FËSHFËRIN MOLIKA

Pse të pastrojmë nëse nuk na vijnë mysafirë?

1 Domethënë, mundeshka. Nuk paska qenë aq e komplikuar të kositen bari dhe kaçuba rreth rrugës nga Aeroporti i Shkupit deri te salla “Boris Trajkovski” ku mbahej Këshilli ministror i OSBE-së. U gjend edhe kompetenti që menaxhon ndriçimin e rrugës, e të paktën rrugët kryesore u ndriçuan. Edhe kontejnerët në rrugëcën nëpër të cilën kalonin delegacionet e huaja u zbrazën. Ndodhi madje ajo e paimagjinueshmja. Policia nuk lejonte të parkohen makina në korsinë e parë të bulavardeve ndërkohë që shoferët pijnë kafe.
Gjithnjë e kam pyetur veten nëse politikanëve dhe drejtorëve që janë vendosur për të mbajtur rend dhe higjienë u pengojnë mbeturinat nëpër rrugë, parkingje, rrugica dhe parqe? Pikë së pari, a i vënë re ato? Si e kanë gjendjen në shtëpi dhe në punë? A pastrojnë çdo ditë, apo vetëm kur vijnë mysafirë?

Të paktën tani e dimë se janë të vetëdijshëm për faktin se është turp që jetojmë në mes të mbeturinave. Por nuk u pengojnë mbeturinat, derisa dikush nga jashtë nuk u thotë se duhet t’u pengojë. Më shumë e respektojnë Blinkenin dhe Llavrovin sesa bashkëqytetarët e tyre. Më nxjerr prej takti fraza “do të tregojmë një fotografi të shëmtuar para turistëve”. Po ne që jetojmë brenda kësaj fotografie të shëmtuar – për këtë s’ka gjë. Më shumë u shqetësuan se si do të shfaqen para shtatëdhjetë delegacioneve që erdhën në takimin e OSBE-së, sesa para nesh që ua mbulojmë rrogat dhe harxhimet e rrugës.

Po neve këtu që nuk na bëjnë as nder, as rrugët nuk i pastrojnë, as dritat nuk i ndezin, as rrugën nuk e ndërtojnë, as autobusat dhe trenat nuk i lëshojnë, as libra shkollorë nuk shtypin. Ne jemi këtu vetëm për t’i votuar.

2 Ashtu siç neve këtu nuk na pengojnë mbeturinat, por u pengojnë të huajve, e herë pas here edhe ambasadorët dalin të na pastrojnë parqet, ashtu nuk na pengojnë as funksionarët tanë të korruptuar, por të huajve, po.
Dhe tani, që kur Amerika na vuri tre-katër politikanë dhe biznesmenë të profileve të larta në listën e saj të zezë, edhe Qeveria jonë do të bëka ndryshime ligjore për ata që janë nën sanksione të SHBA-së, BE-së apo OKB-së, që të mos mund të bëhen funksionarë politikë apo të punësohen në administratë.

Që kur Qeveria propozoi, ndërsa Kuvendi miratoi ndryshime ligjore me të cilat të akuzuarit për korrupsion me procedurë të shpejtë e me flamur evropian, i liroi nga përndjekja penale dhe ua vjetëroi veprat, tani do të sjellë ndryshime të reja ligjore me të cilat të çliruarit nga krimi nuk do të mund të jenë funksionarë. Pse? Sepse janë në listën e zezë të SHBA-së.

Zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska tha se do të duhet të bëhen ndryshime me të cilat “nëse ndonjë funksionari, i cili për momentin është në pozitë që t’i shqiptohet një sanksion i tillë, mandati do t’i ndërpritet menjëherë”. Epo, kryetari i Strugës Ramis Merko është në listën e zezë të SHBA-së, por qeveria e shpëtoi sepse me ndryshimet në kodin penal u vjetëruan 15 hetime kundër tij.

Gërkovska thotë se “të sjellurit sikur nuk ka ndodhur asgjë pas sanksioneve të tilla e rrënon besimin tek institucionet”.

Se sjellja e ligjit për amnestimin e funksionarëve dhe bartësve të funksioneve të larta që kanë vjedhur nga paratë e popullit nuk e rrënon besimin te institucionet. Sidomos besimin te Qeveria që i propozoi ndryshimet, te Kuvendi që i votoi dhe te funksionarët që janë amnistuar.

Domethënë, tani do të sjellim ligj të ri me të cilin duhet të mbrohemi nga ajo që politikanët dhe partitë të caktojnë vjedhës tashmë me eksperiencë për pozicione të larta. Amerika tashmë po mbrohet prej tyre. Ndërsa neve jo vetëm që nuk na pengojnë. Por edhe do t’u paguajmë dëmshpërmblim sepse shteti i ka përndjekur sepse na kanë vjedhur.

Kur do të ndërrojmë Kushtetutën për bullgarët, pse jo, me një harxh ta shtojmë edhe këtë me listat e zeza amerikane. Kushtetuta e tanishme nuk ndalon dikë të që merret me politikë nëse është nën sanksionet e huaja. Do të padisin për diskriminim. Dhe edhe për atë do të duhet t’u paguajmë dëmshpërblim.

3Sipas të njëjtës formulë vepron edhe kryetari i Këshillit gjyqësor Sashko Georgiev, i cili thotë se “nëse misioni vlerësues i Bashkimit Evropian konkludoi se Këshilli gjyqësor duhet të shpërbëhet, ata do ta respektojnë vendimin”. Thotë dhe se do ta respektojë rekomandimin “e faktorit relevant”.
A thua se ligjet tona dhe ne që ua punojmë rrogën nuk jami relevantë. Se nuk është e rëndësishme ajo se çfarë opinioni publik mendon për Këshillin gjyqësor kur shkel ligje për të mbrojtur krimin dhe padrejtësinë, por me rëndësi është e rëndësishme se çfarë do të thotë BE-ja.

Gjyqësia e korruptuar në krye me Këshillin gjyqësor na i shkatërron jetën neve. Jo qytetarëve të BE-së.

4 Qeveritë nuk kanë as frikë, as turp, as nga të huajt, as prej nesh. Ato vetëm bëjnë imitim të qeverisjes. Demek, ja, diçka të huajt na kritikojnë, e ne gjoja bëjmë diçka.
Se sa me të vërtetë u intereson për interesin publik, ja një krahasim historik:

Parku nacional i Pelisterit u shpall me ligj të miratuar nga Prezidiumi i Republikës popullore të Maqedonisë më 30 nëntor 1948, si pasuria e parë e mbrojtur natyrore në Maqedoni.

Domethënë – viti 1948. Tre vjet pas Luftës së dytë botërore, në një shtet të shkatërruar, kur me zor kishte rrymë, ujë dhe kanalizim, me një popullësi të madhe analfabete, shteti shpall park nacional dhe mbron pasuri natyrore.

Saktësisht 75 vjet më vonë, thuajse në datën e njëjtë – 29 nëntor 2023, nga parku nacional Pelister janë prerë 165 trungje nga pisha endemike molika dhe bredha. Policia e Manastirit ka ngritur padi penale kundër gjashtë vetave, mes të cilëve edhe kundër drejtorit të Parkut dhe kryetarit të Bordit drejtues.

Ja, kjo është fotografia e Maqedonisë bashkëkohore, shtet anëtar i NATO-s, kandidat serioz për BE dhe kryesues i suksesshëm i OSBE-së.

Fëshfërin molika, por fëshfërijnë edhe paratë.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира