1 Në cilin kapitull të negociatave të BE qëndron detyrimi që të përshtatesh me ndjenjën dhe gjuhën kombëtare sipas kërkesave të ndonjë shteti anëtar? Për më tepër jo me atë se si ndjehesh tani, por me atë se si janë ndjerë paraardhësit e tu para 100 vjetësh, kur nuk kanë pasur shtet maqedonas dhe kanë qenë qytetarë të një shteti tjetër. Unë mendova se anëtarësimi në BE do të varej nga reformat në gjyqësi, nga respektimi i të drejtave njerëzore, nga qeverisja efikase e ligjeve, nga tregëtia e lirë, nga arsimi, shëndetësia, mjedisi jetësor…Por ja që, negociatat mundeshkan të pengohen edhe për shkak të ndjenjës kombëtare të para 100 vjetëve, e që për më tepër bëhet fjalë për një peceptim të huaj.
Domethënë, kjo na paska qenë puna. Bullgaria e mbron Bashkimin Evropian prej nesh. Nëse nuk do të ishin Bullgarët, Evropa do të vuante. Maqedonasit do ta kishin shkatërruar bashkimin e Evropës nëse nuk pranojnë se kanë rrënjë bullgare dhe nëse vetë nuk e mohojnë gjuhën që e flasin dhe në të cilën krijojnë prej shekujsh.
Nëse ndjenja kombëtare është kaq e rëndësishme për fillim të negociatave me BE, çfarë mesazhi po na dërgon Bashkimi Evropian? A janë bullgarët më punëtorë, vallë, se sa njerëzit e përkatësive të tjera etnike që gjithashtu duan të hyjnë në klub? Mos janë vallë ndonjë nënrasë, ndonjë komb i pastër, arianësh, ata? E pastaj, mërziten se na kujtojnë fashizmin. S’ka rëndësi. Ata ndjehen rehat në atë rol, sepse partnerët në BE ua miratojnë këtë gjë.
Nejse, bullgarët do të vënë veto për hyrjen e Maqedonisë në BE, ndërsa 26 shtetet e tjera do ta pranojnë veton. Nuk binkan dakord, por nuk mundeshkan asgjë pasi paskan konsenzus në klubin elitës. Le të më falin ata që nuk ndjehen bullgarë. Ata nuk meritojnë të hyjnë në BE.
2 Në fund të fundit, shumë më bëhet vonë se çfarë kanë deklaruar Rumen Radev, Ekaterina Zaharieva dhe Krasimir Karakaçanov. Problemi është se Bashkimi Evropian, ku vazhdojmë të shohim një lloj modeli dhe shembulli të demokracisë, qeverisje të mirë dhe mirëqenie legjitimon praktikën e një shteti të kërkojë një shtet tjetër dhe t’i kërkojë një populli të tërë të heqë dorë nga identiteti i tij.
Me të vërtetë nuk e kam të qartë se për çfarë diskutojnë ekipet e dy shteteve? Për shembull, çfarë do të thotë fraza: “është bërë një përparim i caktuar”? Apo “janë bërë disa anashkalime”? Çfarë anashaklimesh? Për çfarë duhet të negociojmë këtu? Nga se duhet të heqim dorë? Çfarë është më e rëndësishme – Çfarë ka të bëjë kjo me të ardhmen tonë? Çfarë ka të bëjë kjo me përhapjen e Evropës, me stabilitetin rajonal dhe me proseritetin e Ballkanit?
Zoran Zaevi mund të jetë optimist sa të dojë, kurse Bujar Osmani mund ta ulë topin gjithë kohës, por nëse Bashkimi Evropian nuk na do vetëm për faktin se jemi maqedonas dhe se flasim gjuhë maqedonase, atëherë me të vërtetë nuk e di se pse do të duhej të shqetësoheshim kaq shumë se çfarë kanë deklaruar Radevi dhe Zaharieva. Ata që pranuan se kanë rrënjë bullgare nxorën pasaporta bullgare. Tashmë ndodhen në BE: Nëse duan mund të votojnë në zgjedhjet e atjeshme, e madje edhe të kandidohen dhe të drejtojnë atje politikën. Por uroj që ne që kemi mbetur këtu nuk do ta harxhojmë gjithë jetën duke iu vërtetuar bullgarëve se kush jemi e çfarë gjuhe flasim.
Ndodhemi në NATO. Vallë, i ka hije një shteti anëtarë të NATO-s ta humbasë kohën në biseda të kota në lidhje me DNK dhe atë se të kujt na qenkan këngët popullore. Jemi shumë të barabartë me bullgarët dhe NATO-n. Nëse dikush i sulmon ata, ne si një partner NATO-s do të shkojmë t’i mbrojmë. Dhashtë Zoti të mos na sulmojë dikush ne. Do të vijnë ata të na mbrojnlë, e përsëri do të na okupojnë.
3 Me të vërtetë nuk e di se çfarë tjetër shpreson Zaevi nga Bullgaria? Do të shkojë të përqafohet, vallë, me Bojko Borisovin? Si mund ta përqafosh dikë që të rreh, e ndërkohë shokët e Evropës bëjnë sehir.
A thanë bullgarët “jo” për Maqedoninë pasi “në këtë etapë nuk mund të thonë “po”? Thanë. A thanë Bullgarët “Jo”! për përhapjen e BE? Thanë? Nëse BE lejon të hapen debatet për identitet, vetëpërcaktim dhe histori, jo vetëm që nuk do të ketë përhapje, por do të cënohet dhe parimi kyç mbi të cilin bazohet ideja për Evropë të bashkuar dhe të lirë të ndërtuar në themelet e antifashizmit.
A duhet të justifikohet vetoja e BE? Apo mund të shpikin arsye pafund për veto, qofshin edhe budallenj? A ka BE problem me veton e Bullgarisë. Jo. Kemi ne. Nëse është kështu, atëherë le të kërkojmë zgjidhje, të hapim diskutim, të shohim si do të jetojmë jashtë klubit.
Udhëto Evropë, mos na prit. Do të vijmë kur Bullgaria të jetë gati për të thënë “po”. Dovizhdane.
4 Presidenti bullgar Radev thotë se “nuk mund të japë legjitimacion evropian për urrejtjen ndaj Bullgarisë”. Mirë atëherë, të fillojmë t’i duam me zor.
Fakti se cari i tyre dhe qeveria në Luftën e dytë botërore ishin bashkëpunues së Gjermanisë fashiste dhe si okupatorë kryenin bullgarizim të dhunshëm në këto hapësira, nuk i ndalon njerëzit nga të dy anët e kufijve të duhen, të takohem, të bëjnë biznese, të shkojnë në skijim, në pushim veror, në mjekime, dasma, pagëzime, varrime…Siç kalon koha, siç vdesin partizanët dhe bashkëkohorët e administratës fashiste bullgare, hapet mundësia për marrëdhënie të reja, për bashkëpunim, ardhmëri, madje edhe për dashuri.
Kanë kaluar 80 vjet që atëherë kur ndoshta s’jemi dashuri siç duhet. Por ja, kemi Marrëveshje miqësie, të nënshkruar para tre vjetëve. Aty thuhet gjithçka. Paskan ardhur gjenerata të reja dhe Marrëveshja jep mundësi për fillim të ri. Por, vetoja nuk është tamam fillim i mirë për lidhje dashurie.
5 A ju kujtohet se në çfarë u shndërrua VMRO-DPMNE kur Greqia na vuri veto për NATO-n në Bukuresht në vitin 2008? Mua nuk më shqetëson kaq shumë vetoja e Bullgarisë sa më shqetëson se tani LSDM do të shndërrohet në VMRO-DPMNE.
Shikoni se çfarë po ndodh tani, në mes të një krize shëndetësore, kur nëpër spitale nuk ka më vende të lira, kur vjen një dimër i papritur, njerëzit mbesin pa punë, kompanitë nuk kanë para për ta ndarë rrogën…ndërsa LSDM dhe BDI gjejnë kohë që t’i organizojnë kuadrot – unë për ty këtë vend drejtori, ndërsa ti mua atë. Deri dje kjo ishte e LSDM, tani duhet të jetë e BDI-së. Deri tani udhëhiqte një shqiptar, tani le të udhëheqë pak një maqedonas. Këtu mund të vjedhë, aty s’ka nga të vjedhë. Aty do t’iu japë tenderë tanëve, e atje do të mund të punësojë prej tanëve.
Kur BDI fitoi 15 vende deputetësh, u hapën shumë vende drejtorie, por nuk mund të mbushin asnjëerin. Po ç’të bësh? Për të pasur paqe në shtëpi dikë, dikujt do t’ia ndryshojnë vendin, dikë do ta ngrenë në detyrë, dikë do ta punësojnë.
Vendi i drejtorit joekzekutiv me sa duket merret shumë sipas meritës, e kuadrot ndërrohen me sistem rotacioni. Hajde tani, ju që deri më sot merrnit rroga pa paunuar, pushoni. Le të vijë grupi tjetër. Si e gjeti vetëm aty vendin ministresha e financave Nina Angellovska? Pse ta harxhojë kohën me rrogë fikse kur ka një firmë të suksesshme?
Në mënyrë që të jesh drejtor joekzekutiv i Telekomit duhet të kesh një karrierë të pasur. A ka ndonjë më adekuat se sa Sadulla Duraku i BDI-së, i cili ishte arsimuar në Likovë. E pastaj qe komandant Ventili. Pastaj zëvendës-drejtor i Doganës. Pastaj ministër i agrikulturës. Pastaj deputet. Pastaj kryetar i Komunës së Likovës. Pastaj drejtor i Agjencisë për zhvillim dhe investime. Pastaj ministër i mjedisit jetësor. Pastaj zëvendës i sistemit politik. Me këtë personalitet të gjithanshëm si Sadullau në parti, nuk e di se pse BDI kishte problem të gjejë kandidat për kryministër në fushatë. Për më tepër që di dhe internet eksplorer.
Përktheu: Fjolla Zllatku