GËNJESHTËR NORMALE

Ja kështu, gënjeshtrat bëhen lajmi i ditës e të gënjyerit nuk është më e turpshme, por bëhet normale.

GËNJESHTËR NORMALE

1Cili do të jetë sot lajmi i ditës? Ç’të re kemi nga ministrat zëvendësues, plotësues apo ata teknikë të VMRO-DPMNE-së që vazhdimisht nxisin debat? Ç’deklaratë do të shpikin të formuluar nga ai fjalor i pasur i VMRO-së për këto të zeza që e kanë kapluar Maqedoninë? Një ditë gënjeshtër. Tjetrën përgënjeshtrim të gënjeshtrës. Dhe mediat që i publikojnë të gjitha këto.
Andaj është normale që një ministër nga dita e parë e punës të thotë një gënjeshtër, përderisa ekzistojnë media të cilat do ta transmetojnë atë pa i kontrolluar faktet. Nuk ka fare rëndësi nëse ndonjëra nga zonjat, pavarësisht nëse është teknike apo jo, plotësuese apo jo, zëvendësuese apo jo, nuk di të lexojë atë që i kanë shkruar, apo një tjetër ministër teknik që ka shpikur vetë një intervistë në zyrat partiake që ta lëshojë që në ditën e parë në funksionin propagandues. Nuk është aspak e rëndësishme nëse e dinë se përse janë vendosur ato vende 100 ditë para zgjedhjeve, apo nëse qëllimisht shtiren sikur nuk e dinë se çfarë është puna e tyre. Më e rëndësishme nga të gjitha është që makineria propaganduese e VMRO-së të publikojë gjithçka që ndodh brenda Pallatit të bardhë, mediat diletante të transmetojnë gjithçka pa kontrolluar se çfarë është thënë, e të tjerët nga frika se mos duken, të aktrojnë një qëndrim balancimi. Ja, në këtë mënyrë, zëri i atij që thotë një gënjeshtër bëhet zëri më i lartë dhe po në këtë mënyrë gënjeshtra bëhet lajmi i ditës, kurse të gënjyerit nuk është më turp, por bëhet një gjë normale.

2Tre vjet pas rënies së regjimit të Gruevskit akoma më shumë po duken frytet e punës shumëvjeçare të VMRO-DPMNE-së për të krijuar një infrastrukturë mediatike propaganduese. Ky ishte qëllimi i tyre. Dhe ia dolën. Me 25 milionë euro nga paratë tona që u derdhën në tre televizione nëpërmjet fushatave të tyre, me shkatërrim dhe vjedhje të mediave të tjera, me abuzimin dhe përgjimin e gazetarëve, me krijimin e një rrjeti të mediave më të vogla të cilat bëjnë referenca midis vete…
Por, problemi është shumë më i madh se sa vetëm gazetaria e shkatërruar dhe diletante. Neve na ka ndryshuar e gjithë gjendja e shpirtit. Për çfarë vlerash shoqërore të flasim tani kur gënjeshtra është bërë gjë normale?
Epo deputetët Antonio Milloshoski dhe Dimitar Stevananxhija shpiknin dhe shpërndanin lajme të rreme, kurse ne presim nga këta plotësuesit dhe teknikët të na manipulojnë. Dhe pritet që të vazhdohet me histeri, me zënka, me konflikte, me frikësimin e popullit…Nuk janë ata fajtorë. Por fajtorë janë ata që po publikojnë gënjeshtrat e tyre. Sikur ndonjë deklaratë është më e vlefshme për t’u transmetuar. Apo ndonjë status fejsbuku.
Derisa budallallëqet e tyre merren seriozisht, ata nuk do të ndalojnë. Si për shembull, kur në konferencë shtypi do të thonë se “mbështetja e vetme ndërkombëtare e Zaevit vjen nga princi i rremë nga i cili mori dekorim para dy vjetëve. E po atë ditë Micotakis i thoshte Trampit se shpreson se do ta bindin Makronin në Samitin e BE në Zagreb që të miratojë një fillim të ri negocimesh për Maqedoninë. Micotakis. Nga Greqia. Ai që ishte kundër Marrëveshjes së Prespës. Kryeministri i “fqinjit tonë të jugut”, ashtu sikurse servisi shtetëror në kohën e Gruevskit kishte urdhër të mos i përmendej emri Greqisë.
Ose, për shembull, kur në kartolinën e Vitit të Ri VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski do të thonë se “në 2019 qytetarët e jetuan vitin më të errët të historisë së shtetit”. Thonë se ky vit paska qenë “viti i dështimeve”.
Viti kur flamuri i Maqedonisë valonte mes flamujve të SHBA dhe Britanisë së madhe në Samitin e NATO-s në Londër paska qenë “vit i dështimeve”. Nëse ky është një dështim, atëherë çfarë do të jetë fitorja e VMRO-DPMNE-së?

3Këta ministrat zëvendësues, plotësues e teknikë gënjejnë edhe kur premtojnë se “këtë do ta bëjnë, këtë do ta zbulojnë, këto masa do të marrin…” Përveç detyrës partiake që të bëjnë debat sipas urdhrit nga Budapesti, ata kanë dhe një detyrë që ia jap ligji – me nënshkrimin e tyre të lidhur të mos lejojnë gënjeshtra dhe vjedhje të zgjedhjeve.
Të mos përsëritet ajo “le të zhduket një fletëvotim”. Apo ajo tjetra “siç e di kemi nga 50 vetë në banesë”. Apo “e rëndësishme është këta të mbahen dorë për dore, të futen e të votojnë, me gojën e mbyllur. Cirk Medrano”.
Të mos “zvarriten ciganët për veshi një nga një”. Të mos ketë “tani u premtojmë 25 paqeta miell”. Të mos lejohet puna “të thërrasim të gjitha mësueset.” Të mos kërcënohen me “do të votosh me trekëndësh, do të të pushojmë nga puna. Apo “dërgoju një haber atyre tanëve atje ku mund të dalin në shesh të pavlefshmet”. Të mos shkatërrohen ashensorë më në ditën e votimit. Të mos duhet pronarët e televizioneve të bëhen kreative e të thonë “mendova edhe rrymën ta ndal në televizon”. Askush të mos guxojë “numrin 306-775 ta lësh jashtë përdorimit, nga LSDM po lobojnë, ta heqësh nga përdorimi, që të mos mund të paraqiten aty”.
A mos duhet vallë që këta të qeverisë të kujtojnë se janë vendosur aty që të sigurojnë se nuk ka “ne në MPB, VMRO, MVRO të kemi dy shtabe….Një partiakë, një për aty ku i çojmë të huajt”. Ja, një nga drejtorët e propozuar nga ministri i punëve të brendshme e ditka se si bëhet kjo punë. E dëgjuam edhe atë në një bisedë të përgjuar se si përpiqet të gjejë votues të VMRO-DPMNE-së në Kumanovë: “Edhe firma, edhe punëtorë kompanish të falimentuara dhe të pakënaqur, edhe të moshuar, me anëtarësi të vjetërsuar….edhe banditë edhe kriminelë, të gjithë..”
Ministrat plotësues janë vendosur në Qeveri që të kenë kujdes dhe që dikush të mos “i marrë të gjithë të vdekurit në 2012 që ndodhen në atë listë, e të lëshojë njerëz të votojnë në emër të tyre”. Të mos kërcënohet askush se “do të zhduket edhe ai edhe gruaja e tij, duhet t’i lëmë pa asgjë edhe atë kafe duhet t’ia ndezim”. Asnjë nga të punësuarit në administratën shtetërore të mos duhet të ketë listë me 30 votues që të mos e pushojnë nga puna. Të mos ketë “hedhje në hendek me gjithë gruan dhe fëmijët”.
Për këtë janë vendosur ministrat teknikë, plotësues dhe zëvendësues të VMRO-DPMNE-së. Që të mos ketë më “piskama dhe bërtima”. Nuk janë në Qeveri që të krijojnë politika. Do të bëjnë politikë kur të fitojnë më 12 prill. Nëse njerëzit tashmë kanë harruar si votohej në kohën e tyre.

48 muaj pas ngritjes së aktakuzës, Gjykata penale i miratoi akuzat kundër Trajko Veljanoskit, Mile Janakieskit dhe Spire Ristovskit për organizim të sulmit të Parlamentit më 27 prill 2017.
Nëse Këshillit për vlerësim të aktakuzës iu deshën 8 muaj për ta miratuar, vallë, sa do t’i duhet Gjykatës për ta përfunduar procesin? Edhe sa juri do të pensionohen, sa avokatë do të dorëzohen, sa do të kërkojnë përkthim nga gjuha shqipe, për sa kohë gjykimi do të shtyhet për më shumë se 90 ditë e sa herë do të nisë nga fillimi?

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира