FOTOGRAFI PËR FACEBOOK

Partizanët po na rrotullohen në varr me një shpejtësi aq të madhe saqë mund të prodhojmë rrymë prej tyre.

1 Samiti i fundit i shteteve të Ballkanit Perëndimor në suazat e iniciativës gjermane Procesi i Berlinit do të më mbetet në kujtesë për nga fotografia e ministrit të punëve të jashtme Bujar Osmani, teksa ecën dalngadalë nëprë shiun e Berlini me pantallonat ngjyrë të hapur. Sa bukur që i shkojnë rrugët e Berlinit në fotografinë që postoi në Facebook. Nuk është se nuk besoj në Bashkimin Evropian. E gjithë karriera profesionale me shkoi duke besuar në BE. I besoj edhe qëllimet e sinqerta të Gjermanisë. Por të paktën, Berlini zyrtar e tregon me vepra politikën proaktive që të lehtësojë hyrjen e Ballkanit perëndimor në BE. Ama, jam lodhur. Më saktë, nuk jam as i lodhur. Thjesht, kur dëgjoj për herë të njëqindtë se si ndonjë lider evropian thotë se “Bashkimi evropian nuk është i kompletuar pa shtetet e Ballkanit Perëndimor”, më duhet përpjekje shumë e madhe që ta mirëmbaj entuziazmin për BE-në pas gjithë asaj që ndodh në realitet, ku pas çështjes së intergrimit të Maqedonisë, është Bullgaria ajo që po sundon me BE-në. Një shtet-anëtar mohon ekzistencën e kombit në fqinjësi e BE-ja këtë gjë e pranoi si kriter në procesin e zgjerimit. Është ky fakt që ma shteron entuziazmin.

Fjalia “BE-ja nuk është e kompletuar pa shtetet e Ballkanit Perëndimor” është diçka që e dëgjojmë edhe në Samitin e Selanikut të BE-së në qershor 2003. Kjo fjali rrotullohet që kur u promovua oficialisht si politika e BE-së në Samitin që e organizonte mu ai shtet-anëtar që më së shumti e frenonte procesin e integrimit të Maqedonisë në BE, për shkak të kontestit të çuditshëm lidhur me emrin, që në dhjetor të 2011 e humbi në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë, por nuk deshi ta zbatojë gjykimin.

Nejse, me Greqinë disi e rregulluam punën. Hymë në NATO, u kthye entuziazmi i BE-së. Mirë ama, tani Bullgarisë i erdhi radha që ta përdorë Bashkimin Evropian si një vegël të fuqishme për ta frenuar zhvillimin tonë. E këtë po e përdor në mënyrë mjaft të suksesshme. Partizanët po na rrotullohen në varr me një shpejtësi aq të madhe saqë mund të prodhojmë rrymë prej tyre.

Berlini në vitin 2014 e shpiku Procesin e Berlinit. Parisi këtë vit e shpiku Bashkësinë politike evropiane. Edhe sa Samite të Ballkanit Perëndimor dhe alternativa të BE-së do të dëgjojmë të na shpikin që të na mbajnë në formë ndërsa dëgjojmë premtimet për një të ardhme evropiane? Më kot do të jenë të gjitha ato fotografime për Facebook dhe Instagram, tuitime, shtrëngime duarsh me fjalinë njëqind herë të përsëritur se “BE-ja nuk është e kompletuar pa shtetet e Ballkanit Perëndimor”. Nga të gjitha premtimet, mbeti vetëm ndryshimi i Kushtetutës. Se ashtu e do Bullgaria.

2 Ndërkohë që Gjermanët në Berlin i gëzohen suksesit se i kanë bindur liderët e Ballkanit Perëndimor që të nënshkruajnë një marrëveshje për kalim më të lehtë të kufijve, në Sofje nuk mund të pushojnë së shpikur provokime të reja që do ta kishin penguar rrуgëtimin tonë drejt BE-së. Politikanët tanë të qeverisë kanë kujdes se si i presin Bullgarët se mos hidhërohen, e Bullgarët fare. E përcollën nënkryetaren Ilijana Jotova në Manastir në Ditën e çlirimit të qytetit nga fashizmi, që të hapte një qendër gjuetie për “traditat bullgare të gjuetisë nga car Samoli e deri më sot” e me shoqërimin e gardës të vizitonte varret e ushtarëve bullgarë nga Lufta e parë dhe e dytë botërore nëpër Mansatir dhe Prespë. Partizanët po na rrotullohen në varr me një shpejtësi aq të madhe saqë mund të prodhojmë rrymë prej tyre.

Ministria bullgare për punët e jashtme na paskësh qenë shumë e mërzitur për faktin se Kuvendi miratoi ligj me anë të të cilit ndalohet që shoqërive dhe fondacioneve t’u jepen emra të fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. E ne shqetësohemi se Bullgaria evropiane promovon shoqëri dhe klube me emra të fashistëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kurse Bashkimi Evropian thotë – Ju vetëm ndryshojeni Kushtetutën.

Nuk është problem që të ndryshojmë Kushtetutën. Ne ç’nuk kemi ndryshuar për atë BE të shkretë, e tani na paska qenë problem të Kushtetuta të ndryshohet për herë të njqindtë. Nëse duhet, do t’i numërojmë të gjithë qytetarët në Preambulë që janë deklaruar si bullgarë në regjistrimin e popullsisë me emër dhe mbiemër. A thua se kjo na qenka pengesa e fundit për të hyrë ne BE. Problemi është që në po atë çast që ne do ta ndryshojmë Kushtetutën, Bullgaria do të dalë me kërkesa të reja para BE-së, duke këmbëngulur në politikën e saj për mohimin e identitetit maqedonas. Për Bullgarinë Bashkimi Evoprian është shansi i fundit për ta realizuar atë që për shekuj me radhë nuk ka arritur ta realizojë me luftë, e këtë gjë do ta shfrytëzojë deri sa të mundet.

3 Deri më tani jam përballur me qindra akuza, reagime, kërkesa për tërhqeje të tekstit me padi publikim teksti, por këtë fundjavë për herë të parë më ndodhi që dikush të më kërkojë tërheqje të fotoreportimit. NP “Higjiena komunale” kërkoi që të tërhiqnim tekst me fotografi që dokumentojnë mbeturinat e shpërndara mu në qendër të kryeqytetit – Sheshin Maqedonia, në bulevardin e Vardarit dhe në zonën e këmbësorëve të rrugës Maqedonia. Na kërcënuan me padi nëse në afat prej 24 orësh nuk kërkojmë falje që ua kemi fotografuar mbeturinat që ata vetë nuk i kanë mbledhur nga qendra e Shkupit.
E ç’të shkurajmë aty? Se Shkupi nuk është i pastër? Apo se ne kemi kritere të tjera për atë se çfarë është e pastër e çfarë është e pistë, apo se në planetin kur jeton pushteti lokal, qendra e kryeqytetit tonë është shumë e pastër.

Epo hajde, t’ua bëjmë qejfin. Ne të kërkojmë falje se Shkupi është i pisët. Ne të kemi turp. Ngaqë ata s’kanë.

4 Gjatë gjithë fundjavës me padurim do të presim nëse lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do ta pranojë ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski që të shkojë në takim liderësh të caktuar për të hënën. Nëse shkon pse shkon, nësë nuk shkon, pse nuk shkon.
Kur fillon e bën kështu, e mediat me gjithë mend e seriozitet ia transmetojnë të gjitha deklaratat, më kujtohet se ky është po ai Hristijan Mickoski që para një viti vetë vetë publikoi në Facebook se si është shtrirë në tavolinën e operimit me një fllaster në të djathtë të qafës, e pas tij ishte ekipi mjekësor që i kishte hequr indin e dhjamit mu atë natë kur në Kuvend dështoi votimi i mosbesimit në Qeveri.

Kur më kujtohet kjo fotografi, përnjëherë kaplohem nga optimizmi për rezultatin e takimit të së hënës. Ç’lider e ç’takim liderësh.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира