GJYKATËS BAKSHISHI

Gjëja më e shëmtuar nga të gjitha është se shëmtia nuk i pengon askujt.

1 Ka mbaruar puna. Problemi me korrupsionin në gjyqësi dhe në përgjithësi në administratën shtetërore është gjetur. Nuk do të kishte korrupsion, nëse nuk do të kishte media që shpikin se ka korrupsion. Këtë shumë bukur e shpjegoi kryetari i Gjykatës penale Ivan Xholev. Ai thotë se edhe atij i kanë ardhur shumë qytetarë duke i thënë: “dëgjo këtu, për këtë gjë kështu është puna apo ashtu është puna…” E ai ua ka kthyer: “Ju lutem, tani…”.
“Kështu mendon qytetari ynë. Që të mbarojë punë në lidhje me diçka duhet të japë, dhe po tregohem më i butë kur them – bakshish”, shprehet gjykatësi Xholev duke i akuzuar mediat për këtë gjë.“ Ato e ushqejnë qytetarin tonë, duke e nxitur me tituj mbi korrupsionin dhe për faktin se vetëm nëse ai ofron para diku, do të mund të kryejë punë me të vërtetë”.

Krijuam Komisionin e antikorrupsionit, e tërë bota e financon që të gjuajë korrupsionin te zyrtarët e shtetit, Qeveria shpiku funksionin e zv. kryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Stejt departamenti dhe Komisioni evropian çdo vit shkruajnë raporte për gjendjen e korrupsionit në Maqedoni dhe e gjithë kjo ka qenë më kot. Pasi korrupsion – nuk ka. Disa media shpikin tituj se ka gjykatës të korruptuar, njerëzit lexojnë, shkojnë në gjyq dhe japin bakshish.

Bakshishi i jepet kamarierit, nëse je i kënaqur nga shërbimi. E çfarë japin njerëzit që janë të kënaqur nga shërbimi i gjykatës? Rryshfet? Ju lutem. Sa duhet t’u lëmë? Nuk e di, në kafe zakonisht kamarierit i lihen rreth 10 përqind. Po në gjykatë, sa?

Gjykatësit janë vënë para një pune të kryer dhe nën presionin e mediave. Nëse dikush vazhdimisht të ofron bakshish, do ta ofendosh nëse nuk ia merr. Nuk do ta marrësh një apo dy herë, por herën e tretë bëhet e sikletshme të refuzosh.

2 Nëse logoja për tridhjet vjetorin e pavarësisë së shtetit është e këtillë, si do të jetë festimi i 8 shtatorit?
Ky diletantizëm agresiv në procedurën e krijimit të logos, e pastaj në mbrojtjen e shërbimit qeveritar për marrëdhënie me publikun, më kujtoi një rast të kohës kur vajza ime ishte e vogël. Atëherë kur më takoi një grua në dyqan dhe pasi i hodhi një sy vogëlushes në karrocën e fëmijëve, më tha: “Pse nuk e bëre edhe ti një frizurë të tillë? Kush vallë ia preu flokët vajzës?” Kurse unë iu përgjigja nëpër dhëmbë. “Njëra atje.” Ndërsa zonja i hedh edhe një sy modelit të flokëve të vajzës dhe më thotë: “Ore duket sikur, jo një, por më shumë vetë ia kanë prerë flokët.”.
E njëjta gjë edhe me logon e festimit të tridhjet vjetorit të referendumit të pavarësisë. Kush e vizatoi? Një ekip i dizajnerëve grafikë të qeverisë.

Shtetin e kemi të bukur. Natyrën e kemi të bukur. Por shoqëria jonë është e shëmtuar. Kurse, logoja është tamam e shëmtuar, si shoqëria. Gjithçka që ka prekur dora njerëzore brenda natyrës së bukur është e shëmtuar.

Të shëmtuara janë mbeturinat në trotuar dhe në rrugë. Të shëmtuara janë deponitë e paligjshme. I shëmtuar është trafiku nga veturat e parkuara. Të shëmtuara janë plehrat e hedhura nga fshatrat dhe kanalet e bllokuara. I shëmtuar është Vardari që “e zbukuron Maqedoninë” me shishet plastike që lundrojnë mbi të dhe shtresohen mbi anijet e rreme. Të shëmtuara janë tualetet në shkolla. Të shëmtuara janë korridoret spitalore. I shëmtuar është bredu i uzurpuar i Ohrit dhe Strugës dhe mbeturinat e Prespës dhe Dojranit. Të shëmtuara janë rrugët, bari i pakositur në bankina, sinjalizimi i dobët. Të shëmtuar janë vagonat e hekurudhave…

I shëmtuar është korrupsioni që e shpikin mediat. E shëmtuar është paaftësia e institucioneve për të qenë në shërbim të interesit publik. I shëmtuar është fakti se askush nuk është kompetent për asgjë. I shëmtuar është fakti se lajkatarët e paaftë të partisë fitojnë funksione me anë të cilave vendosin për jetët tona.

E gjëja më e shëmtuar nga të gjitha është se shëmtia nuk i pengon askujt.

3 Para disa ditësh publikuam një titull të këtillë:“Një të akuzuar mbrëmë e zuri diareja, sot u pensionua një anëtar i jurisë dhe gjykimi i Kançeskës për Muzeun e VMRO-së u kthye nga fillimi”. Bëhet fjalë për një proces gjyqësor në lëndën e PSP-së që ka filluar para katër vjetësh dhe tani kthehet përsëri në gjykim.
Shumë vetë reaguan se kemi vendosur fjalën “diare” në titull. Se qenka shumë e shëmtuar. Nuk u ka penguar fakti se rasti është zvarritur për katër vjet me radhë. Nuk u pengon se është zgjedhur gjykatës -anëtar i jurisë një burrë i një moshe ku ekziston mundësi e madhe që të pensionohet në fund të procesit. Dhe nuk u pengon fakti se mu një ditë para pensionimit të tij, një e akuzuar ka pasur diare dhe afati është shtyrë. Mirë ama fjala “diare” po që u pengon. Hiqen si “të qytetëruar”. U pengon një fjalë, por jo krimi dhe korrupsioni.

4 Gjashtë gjykime të rasteve të PSP për krim dhe korrupsion të profilit të lartë janë kthyer në fillim pas katër vjetësh zvarritje. Çfarë do të thotë, vallë, kryetari i Gjykatës Ivan Xholev për këtë? Se gjykatësit kanë refuzuar bakshishe?
Kjo po ndodh gjatë kohës së qeverisjes së garniturës politike që i fitoi zgjedhjet duke u bazuar te entuzazmi i qytetarëve dhe qytetareve të etura për ndryshime që i shprehën nëpërmjet sloganit: “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe.” Epo ja që nuk ka drejtësi. Kurse paqja blihet me punësime partiake. Bakshishi nuk është evidentuar, sepse për të nuk paguhet tatim.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира