1Ky revolucion i larmë doli super. Manifestim i bukur kulturoro-argëtues që po zgjat tanimë mbi 40 ditë. Çatalli është super inovacion. Pothuaj një shpikje po aq e mirë revolucionere dhe po aq efektive sa dhe druri i gdhendur në fillimin e shekullit që e festojmë si Topin e qershisë (Creshovo Topçe). Dhe bluzat me fytyrat e prokuroreve speciale janë super. Dhe rrugët duken më bukur kur janë të ngjyrosura. Edhe muzika është super. Edhe atmosfera është super…njëri me fëmijë, tjetri me qenin e vet…Gëzim. Argëtim…
E ndërsa demonstruesit po rrënojnë regjimin me performansa artistike çdo ditë në orën gjashtë, njeriu i parë i regjimit, ish kryeministri dhe lideri i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, u paraqit me një mega intervistë në disa episoda, në mënyrë që të zgjasë dhe të jetë në lajme çdo ditë. Në atë intervistë Gruevski tha që mbledhjet e atyre që e kanë organizuar Revolucionin e larmë ngjajnë me seanca të ndonjë sekte. Dhe se nuk i besohej kur i thonin që në ato seanca sektarët hidheshin mbi programin e partisë së tij. Dhe se i kishin detyruar të thërrasin njëzëri: “Kjo qeveri nuk bën”.
Dhe pastaj, artistët e Revolucionit të larmë filluan me të vërtetë të hidhen mbi programin e VMRO-DPMNE. Për më tepër, tallen me ish kryeministrin. Sepse, për dallim nga ai, ata kanë sens humori. Dhe shpikin ide të reja, performansa artistike gjithmonë më të reja dhe më të bukura për rrënimin e regjimit.
Qeshni, qeshni…Edhe unë për vete kujtoj se kam sens humori, por nuk e kemi punën për të qeshur. Gjëja e ardhme që do të bëjë Gruevski është t’i ndalojë këta “sektarë” që kërcejnë mbi programin e tij. A nuk besoni? Epo, mos besoni, por me këtë intervistë Gruevski e lajmëroi edhe atë hap. Vetëm datën nuk e tregoi, por edhe ajo mund të parashikohet. Futuni në Google dhe kërkoni se çfarë ka ndodhur pas çdo fjalimi dramatik e festiv të Gruevskit pas çdonjërit nga të cilët, intervista është emetuar njëqind herë. Gjithçka që ka lajmëruar e ka realizuar.
Përderisa qeshni dhe i ngjyrosni rrugët, një ligj për ndalim të “sektarëve” do të jetë sjellë. Vendimi për këtë është marrë akoma para se ta lënë Aleksandar Pandovin në tubim të lëvizjes GDOM të kërkojë ndalimin e organizatave joqeveritare. Ligji tashmë mund të jetë shkruar. Dhe nuk është aspak e rëndësishme se a janë shembujt që Gruevski jep nëpër intervista qesharakë apo seriozë dhe se me çfarë justifikimi do t’a kalojë në Parlament propozimin e ligjit.
Seriozisht, pse nuk i besoni Gruevskit? Pse nuk besonit se Gjyqi Kushtetues mund të sillte gjykim që t’i lejojë presidentit të falë çdolloj krimineli? Thoshit me vete që kjo ishte e pamundur, apo jo? Pse nuk besonit që Gjorge Ivanovi do të shfrytëzonte atë të drejtë me gjithë kapacitetin e tij intelektual? Ju të paktën këtu jeni, nuk jeni një Johanes Han që nuk do të mund të besonte që diçka e tillë mund të ndodhë, e të çuditet se si bëhet që ta gënjejë një president. Pse nuk besoni që ministri i punëve të brendshme Mitko Çavkov, do të thërriste në bisedat informative për pjesëmarrje në protesta sepse policia e tij i incizon demonstruesit?
Nuk besonit as në Shkupin 2014, e tani po e ngjyrosni.
Dhe pse mendoni që Gruevski është qesharak kur lajmëron ndalim të organizatave joqeveritare për të cilat i kanë thënë se sillen në mënyrë të çuditshme? Nuk është aspak qesharak. Ai ka fuqinë. Ai mban në dorë gjithë sistemin. Nga Gjyqi Kushtetues deri tek pastrueset e shkollave fillore. Dhe nuk pashë që dikush nga ky sistem gjatë tëre këtyre 40 ditëve të refuzojë t’i bindet.
Përfundimisht, vallë mendoni që nuk do të guxojë të bëjë atë sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do t’ia lejojë? Kurse faljet ia lejuan, apo? Ja ku kaluan dy muaj e gjysmë, e ai deri dje bënte pazar me SHBA dhe BE që Gjole pjesërisht të shfuqizonte vendimin për falje. Poashtu, do të bëjë pazar dhe për heqjen e ndalimit të joqeveritareve. Kur koha blihet, çdo ditë është e vyer.
Kështu që, puna nuk është as për të qeshur. Me të thënë të drejtën, nuk është as për të qarë. Është për t’ia pasur frikën.
2 Paramendoni sikur nuk jetoni në Maqedoni, ku secili njeh secilin dhe secili për secilin ka diçka për të thënë. Paramendoni sikur nuk e dini se kush janë Uranija Pirovska, Gordan Kallaxhiev dhe Mirjana Najçevska.
Vini nga diku dhe lexoni lajm që policia i ka thërritur në bisedë informative liderët e Komitetit për të drejta të njeriut të Helsinkit. Përsëris, nuk po flasim për ndonjë Uranija, Gordan apo Mirjana. Po flasim për liderë dhe aktivistë të një organizate ndërkombëtare me renome e cila lufton për mbrojtjen e të drejtave humane. E këta aktivistë janë thërritur në stacionin policor në bisedë informative se paskan hedhur mbeturina gjatë protestave.
Çfarë do të mendonit për këtë shtet kur do të lexonit një lajm të këtillë? Sigurisht që është shtet kandidat për BE.
3 Më intereson shumë se çfarë kanë menduar ata të Misionit të Bashkimit Evropian në Shkup kur kanë vendosur që në po të njejtën tavolinë të ulen organizatat joqeveritare, që protestojnë kundër qeverisë dhe organizata joqeveritare GDOM, që proteston për mbështetje të qeverisë dhe kundër oganizatave të tjera joqeveritare.
Para vetëm një viti, Aleksandar Pandov nga kontraprotesta e GDOM në Shkup, kërkoi që Gjyqi Kushtetues t’i ndalojë organizatat joqeveritare dhe t’a shuajë shoqërinë civile, dhe atë misioni i BE në Shkup e ftoi në debat. Këtë kërkesë Pandovi e tha publikisht, në transmetim televiziv. Pastaj, dhe njëherë publikisht, anëtarë të tjerë të GDOM kërkonin plumba gome, kurse disa dhe plumba të vërtetë për demonstruesit e Protestoj dhe thirrnin për linç të aktivistëve të sektorit civil antiqqeveritar.
Jam shumë i interesuar të di nëse Holanda, si kryesues i BE, edhe në shtetin e saj do të zgjidhte krizë me negociata me organizata ekstreme të djathta që publikisht kërkojnë ndalim të lirisë së të shprehurit dhe vdekje për të gjithë ata që protestojnë dhe mendojnë ndryshe.
Më intereson të di edhe atë se si ambasadori i BE në Maqedonisë, Aivo Orav e ka paramenduar ngjarjen ku 40 organizata civile do të duhet të aktrojnë normalitet e të debatojnë bashkë me xhelatin e tyre. Mos vallë sipas BE, kërkesa e GDOM për ndalim të atyre 40 organizatave civile është po aq legjitime sa dhe ekzistenca e tyre? Mos vallë në demokraci, e drejta për protestë kundër pushtetit është njësoj si e drejta e ekstremistëve proqeveritarë të të vrasin për këtë shkak?
4 Realisht, debati është super gjë dhe ndihmon për përforcimin e kapaciteteve demokratike dhe krijimin e një shoqërie të shëndoshë. Për shembull, në Norvegji dhe Suedi ndihmon jashtëzakonisht shumë.
Ama, ja si do të dukej në Maqedoni debati i organizuar nga BE ku do të mernin pjesë organizatat civile, të cilat një vit e gjysmë protestojnë kundër regjimit të kësaj qeverie dhe organizata, e cila publikisht deklaron që do t’i zhdukë ata me të cilët duhet të debatojë.
Do të ulen një pale në një anë, pala tjetër në anën tjetër, mes tyre do të fotografohen ambasadorët e BE. Secila palë do t’i thotë argumentet e saj, qëndrimet pro dhe kundër. Do të ketë diskutim të nxehtë, në mënyrën më demokratike, me fuqinë e argumenteve. Në fund, misioni i BE do të lajmërojë që përshëndet debatin që shkon drejt dialogut. Dhe kështu, në mënyrën më evropiane të mundur, debati do të mbarojë.
Kur të dalin jashtë, organizatat civile antiqeveritare më nuk do jenë legale. Ndërsa ata nën patronatin e BE kanë debatuar me GDOM për të përforcuar kapacitetet demokratike, Qeveria ka sjellë ligjin, Parlamenti e ka miratuar, Presidenti e ka nënshkruar, kurse Gjyqi Kushtetues ka konfirmuar se ekzistenca e organizatave civile dhe joqeveritare që protestojnë kundër pushtetit janë jolegale. Qeveria do t’ua bllokojë llogaritë, ndërsa anëtarët do t’i dënojë së paku me paraburgim shtëpiak, përderisa gjyqi do t’i shtyjë afatet deri në pafundësi.
BE dhe SHBA në komunikatë të përbashkët do të shprehin “shqetësim ekstrem” dhe do t’i bëjnë thirrje Qeverisë urgjentisht ta tërheqë ligjin për ndalim të OJQ. Qeveria do të shprehë mirëkuptim për shqetësimin e BE dhe do të thotë që dhe ajo në mënyrë të devotshme e mbështet sektorin civil dhe nuk është dakord me ligjin, por duhet ta respektojë sepse Parlamenti e ka sjellë dhe Gjyqi Kushtetues e ka konfirmuar. Populli ashtu ka vendosur.
Në ndërkohë, GDOM, të cilën BE e ka pranuar si përfaqësues legjitim të interesave civile legjitime, do të bëjë lista gjithmonë e më të gjata të armiqve të Maqedonisë, korrierët në mënyrë ekskluzive do të zbulojnë se kush është në listë dhe do të citojnë njëri tjetrin, përfaqësuesit më të dalluar të GDOM do të kërkojnë pllaka betoni dhe në televizionin nacional me gozhda do t’i shpojnë kokat e atyre që mendojnë ndryshe, ndërsa policia dhe gjyqet do të punojnë në tre turne për thirrje të bisedave informative, për shpalljen e gjobave dhe zgjatjen e paraburgimeve.
Çfarë nuk është e qartë tani në lidhje me debatin?
Dhe pse qeshni me Gruevskin dhe intervistën e tij? Unë pres vazhdimin e ri. Që të zbulojmë se cili ambasador do të shpallet persona non grata.