EGËRSIRAT E BALLKANIT PERËNDIMOR

Partitë, si të qeverisë, si të opozitës, nuk i zbatojnë protokollet e kovidit nëpër tubime, e ne duhet t’u besojmë se do t’i plotësojnë të gjitha premtimet që i shpikin.

1 Qeveria ka përgatitur një propozim-ligj, sipas të cilit punonjësit e administratës, do të punojnë 36 në vend të 40 orëve në javë. Të premten do të punojnë vetëm 4 orë. Po të premten, pse të mundohen të punojnë fare? Le të mos lodhen që të vijnë në punë vetëm për 4 orë.

Po ne, që nuk jemi administratë shtetërore, po deshëm të mbarojmë ndonjë punë burokratike të premten, çfarë ndodh?

Qeveria do të thotë: “Po ç’ke pritur deri të premten që të mbarosh punë?”

2 Mirë, ne e dimë se në Ballkanin Perëndimor nuk jemi ndonjë gjë e madhe, por nuk jemi as egërsira shumë të rrezikshme që duhen mbajtur sa më larg BE-së për pothuajse njëzet vjet. Duke nisur nga Samiti i Selanikut në qershor të vitit 2003, kur Bashkimi Evropian mori përsipër të punojë për zgjerim me shtetet e Ballkanit perëndimor, në 2021 arritëm deri te gjendja që në deklaratën për samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor shtetet anëtare të debatojnë edhe rreth përdorimit të vetë fjalës “zgjerim”. Se mos ndoshta e marrim të mirëqenë. Kthimi pas i procesit të integrimit, pas pothuajse njëzet vjet të përmbushjes së pragjeve të ndryshme, plotësimit të pyetësorëve, pritjes së raporteve mbi përparimin e BE-së, konferencave dhe samiteve, madje edhe një çështje si shfuqizimi i regjimit pa viza, është jashtë çdo lloj logjike. Mirë që BE-ja na bëri të jetojmë me ndjenjën e vlerësimit të ulët, por veç kësaj po mbështet paragjykimin te qytetarët e saj për ne që jetojmë ne Ballkanin Perëndimor. E kështu i fuqizon fuqitë e veta ksenofobike dhe regresive, të cilat nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me vlerat evropiane, plotësimin e të cilave BE-ja e kërkon prej nesh.
Nuk duhet të na dërgojnë Ursulla fon der Llajen, ashtu siç më parë herë pas here na i dërgonin Junkerin dhe Baroson që të na thonë se BE-ja na do. Po ne kemi 30 vjet që jetojmë dhe shpresojmë për këtë Bashkim Evropian e besojmë në vlerat evropiane të barazisë, drejtësisë, mirëqenies. Neve na kaloi e gjithë jeta në besimin për Evropën e bashkuar. Nuk pushuam së besuari në vlerat evropiane. Megjithatë, prej kohësh kemi pushuar së besuari se idealet evropiane me të vërtetë ia vlejnë të respektohen dhe të praktikohen nga shtetet e Bashkimit Evropian. Këtë e ndjejmë të gjithë në lëkurën tonë.

Po, gjysma e popullit tashmë është shpërngulur. Dikush me pasaportë bullgare, dikush me martesë, njëri legalisht, tjetri ilegalisht, njerëzit e Ballkanit Perëndimor tashmë janë në BE. E ndërkohë, hapësira ekonomike mes nesh evropianëve të këtushëm dhe atyre evropianëve të atjeshëm vetëm rritet dhe nga viti në vit do të bëhet gjithnjë e më e madhe.

Nuk mund ta kuptoj se si nuk është në interesin e tyre që ky territor në zemrën e Evropës të jetë stabil dhe i zhvilluar. Cili është kuptimi i mbajtjes së gjithë këtij territori në izolim? Ky izolim do të thotë jostabilitet. Dhe ja, edhe nëse nisen nga arsye vetjake, vallë duan jostabilitet në mes të Evropës, në vetë kufijtë e tyre, në shekullin 21? Nëse ky është zhvillimi i planifikuar i Bashkimit evropian, të na mbajë jostabilë, atëherë do të duhet të kërkojmë çare.

Ne, “egërsirat” e Ballkanit Perëndimor duam të jetojmë në paqe, demokraci dhe mirëqenie.

3 Çfarë kujtojnë partitë, si ato të qeverisë, si të opozitës, kur premtojnë kodra e fusha ne fushatën zgjedhore? Ku kemi jetuar ne deri dje? Në komuna të tjera, në ndonjë shtet tjetër, në ndonjë planet tjetër? E përnjëherë, para zgjedhjeve jemi shpërngulur këtu, jemi zgjuar një mëngjes e nga bilbordet me fytyrat e fotoshopuara dhe spotet televizive do të besojmë se komuna jonë do të jetë më e mira në botë.
Partitë, si të qeverisë, si të opozitës, nuk i zbatojnë protokollet e kovidit nëpër tubime, e ne duhet t’u besojmë se do t’i plotësojnë të gjitha premtimet që i shpikin. E ndërkohë, askush nuk ka dhënë premtimin se çdo ditë do të mblidhen mbeturinat dhe do të pastrohet nga rrugët. Dhe atë dy herë në ditë, nëse nevojitet. U zhytën në fantazi, e nuk thanë se do të pastrojnë edhe të dielën, e edhe për festë.

Gjithçka që ata premtojnë nuk ka lidhje me atë që kanë bërë deri më tani. Nuk e kuptoj se si kujtojnë se dikush do t’i votojë vetëm sepse tani po ia asfaltojnë rrugën e cila për 4 vjet ka qenë e parregulluar. Kaq shumë i kanë ulur kriteret, saqë na prezantojnë si arritje edhe kryerjen e punës së përditshme për të cilën paguhen.

4 Branko Cërvenkovski ishte kryeministër dhe president i shtetit për pothuajse 13 vjet në fillimet e tranzicionit postkomunist. Në periudhën kur janë bërë të gjitha korruptimet nga të cilat ende po përpiqemi të dalim tani. Andaj Branko nuk mund të shajë të tashmen e sidomos jo perspektivat për të ardhmen e shtetit, a thua se ai nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për faktin se tani jemi kështu siç jemi. Kur flet ashtu siç fliste në ASHAM, duhet të kujtojë rolin dhe përgjegjësinë e tij.
Ndërsa Gjorge Ivanovi, i cili donte të krijojë gjendje lufte që të parandalojë ndryshimin e qeverisë pas zgjedhjeve legale dhe që falte kriminelët sipas listës partiake e cila e çoi pas demokracinë, nuk duhet as të fitojë shansin që të flasë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира