GJEPURA BULLGARE

Gjermania bën një gjest miqësor të mbështetjes për Maqedoninë, në të njëjtin Bashkim Evropian ku Maqedonia ka një armik, dhe atë fqinjin e saj të parë.

1 Nuk është se pas votimit të parlamentarëve gjermanë do të ndihem më maqedonas se ç’jam. Rezoluta e Bundestagut gjerman për njohjen e kulturës, identitetit dhe gjuhës maqedonase nuk është konfirmim i ekzistencës sonë. Askush prej nesh nuk ka nevojë për një rezolutë nga parlamenti ynë, as nga të tjerët, për t’u siguruar që ne ekzistojmë. Por rezoluta e parlamentit gjerman është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë të supozuar në Bashkimin Evropian. Rëndësia e saj qëndron në mbështetjen politike që na u dha nga Gjermania në betejën tonë me një fqinj që na thotë se ju nuk ekzistoni.

Është e thjeshtë: parlamenti bullgar miratoi një deklaratë se populli maqedonas dhe gjuha maqedonase nuk ekzistojnë. Bundestagu gjerman miratoi një rezolutë se populli maqedonas dhe gjuha maqedonase ekzistojnë.

Ose, edhe më thjeshtë: Gjermania bën një gjest miqësor të mbështetjes për Maqedoninë, në të njëjtin Bashkim Evropian ku Maqedonia ka një armik, fqinjin e saj të parë.

2 A është absurde të marrësh vendime politike për të pranuar ekzistencën e dikujt në shekullin e 21-të, dhe për më tepër në një shtet anëtar të BE-së? Po. Por në një kontekst politik ku një shtet anëtar thotë se ti nuk ekziston, nuk është aspak absurde që një vend tjetër të thotë se ti ekziston. Çdo mbështetje në një mosmarrëveshje të tillë budallalleske është e mirëseardhur.

Stafi i ambasadës së SHBA në Shkup, për Ditën e Gjuhës Maqedonase, 5 maj, regjistroi një video në të cilën punonjësit amerikanë thoshin fjalë të urta popullore në maqedonisht. Ambasadori italian në festimin e Ditës së Republikës foli për “gjuhën maqedonase që Italia e ka njohur dhe mbështetur gjithmonë”. Ambasadorja e Suedisë në fjalimin e saj në festimin e Ditës Kombëtare të Suedisë tha se po e mëson gjuhën maqedonase në mënyrë që të kuptohet më lehtë me bashkëqytetarët e saj maqedonas kur ata  të ulen së bashku në një tryezë kur Maqedonia një ditë do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në festimin e ditëlindjes së Mbretit e lexoi të gjithë fjalimin në gjuhën maqedonase, duke vënë në dukje se ashtu siç ata janë krenarë për historinë dhe gjuhën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, në po atë mënyrë e respektojnë dhe e kuptojnë krenarinë tonë me gjuhën dhe historinë maqedonase.

Të gjitha këto gjeste diplomatike nuk janë një konfirmim nga i cili varet ekzistenca jonë. As më pak, as më shumë maqedonas. Por megjithatë janë një mbështetje miqësore, në mënyrë që edhe ne, por edhe ata, të mund të dalim disi nga gjepurat bullgare së bashku.

Kur Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda themeluan Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1951, ndoshta nuk u kishte shkuar kurrë në mendje se pas Luftës së Dytë Botërore dhe mposhtjes së fashizmit, dikush mund të mendonte të mos e njihte të drejtën për vetëvendosje dhe gjuhë. Shtatëdhjetë vjet më vonë, kufijtë për të cilët bëheshin luftra u fshinë dhe njerëzit mësojnë disa gjuhë të huaja sepse duan të komunikojnë lehtë, jo sepse dikush i detyron ata të asimilohen. Nëse themeluesit e BE-së do ta kishin ditur që në vitin 1951 se në shekullin e 21-të dikush në Evropë do të merrej me çështje të shekullit të 19-të që lidhen me mohimin e të drejtës për vetëvendosje, ata mund të kishin parashikuar një instrument në traktatet themeluese për ta bërë këtë të pamundur. Por ja, Bullgaria, duke abuzuar me fuqinë e BE-së për të mohuar vlerën themelore të BE-së, praktikisht ka treguar atë që ka mësuar nga mësimi “Ata janë brenda, ju jeni jashtë”.

Rezoluta e Bundestagut gjerman tani duhet të na ngushëllojë se Bashkimi Evropian ka rënë para absurditetit bullgar.

3 Në një sondazh të OSBE-së mbi rreziqet e korrupsionit në gjyqësor, 72% e gjyqtarëve thanë se Këshilli Gjyqësor nuk mbron pavarësinë e tyre. Nga gjyqtarët e anketuar, 32% u përgjigjën se ndjenin presion nga vetë anëtarët e Këshillit Gjyqësor.

Pas këtij sondazhi, Kryetari i Këshillit Gjyqësor Sashko Georgiev u bëri thirrje gjyqtarëve të marrin guximin dhe presionet të mos i raportojnë në mënyrë anonime, por këtë ta bëjnë tek ai dhe te Këshilli Gjyqësor.

Epo ja, edhe prokurorja Lençe Ristoska kohët e fundit mori guximin dhe tha publikisht atë që gjyqtarët e thonë fshehurazi në sondazhe anonime. Se Këshilli i Prokurorëve Publikë është burim i tregtisë me ndikime. Këshilli ngriti menjëherë padi disiplinore ndaj saj.

Besa, duhet të kesh guximin t’i raportosh presionet tek ai që po të bën presion. Gjykatësit gjithashtu duhet të marrin guximin të raportojnë korrupsionin në Këshill, për të cilin janë shprehur se nuk i besojnë.  Ato do të trajtohen në Këshill me rregullore dhe me ligj. Pamë se si ligjërisht e ndryshuan kryetaren.  Edhe ata, ose do t’ia dorëzojnë komisionit disiplinor, ose do t’i kërkojnë konflikt të interesave nëse tezja ka pasur kontest gjyqësor për ashensorin e ndërtesës.

Ambasadori holandez pas shkarkimit të paligjshëm të kryetares u tha se Këshilli është një organ i paligjshëm, një gjykatës i apelit dhe një gjykatës suprem kanë dhënë dorëheqjen, gjykatësja madje publikisht tha se Këshilli nuk funksionon ligjërisht e atyre nuk u bëhet fare vonë.

Kryetari Sashko Georgiev tha:  “Ajo ka thënë ç’ka pasur për të thënë”.

Vazhdojmë.  Edhe një tjetër pengesë është kapërcyer në rrugën për në BE.

4 Greva e administratës gjyqësore, greva doganore, greva e punonjësve në DAP…

Çfarë menduan zyrtarët kur rritën pagat e tyre me 78% në mes të një krize? A nuk do të bënin ligj për pagat në sektorin publik? Është e rëndësishme që ata që duhej të bënin ligjin dhe deputetët që duhej ta kalonin atë të merrnin paga 78% më të larta. Nga ana tjetër, qytetarët që do të vuajnë pasojat e grevave, bllokadave dhe mbylljes së paralajmëruar të kufijve, le të vuajnë.

Asgjë nuk kanë bërë funksionarët.  Ata vetëm e kanë mbrojtur Kushtetutën.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира