë të largohet vetë, meqë VMRO-DPMNE nuk lejon ta ndërrojnë, ndërsa shumica nuk e do? Për më tepër se një muaj, kryesia e VMRO-DPMNE-së po e mban peng tërë shtetin. Përse? Vetëm që ta shtyjë të shkuarën në burg të një grupi njerëzish. Apo mos ka motiv më të madh personal sesa shpëtimi i asaj klike të VMRO-së që e mbështet atë, e së cilës iu morën pasaportat që të mos iknin nga shteti? Ka frikë se mos e tërheqin edhe atë, e të përfundojë në vendin e njëjtë me ta. Ai e di shumë mirë se ç’kanë bërë bashkë. E për më tepër, është edhe jurist.

2Ligjet janë krijuar për njerëz të ndershëm. Ndërsa kriminelët gjithnjë gjejnë vrima në to. Dhe kërkojnë mënyra për t’i kryer krimet e tyre, ndërkohë ligji të mos i pengojë. Ashtu sikurse vepron tani VMRO-DPMNE me procedurat demokratike në Parlament. Qëllimi i tyre nuk është demokracia, respektimi i Rregullores, ligjshmëria dhe zhvillimi i debatit parlamentar. Qëllimi i tyre është vetëm ta shtyjnë të shkuarën në burg të klikës që qeverit me VMRO-DPMNE-në, nga e cila disa janë dhe pjesë e Parlamentit.

Për më tepër që u fyen kur Pavle Bogoevski nga foltorja u tha se mbrojnë kriminelë. Kurse Daniella Rangellova iu përgjigj duke thënë se ata nuk kanë fyer askë. Po, si jo. Ashtu është. Ata nuk fyejnë. Ata e ndreqin punën drejt me qytek. Nga 24 dhjetori 2012. Me shembjen e Komunës Qendër, ku mes të dyshuarve ndodhet edhe Rangellova. E deri më 27 prill, ku nëse do të kishin dashur ta vrisnin Zaevin, do ta kishin vrarë.

Ndërsa këta të shumicës akoma e pranojnë atë aktrim demokracie të VMRO-së. Demokraci të mirëfilltë në Parlament do të ketë atëherë kur ndaj çdo replike të VMRO-DPMNE-së do të lëshohen bombat. Nga foltorja, aty, madje edhe gjatë pauzave. Në vend të reklamave proqeveritare të kohës së Gruevskit në kanalin e qeverisë të TVM-së. Le të përkujtohen mbrojtësit e Zvërlevskit se çfarë kanë bërë. E ata të VMRO-së që nuk kanë bërë diçka…le të vetëdijësohen se çfarë krimi janë duke mbrojtur. E le të mos shpikin historira, platforma tiranase, platforma të Sofjes, kampe refugjatësh, interpelime të të gjitha ministrive, njëqind grupe deputetësh…

Pasi, çështja është një – kush ka përgjuar në mënyrë të paligjshme dhe a janë kryer krimet për të cilat kemi dëgjuar. Këtë gjë Zvërlevski nuk donte apo nuk guxonte ta zbulonte. Dhe për këtë arsye duhet të zëvendësohet. Që pastaj të kalojmë te pika e dytë: Kush e porositi vrasjen e liderit të opozitës më 27 prill dhe kush ndihmoi në sulmin e Parlementit? Pasi Zvërlevski as këtë nuk do, apo nuk guxon ta zbulojë, pavarësisht inçizimeve të kamerave të sigurimit. Përveç nëse në përgjigjet e këtyre dy pyetjeve ndodhet edhe emri i tij.

Me këtë mbajtje peng gjoja demokratik të të gjithëve ne, vërtetohet që VMRO-DPMNE në 11 vjetët e fundit nuk na e ka vjedhur vetëm shtetin. Ata tani e vjedhin edhe demokracinë. E në emër të saj ngarkojnë edhe meditjet dhe shpenzimet e udhëtimit.

3Këtë gjë më haptazi nga të gjithë e shprehu Ilija Dimovski me një kundërshtim ndaj kryeministrit Talat Xhaferi. Me kërcënimin: “Asnjë ligj s’ke për të sjellë!”

Në fakt, si mundet Ilija të mos e mbrojë Zvërlevskin, mosdënimin e tij dhe padrejtësinë, kur edhe atë e dëgjuam në bisedë me ministren e atëhershme të punëve të brendshme Gordana Jankulloska, se si merreshin vesh për porositjen e paraburgimit të dikujt. Dhe këtë gjë, pikërisht te Zvërlevski. Prandaj Ilija kërcënohet se nuk do t’i lejojë Xhaferit të sjellë as edhe një ligj. Pasi me çdo ligj të ri, Ilija dhe njerëzit e tij do të jenë një hap më pranë burgut.

4Derisa nuk filluan t’i ndërrojnë drejtorët e institucioneve shtetërore, nuk isha i vetëdijshëm se sa vende kishte që duheshin mbushur. Dhe se pse është aq e nxehtë lufta për të hyrë në administratën shtetërore.  Vetëm 67 institucione morën drejtorë të rinj. Kush e di edhe sa të tjera duhet të ketë. E kush e di se sa emra pretenciozë e qesharakë duhet të kenë ato institucione.
Akoma edhe ajo Ministria e ecjes së kotë, që e shpikën në serialin humoristik britanez “Monty Python”, kishte një emër logjik për nevojat e serialit. Dhe aty mbaronin. Ndërsa për nevojat e Maqedonisë dhe ushtrive partiake kemi shkuar shumë më larg se Ministria e ecjes së kotë. Te ne, vetëm ministria, nuk mjafton. Duhet të ketë edhe mbështetje institucionale.

Po prandaj kemi edhe Drejtori për afirmim dhe përparim të teknikave për ecje të kotë brenda Ministrisë për ecje të kotë. Edhe drejtori për zbatimin e ecjes së kotë në komunitetet etnike në mjediset ku ato përbëjnë mbi 20 përqind të popullsisë. Gjë, për shkak të së cilës natyrshëm ka lindur nevoja për Inspektorat shtetëror për kontrollim të ecjes së kotë në mbjediset ku komunitetet etnike përbëjnë mbi 20 përqind të popullsisë. Pastaj ka edhe Agjenci për koordinim të hapave të ecjes së kotë. Dhe Drejtori për përputhje të ecjes së kotë me rekomndimet e Pribes. Dhe revizor të organit të revizionit të ecjes së kotë që është njësi e pavarur në kornizat e Ministrisë së ecjes së kotë.

Dhe pavarësisht të gjitha këtyre institucioneve, është problem së askush nuk ka mësuar të paktën të ecë tamam kot.

5Në Maqedoni, krah Ministrisë së mjedisit jetësor ekzistojnë të paktën edhe tre institucione të lidhura me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Plus ka edhe Drzhavni patishta, Makedonija pat, Makedonski shumi, komuna, inspeksione komunale në të gjitha komunat… Të gjithë atyre, kujt më pak e kujt më shumë, iu përputhen ingerencat. Dhe në të gjitha ato institucione ka nga dhjetë-pesëmbëdhjetë pozicione drejtuese, shefa, referentë, referentë më të rinj, kush për mbeturinat kaba, kush për mbeturinat komunale, kush për mbeturinat rajonale, kush për çfarëdolloj mbeturine t’i teket.
Ndërkohë Maqedonia mbytet në mbeturina, qytetet gjatë verës mbështillen me tym prej deponive të paligjshme, kurse gjatë dimrit arrijnë rekorde të qyteteve më të ndotura në botë prej kantjeret të paligjshme, malet janë zhveshur nga vjedhja e druve, ndërsa pejzash i pashmangshëm kudo janë mbetje të ndërtimeve, qese plastike që varen si llampiona në pemë dhe shishe plastike në lumenjtë dhe liqenet.

Ashtu sikurse krah Ministrisë së finansave ka edhe një sërë institucionesh që merren me kontroll finansiar. Kurse biliona euro përfunduan në Belize.

Në fund të fundit, ja të themi se kemi problem që ka aq shumë insitucione në të cilat ka aq shumë të punësuar që marrin rroga më të larta se sa të punësuarit në firma private, të cilët duhet t’ua sigurojnë rrogat atyre. Mirëpo, ndryshimin e vërtetë të qeverisë do ta ndjejë vetëm kur të gjithë do të fillojnë ta kryejnë punën e tyre. Atëherë do të ndjejmë se kemi shtet.

Kur veçmë partite u shpikën vende pune që ne t’i ushqenim, nuk nevojitet t’u shpikin edhe punë. Punë ka. kurse nëse ata nuk kanë ndërgjegje që të mund ta fitojnë atë rrogë, atëherë ne si qytetarë kemi të drejtë të refuzojmë që t’i paguajmë.

Po afrohen zgjedhjet lokale. Unë kam pritje të mëdha prej atyre që i harxhojnë paratë e mia. Nuk jam i gatshëm t’i pranoj vetëm sepse partia i ka strehuar, ndërsa prej tyre kërkon vetëm të shkojnë në tubime, e jo ta kryejnë detyrën për të cilën paguhen.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира