HAP PËR AMNEZI

Përse i publikojmë emrat e drejtorëve të rinj të klinikave, spitaleve dhe institucioneve të tjera publike të shëndetit? Që të dimë te kush mund të gjejmë lidhje.

1 Pas deklaratës së liderit të LSDM-së Venko Filipçe, se në fushatë kanë evidentuar gabimin që kanë bërë me ndryshimet e Kodit penal, gjë me të cilën u vjetëruan veprat për korrupsion të funksionarëve më të lartë, dhe pas përgjigjes së kryeministrit Hristijan Mickoski, duket sikur të dy janë nën trajtim mjekësor. Filipçe thua se vetë e ka operuar veten nga trutë, kurse Mickoski thua se ka marrë hap për amnezi.
LSDM-ja e paska parë gabimin në fushatë. Po para fushatës, nuk e pa dot? Atëherë kur e gjithë bota i thoshte se ato ndryshime janë kriminele, e Bashkimi Evropian i paralajmëroi se po e keqpërdorin flamurin evropian. Për më tepër që ky nuk është një gabim dosido, që kalon lehtë, e pranon e ta falin. “Obobo, gabuam, i amnistuam të gjithë funkaisonarët e VMRO-së të akuzuar për krim dhe korrupsion. Edhe dëmshpërblimin do të duhet ta paguajmë nga paratë tuaja”.

Ky ishte sulm ndaj sistemit të drejtësisë.

Ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski thua se harroi që VMRO-DPMNE-ja ishte bashkëpunëtore në sjelljen e ndryshimeve të Kodit penal, duke bërë kuorum në seancat e kuvendit. E sigurisht që nuk i dëgjohet kur Filipçe kërkon Kod të ri penal, sepse ishin pikërisht funksionarët e VMRO-së që shpëtuan lëkurën në atë rast. Veç kësaj, bëhet edhe i mençur duke thënë se qytetarët tani do të paguajnë dëmshpërblim, sepse, falë këtij ligji, njerëzve të tij, brenda natës iu vjetëruan veprat dhe shpëtuan nga përndjekja penale. Për momentin më kujtohen vetëm disa prej tyre, që tani u bënë funksionarë të lartë – Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuvendit, ministri Ljupço Dimovski, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Igor Janushev.

A thua se ndryshimet e Kodit penal u bënë para 100 vjetëve. A thua se proceset gjyqësore kundër funksionarëve të Qeverisë së Nikolla Gruevskit ndodhën në shekullin e kaluar. Ndërkaq nuk ka as një vit që kur ndryshimet u votuan në Kuvend, kurse proceset gjyqësore një nga një zhvlerësoheshin për shkak të vjetërimit.

Nuk jemi te gjithë nën trajtimin mjekësor të amnezisë.

2 Lexoj kumtesat nga dorëzimet e funksioneve të zëvendës-ministrave dhe asesi nuk mund të kuptoj se pse ekzistojnë zëvendës-ministra. Mirë, le të themi se ekzistojnë – po, çfarë pune bëjnë? Krah sekretarëve të përgjithshëm, sekretarëve shtetërore, shefave të kabinetit dhe këshilltarëvetë të çdo ministri, shumë më intereson vlera e funksionit të një zëvendës-ministri, përveç që të shuhet oreksi partiak për një vend me rrogë të mire, me makinë zyrtare, me sekretareshë, kabinet dhe përfaqësim juridik, e nëse ministri është maqedonas, zëvendës-ministri të jetë shqiptar…

Gjithashtu, nuk mund të gjej asnjë shpjegim të logjikshëm se pse me çdo ndryshim të qeverisë, duhet urgjentisht të ndryshohen të gjithë drejtorët e institucioneve shtetërore dhe pa konkurs të vendosen drejtorë ushtrues në detyrë – nisur nga drejtorët e ndërmarrjeve shtetërore deri te kryeinifermierët në spirale, drejtorët e qendrave kulturore, teatrove dhe çerdheve, koordinatorët nacionalë të ndryshëm, madje edhe koordinatorja e transplantit me gjithë zëvnedësen. Budallallëku shkon deri në atë pikë sa të mendosh se do të rrëzohet shteti nëse nuk ndryshohet edhe drejtori i “Tanec”-it, se e luajnë shumë lehtë vallen e rëndë (Teshkoto). Nuk gjunjëzohen si duhet. Edhe pse, ndështa në “Tanec” kanë fat, sepse drejtoresha e re vjen nga ansambli ku është e para. Sipas biografisë profesionale, ajo është shumë mbi kualifikimet e zëvendës-ministrave që i futën për balancim të koalicionit.

Sikur të kishte qoftë edhe një politikan që do të guxonte  ta ndërpresë këtë praktikë. Të mos jetë e rëndësishme partia dhe nacionaliteti, por profesionalizmi dhe përgatitja. Kështu, del se drejtor i mirë është i mirë vetëm për partinë që e vendos, e jo për qytetarët.

Një koleg imi reagoi se pse mediat i publikojnë emrat e drejtorëve të rinj të klinikave, të spitaleve dhe të institucioneve të tjera publike shëndetësore. Përse është kjo informatë relevante për interesin publik? Dhe, mbase ka të drejtë. Cili pacient në një shtet normal e di emrin e drejtorit të ndonjë klinike? Dhe pse do të duhej ta dinte? Ç’i duhet qytetarit të thjeshtë që rregullisht i paguan detyrimet e tij ndaj shtetit kjo informatë? Që të dimë se te kush mund të gjejmë lidhje?

Po! Te ne kjo informatë mund të ta shpëtojë jetën. Çka është më tragjikja, edhe shëndeti na varet nga partia.

3 Hungaria mori një miliard dollarë hua nga Kina. Neve do të na japë 500 milionë euro.
U bë puna shit-bli. Le të qarkullojë leku.

4 LDSM-ja e akuzoi krymeinistrin Hristijan Mickoski se ai me tre ministra që udhëtonin me të në Samitin e NATO-s në Uashington, kanë harxhuar 20.000 euro vetëm për bileta avioni të klasës së biznesit. Ai arsyetohet se i dhembin gjunjtë dhe se nëse do të fluturojë me klasën ekonomike, të nesërmen nuk do të jetë në gjendje të funksionojë. Po nëse i dhembin gjunjtë, nuk i dhemb koka. Thua se atje ka shkuar për maraton, por ok. S’ka gjë. Është kryeministër. Është normale të udhëtojë me klasën e biznesit, sidomos në udhëtime transoqeanike dhe këtu nuk ka se ç’të debatohet. Ndonjëherë shteti duhet edhe të harxhojë. Të ishim ndonjë shtet më i pasur, do të udhëtonte me avion ushtarak, siç ushëtojnë funksionarët e tjerë.

Por kur fryhesh me populizëm, ndonjëherë do ta pësosh vetë nga populizmi. Mund të parafytyroj se çfarë do të mendonte VMRO-DPMNE-ja në opozitë, nëse qeveria e kaluar e LSDM-së dhe BDI-së do të vendoste të blinte një avion të ri qeveritar, sepse ky që kemi është nga viti 2004. Sa shumë do të ankoheshin për harxhime të “аrmiqve”. Me siguri do të ngjiteshin në listë si aktivistët klimatikë nëpër Gjermani. Epo Mickoski nuk është më opozitë. Bujrum tani, si kryeministër, le t’u shpjegojë votuesve të tij sa prej rrogave të tyre bëjnë 20.000 euro për bileta avioni.

5 Mësuam se edhe në fluturimet më të shkurtra, Micskoki, për shkak të problemeve me gjunjtë, gjithmonë ulet në radhët ku ndodhen dyert për evakuim të shpejtë, sepse aty ka hapësirë më të gjerë për t’i zgjatur këmbët. Kjo do të thotë se para çdo fluturimi, stjuardesat e lusin që ta lexojë me kujdes udhëzimin për hapjen e derës dhe e pyesin nëse është i gatshëm të ndihmojë në raste të evakuimit urgjent: “Brace for impact” (Gati për sulm).

Lajmi i mirë është se kryeministri është i gatshëm ta hapë derën në raste urgjente. Lajmi i keq është se meqë do ta hapë i pari, i pari edhe do të ikë. Kjo është tradita e partisë. Kurse ne pasagjerët – të gatshëm për sulm. Gjithmonë të gatshëm. Të rrëzohemi për t’u shpëtuar.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира