FRONTI I SLLUPÇANIT

Hapi i radhës duhet të jetë të fillojmë të mjekohemi në bazë partiake, le të na falin të papërcaktuarit partiakisht.

1 EVN-ja, pas rrethimit dhe negociatave disavjeçare, e çau rezistencën e haraçinasve dhe arriti që të hyjë në fshat për ta modernizuar rrjetin. Por, Sllupçani i Kumanovës nuk dorëzohet. Në fshatin ku vidhet rrymë masivisht, banorët me ditë të tëra me bllokada nuk u lejojnë ekipeve të EVN-së t’i ndryshojnë matësit e rrymës. Kryetari i bashkësisë lokale Seladin Shaini ka thënë se banorët janë të gatshëm ta paguajnë borxhin ndaj EVN-së, por nuk duan të paguajnë interes në interes, kërkojnë të ulet çmimi i matësve të rrymës dhe t’u falet borxhi familjeve të kërcënuara socialisht.
Kompania austriake EVN është nga BE-ja. Lutet Qeveria që ta përfshijë Seladinin nga Sllupçani në ekipin e Bojan Mariqiçit për negociata me BE-në. Ai kështu-ashtu është tashmë i përfshirë në negociata në klasterin “Energjetikë”. Në terren operon me “frontin evropian” të Dimitar Kovaçevskit dhe partnerëve të koalicionit.

Domethënë, BE-ja negocion me ata që nuk paguajnë dhe i privilegjon. Ndërsa ne që i respektojmë detyrimet dhe afatet dhe paguajmë gjithçka nga tatimet e deri te dënimet, nuk meritojmë llastim të tillë.

2 Do të kalojë e gjithë vera deri sa të zbulojmë se kush çfarë ka thënë dhe si e ka thënë në takimin e liderëve mes Dimitar Kovaçevskit dhe Hristijan Mickoskit, por kjo humb çdolloj kuptimi në raport me deklaratat e ministrit të shëndetësisë dr. Fatmir Mexhiti. Ministri, mjek-specialist, kuadër i Aleancës së Shqiptarëve, që u bë partner i ri në qeveri që ta përforcojë “frontin evropian”, me sinqeritet shokues nga tregoi se si ai “evropeizim” funksionon në praktikë.
Fjalia e parë që kush e ndërroi dr. Sashko Jovev nga funksioni drejtor i Klinikës për kardiokirurgji ishte: “Nuk ka politikë në shkarkim”. Që në fjalinë e dytë tha se “ai vend drejtorie është propozim i LSDM-së”. E që të bëhet edhe më e qartë, fjalinë e tretë e tha lideri i parties së tij, dr. Arben Taravari, gjithashku mjek-specialist. “Aspak nuk është diskutuar se kujt duhet t’i jepet Klinika për kardiokirugji”. Mungonte edhe një fjali e katërt ku duhej të na thoshin se cili grup etnik do ta marrë Klinikën, që të kontrollojmë edhe në fjalët e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se “nuk ka përzierje të politikës në shkarkimin e drejtorit Jovev”.
Por, pa merak, edhe këtë gjë do ta zbulojmë së shpejti.

Puna është – e ndryshuam drejtorin, por mos u mërzisni, ai vend mbetet në parti.

Arben Taravari tha: “T’i japim shans dikujt tjetër, ndoshta gjithashtu profesionit, i cili ndoshta ka mundësi të jetë më i mirë, sigurisht përafërissht, ndoshta ka dhe mundësi të jetë dhe më i keq nga Jovev”.

Është e rëndësishme të mos rrezikohet balanci ndërpartiak. Cilësia e jetëve tona është e parëndësishme. Për politikanët që vetë i përzgjedhim është shumë më e tmerrshme nëse u prishet balanci ndërpartiak, sesa të vijë ndonjë kuadër joprofesional, dembel dhe i paaftë. Siç thotë Taravari, ka shans të jetë edhe më i keq.

3 Mua sinqerisht më vjen çudi se pse mjekët heshtin. Të fitosh aq shumë dijeni, të të lusin që të shpëtosh jetë dhe në fund të ditës të kesh frikë nga disa koordinatorë të paaftë partiakë!? Po mjekët nuk janë administratorë të thjeshtë të pranuar me rrogë shtetërore me meritë partiake, ngaqë kanë duartrokitur nëpër tubime, sa t’u gjendet një punë. Kaq shumë vallë, nuk janë të vetëdijshëm se sa fuqi kanë për ndikim shoqëror? Me këtë fuqi të paktën ata mund të luftojnë që drejtorët e institucioneve shtetërore mjekësore t’i zgjedhin vetë, nga radhët e të punësuarve, sipas përvojës, sipas mendimit të pacientëve dhe të kolegëve, sipas dijes, e jo të pajtohen se edhe nëse je profesional, i respektuar nga pacientët dhe ke aftësi menaxheriale, nuk mundesh asnjëherë të përparosh sepse refuzon që ndonjë parti të “të japë” apo të “të marrë”.
Për më tepër që, çfarë do të thotë kjo “të jepet” dhe “të merret”? Kujt do t’i japin? Nga kush do të marrin? A thua se shkollimin e kuadrit mjekësor të partive e kanë paguar nga arka partiake.A thua se ato klinika që i marrin dhe i japin nuk janë tonat, e do t’i marrin në shtëpi.

Hapi tjetër është të fillojmë të mjekohemi në bazë partiake. Partitë të hapin ambulancë dhe poliklinika nëpër shtabet e tyre. Cila parti është më gjatë në pushtet dhe cila më së gjati ka vjedhur, do të mund t’i pajisë edhe sallat e operacionit. Do të bëhet shëndetësi e dispersuar. Nëse ndonjë partie i mungon një specializim i caktuar do të negociojnë se a do t’i marrin kuadrot dhe sipas cilave kushte.

Të papërcaktuarit partiakë le të na falin. Ata nuk duhet as të mjekohen, edhe ashtu veç më kot bëjnë kallaballëk, kurse në sondazhe nuk tregojnë se për kë do të votojnë. E drejta e tyre qytetare është ta mbushin Fondin e shëndetësisë. Përderisa ka mjaftueshëm për provision të ministrit dhe për drejtorët partiakë, le të mos i pyesin fare se ku u shkojnë paratë.

4 Aspak nuk më çudit lehtësia me të cilën funksionarët partiakë thonë se çfarë do të japin e çfarë do të marrin nga ajo që është e përbashkët. Ashtu siç i japin e marrin spitalet, ashtu dhe i ndajnë teatrot, festivalet, ansamblet artistike, muzetë, shkollat, çerdhet, parqet nacionale…Sepse, ka kohë që është bërë normale që kur vjen partia e re në pushtet, të ndryshohet edhe komandanti i brigadës zjarrfikëse. Dhe është normale që mbledhësit e mbeturinave të ndërmarrjeve komunale të kenë frikë nëse do t’u vazhdohet marrëveshja apo jo, ngaqë është ndryshuar qeveria. Ashtu sikurse është normale që edhe ata të higjienës nëpër çerdhe dhe shkolla ta meritojnë rrogën me shkuarje në mitingjet partiake.
E pastaj, normale që do të ketë mosdënim dhe drejtësi selective. Do t’i dënojmë ata, e jo tanët. E për këtë duhet të kemi dhe gjykatës dhe prokurorë. Pastaj, është normale që një i yni t’i marrë paratë, pse t’ia japim një tjetri. Është normale që firma jonë ta marrë biznesin. E çka nëse janë të paaftë, të paktën janë tanët.

Jo se në shtete të tjera nuk ka nepotizëm dhe korrupsion. Por te ne korrupsioni ka eskaluar në një normë jetese deri në atë shkallë, sa që nuk na vjen turp ta themi këtë publikisht. E lehtësia me të cilën e thonë këtë gjë politikanët tregon se jo vetëm që nuk ekziston vullnet politik që dikush ta rregullojë çështjen e korrupsionit, por nuk ekziston as vullnet njerëzor. Partizimi i shtetit është i pranuar përgjithësisht si normalitet. Është korrupsion i shpirtit.

5 Do t’i kasha lutur këta të LSDM-së të mos i irritojnë ata të VMRO-së me deklarata se Mickoski ka pranuar ndryshim të Kushtetutës. Nëse doni t’ju kalojnë ndryshimet e kushtetutës sa më shpejt, shtendosuni pak. E shihni se VMRO-DPMNE-ja e kanë fitilin e shkurtër. E as ata vetë më nuk e dinë se ç’kërkojnë – zgjedhje, qeveri kalimtare, qeveri tenike, qeveri pa BDI-në, qeveri edhe pa BDI-në edhe të pakorruptuar…Edhe pse, nëse ekziston dhe kushti të pakorruptuar, ku do të gjejnë vallë aq shumë ministra në radhët e tyre?
Për më tepër që edhe takimi i liderëve duhej të ishte dialog. E u kthye në monolog. Kush do ta ngrihet më herët, ai i pari do të jape kumtesë. E pastaj kumtesë pas kumtese…Shkoi dita, shkoi vera. Kumtesat e VMRO-së janë gati një muaj para dhe zakonisht më herët ngrihen, kurse të LSDM-së, meqenëse 24/7 shkojnë krah më krah,  duhe të flenë më gjatë.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира