FIKE RRYMËN

Le t'vijë jeta.

1 Kjo puna e LSDM-së me planin për ta kthyer ligjërisht reklamimin shtetëror në mediat private, gjë që do të bëjë që mbi 4 milionë euro nga buxheti i përbërë prej parave tona të shkojnë në pesë televizione nacionale, më kujton një sekuencë nga bisedat e përgjuara që i publikonte Zoran Zaevi. Martin Protogjer, njeriu i parë i Nikolla Gruevkit dhe shefi i kontrollit ideologjik, i lajmërohet shefit të Kanal 5-ës Emill Stojmenov dhe i thotë që emisionin që nuk i pëlqen ta lëshojnë me pengesa, e shefi në mënyrë edhe më radikale i përgjigjet: “Unë madje mendoja ta fik rrymën fare”. E Martini në mënyrë të këndshme i sugjeron “Jo, ore, jo. Le të lëshohet me pengesa, me tonalitet të ulët, që të mos mund të shohin e të detyrohen ta ndërrojnë kanalin.”

Vetëm pesë vjet kaluan që kur habiteshin se Qeveria e Gruevskit ka harxhuar 38 milionë euro nga 2009 deri në 2015 për fushatat qeveritare. Më së shumti kanë shkuar në Sitel dhe Kanal 5. Aso kohe nga LSDM-ja qanin për shkak se ua fiknin rrymën dhe i bënin pengesa në program. Tani do të donin ta fiknin. Se, ish i vogël dëmi që bëri VMRO-DPME-ja me blerjen e mediave, e tani LSDM-ja do të bëjë dëm më të madh. Që të mbeten në pushtet do të shtrihen edhe me xhetalin në një shtrat. Me të gjithë ata që morën pjesë në ligësitë e pushtetit, merrnin para nga Qeveria që të luftojnë ata që nuk mendojnë njësoj, që bënin thirrje për mobilizim në mbrojtje të Gruevskit dhe bandës së tij, që fshihnin ngjarje të cilat qeveria nuk donte të publikoheshin, ngjitnin thonjtë në fytyrat e kundërshtarëve politikë e kërcënoheshin me pllaka varri.

Tani në LSDM thonë se u duhen shumë televizionet. E për ç’u duhen? Mjafton vetëm të mos vjedhin dhe të punojnë mirë dhe nuk do të kenë nevojë që me paratë tona të blejnë dashuri dhe mirëkuptim mediatik.

Po shërbimin publik RTVM përse nuk e rregullojnë? Për pesë vjet harruan se ekziston, e shkatërruan. Po Makedonsko radio, po njëqind e treshi? Ajo që duhej të ishte pasuri kulturore nacionale e lanë mënjanë, që t’u japin televizioneve private.

Projekt të madh kanë shpikur. U duheshkan televizionet në mënyrë që të kenë se ku t’i lëshojnë fushatat publike. Ore, jo…U duhen që t’i blejnë shefat, që ata t’i urdhërojnë gazetarët se çfarë mund të publikohet e çfarë jo. Gazetarët analfabetë dhe të pakualifikuar do t’u tremben, gazetarët e arsimuar dhe profesionalë do të heshtin që të mos e humbin punën.

S’u bëhet vonë fare për interesin publik. Ata shefa për njëmbëdhjetë vjet i shërbenin VMRO-DPMNE-së. Tani do t’i shërbejnë LSDM-së. E nëse vjen në rend, sërish do t’i shërbejnë VMRO-DPMNE-së. Për ta nuk ka rëndësi përgjegjësia kundrejt njerëzve, por ajo se si të mund të lundrojnë jahtat.

Shumë të mira i kanë planet LSDM-ja që ta mbajnë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Por për këto pesë-gjashtë vjet nuk kanë shpikur diçka të re. Ende kopjojnë nga shënimet e Nikolla Gruevskit.

Epo, prapë nuk do të ketë rrymë, të dashur shikues.

2 Ndërkohë që Qeveria mendon se si të harxhojë 5 milionë euro nga buxheti që të blejnë dashuri nga televizionet, shpikën edhe se si të ulin numrin e studentëve përdorues të vaktit të subvencionuar. Mirë, që u shtrenjtua vakti i subvencionuar është e kuptueshme, sepse hipën të gjitha çmimet. Por kanë menduar edhe se si t’i mprehin kriteret e shpikën që vaktin e subvencionuar të mos e kenë shfrytëzuesit e bursave dhe ata studentë që në familje kanë anëtarë me rrogë minimale. E kush duhet të shfrytëzojë ushqimin e subvanecionuar, nëse jo ata që kanë rrogë minimale dhe ata që në familje nuk kanë asnjë lloj rroge?
Ndonjëherë mendoj se dikush po i saboton këta të LSDM-së. Se VMRO-DPMNE-ja u shpik zgjidhje budallalleske dhe përmes disa kanaleve të fshehta ua dërgon nëpër kabinete, e këta që janë dembelë, pa u lexuar, i lëshojnë në procedurë. Të tregohet se po punohet diçka. Të vihet në Facebook. Të na bëjnë Like nga shtabet.

Apo qeveria ka humbur krejtësisht kontakt me realitetin. Si mund të shpjegohet ndryshe fakti se në mes të një krize botërore, një farë qeverie socialdemokratike ka vendosur të kursejë mu te studentët. Dhe atë te ushqimi. E për më tepër te ushqimi i studentëve më të varfër.

3 Fatmirësisht presidenti i shtetit Stevo Pendarovski ka kontakt me realitetin, kur thotë se nuk do ta kishte lënë djalin e tij të jetojë në kovikt. Në një intervistë me TV24, tha se “kushtet në konviktin studentor Stiv Naimov ishin të mjerueshme që para 25 vjetësh dhe nuk shoh se diçka esenciale ka ndryshuar”.
Po kushtet e konvikteve mund të ndryshohen, vallë, vetë? Apo vetëm me të parët nga afër?

Stevo Pendarovski sërish harroi se është president. Po, vërtetë, ai si shef i shtetit nuk ka përgjegjësi për konviktet studentore. Por, Stevo Pendarovski i sotëm nuk është Stevo Pendarovski i njëjtë si para 25 vjetësh. Dallimi i vogël është se tani ai është president i shtetit. Në fund të fundit, nuk më intereson se çfarë do të konstatojë ndonjë farë qytetari Stevo Pendarovski për kushtet e konvikteve. Nuk më intereson as se çfarë mendon presidenti Stevo Pendarovski për temën e njëjtë. Me intereson se çfarë bën që të jetë më mirë.

4 Njësoj si ministri i shëndetësisë Bekim Sali, i cili ka konstatuar se nuk ka ilaçe për të sëmurët nga kanceri, por nuk e di se kur do të blihen sepse nuk i ka blerë ai. Të operuarit dhe ata që kanë kaluar kimioterapinë dhe rrezatimin nuk marrin imunoterapi prej më shumë se dy muajsh.
“Sigurisht, nuk pritet që pacientët të blejnë terapinë për vete. Shteti, gjegjësisht Kilinika duhet të shqetësohet për furnizimin në kohë, por unë jam optimist dhe pres që të tejkalohen këto pengesa”, tha ministri Sali.

Ç’shpresë u ka dhënë njerëzve ministri i shëndetësisë! Boll kanë sëmundjen e mundimshme me të cilën duhet të luftojnë, boll mundimet në Onkologji dhe pasigurinë e asaj se kur do ta marrin ilaçin, se ku të kërkojnë lidhje e se kujt t’i paguajnë ryshfet, saqë tani duhet ta durojnë edhe optimizmin e ministrit.

5 Jo, ore, jo. Le të lëshohet me pengesa, me tonalitet të ulët, që të mos mund të shohin e të detyrohen ta ndërrojnë kanalin.

Ore, fike rrymën aty.

Le të vijë jeta.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира