HISTERI MISTER

Askush nuk mund të shkojë kundër teje Nikollaaaa…..

1 Më falni që e shqetësoj publikun, por nëse mund të pyes, kur shpenzoni para nga tatimpaguesit, për sa para lejohet të kërkohet? Mendoj se ka ardhur koha të vëmë një limit, që kryeministri Dimitar Kovaçevski të mos i akuzojë gazetarët se përhapin histeri vetëm për një miliardë e treqind mijë euro. Thotë: “Tërë ditën po përhapet një lloj histerie dhe atë për një projekt nga i cili kemi 1,3 miliardë euro projekt, me financim të siguruar buxhetor, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e te ne tema kryesore është nëse dikush, diku, në ndonjë shtet tjetër, ka pasur padi penale.”
Hajdee, tani as për atë se si do t’i shpenzojmë paratë tona nuk mund të pyesim, sepse do ta groposim partneritetin strategjik me BDI-në. Nëse flet kundër futjes së bullgarëve në Kushtetutë – atëherë je kundër BE-së. Nëse pyet nëse vidhen paratë e buxhetit të shtetit për autostradat që do t’i ndërtojë konsorciumi amerikano-turk, atëherë je kundër SHBA-së. Mos bëj pyetje për para sepse do ta cenosh perspektivën euroatlantike.

Ambasadorja amerikane Angela Ageler nuk ishte në nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e katër ndarëseve të autostradës që t’i japë mbështetje Dimitar Kovaçevskit dhe Artan Grubit, por që ta mbështesë biznesin amerikan. Fotografia me ambasadoren amerikane nuk mund të jetë alibi e Qeverisë nëse kjo e fundit e ka gabuar përzgjedhjen për mbikqyrje. Çfarë lidhje ka partneriteti strategjik amerikan me përzgjedhjen e firmës për mbikqyrje, ku njëri nga pronarët ka qenë i akuzuar për tradhti në Armeni? Në fund të fundit, ambasadorja amerikane ka kryer punën për të cilën paguhet – promovon interesat amerikanë për biznes, ai biznes paguan tatim të shtetit amerikan, nga ato para ajo merr rrogën. Ne pyesim nëse kryeministri dhe zëvendëskryeministri e kanë përfunduar punën për të cilën ne i paguajmë. Çfarë ka histerike këtu?

Kështu që, kot e keni me historitë euroatlantike dhe gjeostrategjike që ua shisni gazetarëve duke u tallur me ta – ehehehe, shikoni sa pyetje pa sens që bëjnë. Nuk ekzistojnë pyetje pa sens rreth temës – para.

Për më tepër që këtu askush nuk pyet se sa dhe për çfarë do t’i shpenzojë kryeministri paratë e rrogës së tij dhe nga rroga e të shoqes këtë fundjavë. Askush nuk pyet as se sa ka paguar zëvendëskryeministri Artan Grubi për kravatën dhe çorapet që i ka zgjedhur me kujdes që t’i pajtohen nga ana e dizajnit. Pyesim se si do t’i shpenzojnë paratë tona të përbshkëta. Flasim për miliarda e treqind milionë euro. Së paku, se me siguri janë më shumë. Flasim për para që duhet t’i menaxhojë ndërmarrja për rrugë shtetërore me drejtor të BDI-së që është e paaftë ta kosisë barin e autosradave të tanishme, e paaftë të mbledhë mbeturinat, apo ta rinovojë rrjetën mbrojtëse.

Ja, edhe njëherë po i kërkoj falje publikut, nëse 1,3 miliardë euro është shumë e mjaftueshme për “të përhapur histeri gjithë ditën”.

2 Në po atë konferencë të shtypit, kryeministri tha se nëse ka dyshime për njërin nga pronarët e firmës që është përzgjedhur për të kryer mbikqyerjen, të ngrihet një padi penale dhe prokuroria ta kontrollojë.
Po Qeveria pse nuk ka bërë kontroll para se ta angazhojë? Detyra jonë qytetare ka përfunduar kur kemi dalë në zgjedhje dhe kur e kemi paguar tatimin. Pse tani të paraqesim në Prokurori?

Çfarë duhet të bëjmë? Të shkojmë në Prokurori. Mirëdita! Mirëdita! A ka atje pesë-gjashtë veta që luajnë futboll dhe basketboll në zyrë, të kontrolloni mos ndoshta po vjedhin para.

Artan Grubi tallet me ministrat e BDI-së. Kanë luajtur basketboll në zyrë. Punë e madhe. Siç do të kishte thënë kryeministri Kovaçevski, çdokush mund të bëjë ç’të dëshirojë në zyrë. Edhe Nikolla Gruvski në kohë kështu bënte, relaksiohej. Luante futboll, i jepte biçikletës dhe pastaj, njëlloj si Artani, vetë bënte filma.

Fakti së burrat e BDI-së kanë luajtur me topa në zyrë, është fakt. Asgjë e tmerrshme. Fakti se janë fotografuar se si luajnë, është poashtu fakt. Por, kur kanë parë se njerëzit kanë reaguar, kanë thënë me vete, hajde tani t’u lëshojmë nga një film, t’i nervozojmë edhe më shumë. Sa qytetarë histerikë që kanë, kurse për gazetarët të mos flasim!

Luajmë me ju si të duam. Bëjmë ç’të duam, punësojmë kë të duam, i ndajmë honoraret sa dhe kujt duam, ngremë ndërtime të paligjshme dhe platforma në liqen, ndërsa LSDM-ja nuk mund t’ju  mbrojë nga sjellja jonë e prishur.

Artani vetë do të lëvdohet se si luan e çfarë çorapesh ka veshur. Veç mos pyet se si i shpenzon paratë e tatimpaguesve. Sepse kjo pyetje rrezikon ta lëkundë stabilitetin e Qeverisë.

Askush nuk mund të shkojë kundër teje Nikollaaaa…..

3 A e shikoni se nuk kishte asnjë lloj histerie rreth vrasjes së dyfishtë në kafen e çarshisë së vjetër që ngjante me një punë mafioze? Nuk ishte befasi as fakti se njëri nga të vrarit është fotografuar me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. A nuk ka qenë “i mirënjohur për policinë”, domethënë ka qenë i mirëkontrolluar për siguri. Nuk është befasues as fakti se vrasësit kanë hyrë në kafe, kanë shtënë në kokat e viktimave dhe janë larguar me makinë. E gjithë kjo duket si të ishte skenë e ndonjë filmi, por megjithatë është një skenar i parashikueshëm.

Misteri i vetëm mbetet ai se si viktimat atje kanë gjetur parking, e janë ulur rehat e mirë për një pije. Atje zakonisht nuk kalon dot nga makinat e parkuara në trotuar dhe korsi, e jo më në 8 të mbrëmjes kur të gjithë dalin për t’u argëtuar.
Policia nuk i dënon gabimisht të parkuarit sepse vozitësit janë “të mirënjohur për ta”. Merimanga nuk kalon sepse nuk dëshiron të rrezikojë që ndonjë polic të lëndohet. Por, është mister edhe më i madh se si vrasësit kanë gjetur vend për t’u parkuar. Ose kanë pasur fat, ose kanë ndezur katër dritat në mes të rrugës – “Vetëm sa të pyesim diçka..”- kanë thënë dhe – kanë mbaruar me punën e ia kanë mbathur.

Por, cili është ai deputet Talevski që ka thënë se nuk i jepet konotacion politik vrasjes së dyfishtë. Ai nuk ka rënë nga ndonjë planet tjetër, që të mos dijë se në Maqedoni, politika dhe krimi janë sinonime në çfarëdo lloj konotacioni.

4 Nga ky realiteti jonë mund të pushojmë vetëm nëse lexojmë lajme të jashtme. Në Japoni kanë akuzuar tre veta për “sushi terrorizëm”. Sepse kanë pështyrë në porcionet në linjat e lëvizshme në restorante.
Mirë që i kanë akuzuar, por edhe i kanë arrestuar. Kush e di, ndoshta gjatë procesit gjyqësor do të pranojnë se gjithashtu kanë lëpirë shishen e salcës soja dhe kanë përzier pjatat e të tjerëve me shkopat e tyre.

Nëse e kanë kaq të mërzitshme jetën, pse nuk kalojnë pak nga ne?

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира