HVALA BUGARIJO

Maqedonasit vendosën të vaksinohen nga “diktatori ballkanik” Vuçiqi, meqë Borisovi, “demokrati i BE-së” nuk i pranon as edhe si të gjallë

1 Me qindra, nëse jo me mijëra qytetarë dhe qytetare të Maqedonisë këto ditë po shënojnë përvjetorin e pranimit në NATO në korridoret e godinës së panairit të Beogradit, teksa presin të vaksinohen kundër kovid-19 bashkë me qytetarët e Serbisë, të cilët këto ditë shënojnë përvjetorin e bombardimit të NATO-s. Do të ishte interesante të shihej nëse numri i maqedonasve që ka vaksinuar Serbia brenda një fundjave është më i madh se numri i mjekëve që ka vaksinuar Maqedonia brenda një muaj e gjysmë. Dhe atë prapë – me vaksina dhuratë nga Serbia.

Ju duket ironike? E ashpër? E tmerrshme? Po. Por, ja që kështu është. Të paktën për mua, personalisht, si një njeri që beson thellësisht në vlerat e perëndimit, në solidaritetin e parimeve që promovon Bashkimi Evropian në letër, ky është një zhgënjim jashtëzakonisht i madh.

Në një farë forme është sikur vdes ideja evropiane në Maqedoni. Përse? Pasi, kush e di për të satën herë Bashkimi Evropian na braktis, na tradhëton dhe nuk përmbush premtimet e dhëna. Thjesht, nuk u tregua si një partner tek i cili mund të mbështetesh.

Shikoj se shumica e akuzojnë Qeverinë për faktin se nuk ka blerë vaksina ruse dhe kineze qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur ata na i ofronin, e ne i refuzonim. A mund të imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse Qeveria e shtetit që është anëtarja më e re e NATO-s në një kohë kur pret deri në fund të vitit që në mars t’i fillojë negociatat e premtuara për hyrje në BE, të bëjë marrëveshje me Rusinë dhe Kinën? Është normale për një shtet proevropian të NATO-s që t’i refuzojë ofertat e Moskës dhe Pekinit, kur në mënyrë të natyrshme pret që ta kryejë punën me Brukselin.

A ju kujtohet kur Venko fotografohej me Bojko Borisovin në Sofje e lutej për 100 vaksina? Zaevi e kishte çuar sipas rrugës evropiane, ashtu siç është rendi.

Dhe çfarë fituam ne për besnikërinë ndaj BE-së? Veto nga Bullgaria? Të tjerët vetëm sa u trazuan paksa, dhe përveç Çekisë dhe Sllovakisë, nuk thanë as edhe një fjalë. Heshtën edhe Kroacia dhe Sllovenia, nga të cilët pritëm mbështetje në mënyrë të natyrshme, pasi të paktën ata e njohin mirë gjendjen në Maqedoni. E pastaj, ç’vlera evropiane presim në Shkup, kur në Bruksel nuk kalon dot asnjë amandament që të gjykojë dhunimin brutal që po na bën Bullgaria?

E tani na vjen keq se qytetarët maqedonas në Beograd, pas marrjes së vaksinës, fotografohen para afishes ku shkruan “Hvala Srbija”. Ndërsa ne aq shumë do të donim të fotografoheshin para “BE për ty”.

Nga Serbia morëm vaksina. Po nga BE-ja? Karakaçanovin.

Për shëndetin bëhet fjalë. Kur duhet shpëtuar jetë, nuk më bëhet fare vonë për pozitën gjeostrategjike të shtetit dhe për atë se çfarë do të thuhet në ndonjë farë raporti të BE-së. Ç’të them? Kam vendosur të vaksinohem nga Vuçiq “diktatori”, që kur Borisov “demokrati” nuk më pranon as edhe si të gjallë.

2 Ndërkohë që Bullgaria ndan pasaporta për maqedonasit, kurse Serbia ndan vaksina, ne lëvdohemi se sa shtretër të lirë ka nëpër spitale. Si në kohërat kur para fundjavës së zgjatur, në televizion ecnin lajmet nga Ohri dhe Dojrani se “kërkohet një shtrat më tepër”.
Kam frikë se edhe pas këtij zhgënjimi ne nuk do të marrim mësimin. Nuk do të na vijnë mendtë për herën tjetër, nëse do të ketë një herë tjetër, që të marrim guximin e të luajmë me të gjitha kartat që kemi në dispozicion, e të mos kemi frikë se dikush do të na e marrë për keq për shkak të lojërave gjeopolitike. Dhe të shpresojmë se dikush tjetër do të na e kryjë punën, ndërkohë që ne luajmë lokalisht.

Qeveria do të vazhdojë me zgjedhjet partiake, kryeministri do të vazhdojë të shëtisë nëpër pazare, zv. Kryeministri do të vazhdojë të numërojë shqiptarët nëpër botë, ministri për punë të jashtme do të vazhdojë të lobojë për pranimin e Kosovës, opozita e partive shqiptare do të vazhdojë ta bllokojë Kuvendin që të sigurojë nënshtetësinë me dëshmitarë, VMRO-DPMNE-ja do të vazhdojë ta bllokojë Kuvendin për inat, ministri i shëndetësisë do të shënojë përvjetorin e asfaltimit të qendrës klinike, ndërsa kryeministri Zaev do t’i ngushëllojë qytetarët duke thënë se është përparësi fakti që kemi qenë të fundit që kemi marrë vaksinat.

Të paktën le të heshtë, le të pranojë se e ka gabuar punën, ashtu siç e pranojnë liderët evropianë. Nuk mund t’i bindësh se ka qenë përparësi ata njerëz që tani vajtojnë mbi varre. Kjo do të ishte e pamëshirshme.

3 E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, lajkatarët partiake tani do të na shesin patriotizëm dhe do t’i etiketojnë si jopatriotë ata që u nisën për në Vranjë, Nish dhe Beograd që të shpëtojnë kokën. Po ç’të bëjnë? Të presin Qeverinë? Ky promovim politik i Serbisë me siguri që është ide e Aleksandar Vuçiqit. Por ai këtë gjë nuk e ka bërë vetë. Atje dikush ka punuar në mënyrë serioze për blerjen e vaksinave. Disa punonjës shtetërore kanë bërë marrëveshje, negociata, kanë kontaktuar, hetuar, e janë organizuar e kanë lobuar…

 Po te ne, kush do t’i bëjë kontaktet? Le të themi se ministri për punë të jashtme Bujar Osmani ka punë më të rëndësishme – ai lobon për Kosovën dhe i bindë shqiptarët e diasporës që të nënshkruajnë. Por, sa telefonata ka bërë presidenti Stevo Pendarovski? Cilat kontakte private i ka shfrytëzuar që shteti të sigurojë vaksina? Thotë se është lajmëruar te menaxheri. Kryetar shteti lajmërohet te një menaxher kompanie e ky i fundit e refuzon.

Po, a nuk kemi edhe dy presidentë të tjerë që i paguajmë? Kë telefonuan Branko Crvenkoski dhe Gjorge Ivanovi? Vallë, kaq të mos kenë lënë askund një gjurmë të tyren? Ivanovi, për ato dhjetë vjet që ishte kryetar shteti, kaq nuk mundi të krijonte ndonjë miqësi në udhëtimet e tij rreth botës që ia paguante shtetit, në mënyrë që tani të ndjehej i lirshëm që të bënte një telefonatë?

A ka diçka më të shtrenjtë tani për shtetin se sa një vaksinë? Çfarë makinerie do të lobojë për ne nëpër botë kur ne nuk kemi ambasadorë as në Uashington, as në Pekin, as në Moskë, Beograd apo Sofje…te ne njerëzit i çojnë me dënim në degën Diplomaci publike të MPJ, ndërkohë që Serbia mban ligjerata të diplomacisë publike me “Hvala Srbija”.

Apo, sa punonjës shtetërorë, ekspertë shëndetësorë dhe juristë e kanë marrë seriozisht detyrën e tyre në Qeveri, në Ministrinë e shëndetësisë dhe në të gjitha ato agjensi që i ushqejmë dhe detyra kryesore e të cilave është të na sigurojnë vaksina për rrogën që marrin? Lërini kuadrot e vjetra, edhe ashtu ato nuk bëjnë punë, këta të rinjtë janë tanët, u kemi dhënë punë që të ketë bukë për të gjithë. Dhe – e pamë se sa bënin si të vjetrit, si të rinjtë. Kush i mori vaksinat? Poltronët partiakë të LSDM-së? Apo nacionalistët e BDI-së?

4 Niveli i çmendurisë së shtetit bëhet shumë i qartë kur shohim se si regjistrimi shitet si një akt kulminant patriotik. Një operacion i thjeshtë statistikor tani bëhet masë e dashurisë ndaj atdheut.
Me të vërtetë nuk mund t’i kuptoj këta që bëjnë thirrje për bojkotim të regjistrimit. Frikësohen nga korona, apo frikësohen se sa shqiptarë do të regjistrohen? Çfarë kujtojnë kur bëjnë thirrje për bojkot? Se regjistrimi nuk do të vlejë, se do të shfuqizohet, se bojkotuesit do të numërohen në tabelë të veçantë? Se do të numërohen maqedonas, shqiptarë, turq, vllehë, romë, serbë…dhe – “Nuk e hap derën”!? Jo, ore. Do të vlejë numri i të regjistruarve. Njëlloj siç referendumi i Maqedonisë së Veriut ishte kusht për NATO-n. Ka mbaruar kjo punë. Nuk dolën, bojkotuan, i përqeshën “severxhanët”…Mirëpo votat e atyre që dolën për të votuar u numëruan.

E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit. Nga mençuria e madhe – “nuk votoj unë, ore”, i dhuruan 15 vende deputete BDI-së. Andaj, o popull, nëse nuk nënshkruani, askush nuk do t’ua ketë fajin.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира