IMUNITET KOPEJE

Po ju malltretojnë? Kështu e paskeni pasur fatin.

1 Korrupsioni nuk ekziston. Ekziston vetëm perceptimi mbi korrupsionin. Z.v kryeministri për luftë kundër korrupsionit Ljupço Nikollovski thotë se tani qytetarët dhe mediat janë të lirë dhe flasin hapur për korrupsionin, qytetarët kanë pritje të mëdha, ndërsa nga ana tjetër akoma nuk është forcuar vetëdija kolektive për dëmin nga korrupsioni, e kështu në raportin e fundit të Transperancy International, shteti ynë është listuar si asnjëherë më keq, në vendin 111 nga 180 shtete.
Në fund të fundit, në luftën kundër korrupsionit gjendet edhe ngritja e vetëdijes te qytetarët. E nëse më parë për disa gjëra kanë menduar se janë normale dhe të zakonshme, tani e kanë kuptuar se bëhet fjalë për korrupsion. Mirë që qytetarët të paktën mendojnë se ka korrupsion. Sepse, nëse bazohemi te proceset e përfunduara gjyqësore, hetimet e reja për korrupsion të lartë kundër funksionarëve, po edhe te përndjekja e korrupsionit në administratën më të ulët të shtetit, e nëse numërohen lëndët e përfunduara të Komisionit të antikorrupsionit, na del se – në Maqedoni, korrupsion nuk ka.

2 Korrupsion nuk është vetëm dorëzimi i parave në zarf. Korrupsioni është fuqia që të jep funksioni ku të ka vendosur partia. Zv.kryeministri Nikollovski mund të tregojë sa të dojë përralla për etikën dhe moralin, por edhe vetë ai e di se si në Maqedoni dikush mund të bëhet drejtor i ndërmarrjeve publike apo të ndonjë institucioni shtetëror, anëtar i Bordit drejtues, këshilltar, deputet, kryetar…
Partia është mbjellës i kuadrove. Vallë, e dini se sa vende drejtorie ekzistojnë e sa veta kanë arritur të bëhen drejtorë? Me shumë mundësi, në centralet partiake do të kenë harruar se kë kanë vendosur drejtor. Këta njerëz nuk janë vendosur në atë funksion nga merita apo nga aftësia. E kanë merituar sepse kanë shkuar mirë me partinë. Dhe normalisht, sepse ata e dinë se nuk do të kishin mundur as të ëndërrojnë që të jenë aty ku janë sipas kualifikimeve që kanë, dhe përdorin çdo minutë për festë dhe para. Jemi shtet i vogël. E dimë mirë se kush është i kualifikuar e kush jo.

Ambasadori i Holandës para dhjetë ditësh tha se i vjen shumë çudi se si, kur ndryshon qeveria, ndërrohen madje edhe drejtorët e parqeve nacionale. Kurse ne çuditemi prej kohësh se pse akoma edhe pastrueset e shkollave ia kanë frikën ndryshimit të qeverisë.

Herë-herë paria do të vendosë ndonjë njeri të hajrit në vendin e duhur, por këto janë përjashtime e këta njerëz, edhe pse të mirë, do të ndryshohen kur të vijë qeveria e re ose kur BDI do ta dëshirojë atë vend. Si mund të paraqitet dikush që e di se është i aftë për vendin në fjalë, kur ai vend është qartësisht i rezervuar për partinë. Shumë njerëz kanë ndërtuar një karrierë të tërë në parti. Një herë në Pyje, pastaj në Kadastër, pastaj në Hekurudha, e më pas në ndonjë institut “agjëje”…pastaj te Ujësjellësi, kanalizimi, diku ku duhet punësuar dikush, e pastaj deputet, ministër për ç’të jetë…

Kështu shkojnë punët. Në fund të fundit na del se më së miri e ke të jesh njeri i partisë, po qoftë edhe i opozitës. Në këtë mënyrë ti je i mbrojtur. Kësaj i thonë një marrëveshje e fortë me veten tënde, ku ty të intereson vetëm interesi personal dhe partiak. Pasi partia nuk do të të shesë dhe vetëm ajo mund të të gjykojë. Kësaj i thonë ndeshje në korrupsion.

Qeveria e Zaevit e ndryshoi fjalorin, por jo edhe praktikën. Andaj edhe perceptimi i qytetarëve është i tillë dhe nuk do të ndryshojë derisa edhe funksioni publik edhe ai privat të varen nga partia. Njerëzit do të kenë perceptim të korrupsionit deri sa të sigurohen se mund t’u kenë besim institucioneve dhe kështu, të çliruar nga parazitet të mund të punojnë për jetën e tyre. Eh, ky po që është pranim i qeverisë. Madje edhe nëse bëhet fjalë thjesht për një perceptim e jo për një gjendje reale korrupsioni, perceptimi i korrupsionit është krejtësisht legjitim.

3 Rasti me drejtorin e Spitalit të Strugës Muhamed Hasani, i cili për vite të tëra ka kryer shërbime në shtëpi në një ordinancë të paregjistruar, si mund të quhet, vallë? Është një perceptim? Apo një shkelje tipike e ligjit? Mirëpo ja që nuk e ndryshojnë dot, sepse është drejtor i spitalit shtetëror, pavarësisht se kryen kontrolle ilegalisht në shtëpi. Kurse drejtoreshën e klinikës për sëmundje të lëkurës, që ishte për skijim në Itali dhe e infektuar me kovid-19 ka shkuar në punë, e zëvendësuan brenda natës, e madje pagoi dhe dënim. Edhe drejtorë të tjerë klinkash dhe institutesh shëndetësore mund të ndërroheshin pa arsyetim, sepse me ndarjen e re të qeverisë, BDI-ja nuk mori kryeministër. Ndërsa ky, meqë është prej Strugës, kanë frikë edhe të imagjinojnë që t’i drejtohen. Përse?
Sepse ka një fotografi të Ali Ahmetit në zyrën e tij.
Njëlloj si kryetari i Sarajit Blerim Bexheti, i cili, le të mos harrojmë, një herë e një kohë ishte ministër i drejtësisë. Tani, rreth Liqenit Treska shkatërron ndërtimet siç ia ka ënda. Ashtu sikurse në Liqenin e Matkës i lejoi kafexhinjve të vendosin platforma të egra siç ua kishte ënda. Por, meqënëse edhe ai ka fotografi me Ali Ahmetin në Kabinet, askush nuk mund t’i thotë asgjë, përveçse partia, nëse me të vërtetë bën ndonjë gabim të madh.

Kemi ligje. Kemi nënligje. Kemi edhe mbiligj – BDI.

4 Tani do të ulemi në tavolinat rrethore, në televizion do të debatojmë, do të flasim mbi atë se çfarë qenka e nuk qenka perceptimi e korrupsioni. E nëse nuk keni punë më të mirë, uluni një ditë para televizionit dhe ndiqni një seancë të Kuvendit, që të shihni se kë keni zgjedhur për të propozuar dhe sjellë ligje dhe se nga kush varet cilësia e jetës, që të mund të vërtetoheni sa sa i robëruar nga partitë është shteti ynë. Si nga partitë qeverisëse ashtu edhe nga partitë e opozitës.

Askush nuk ka mendim personal. Askush nuk dallohet me personalitetin e tij. Askush nuk guxon të thotë diçka ndryshe nga partia. Deputetët janë robotë partiakë dhe ndjekës krenarë.
Ata jo vetëm që votojnë me komandë, por nga komanda e partisë varet nëse do të jenë apo jo të pranishëm në seancë. Kope partiake. E meqë Kushtetuta u jep imunitet partiak, ata tashmë kanë të zhvilluar imunitetin e kopesë. Ky imunitet nuk i mbron nga kovid-19, por ama i mbron nga çdo gjë tjetër, e madje edhe nga vetëm mendimi i tyre.

5 Policia qysh para një viti ka zbuluar grupin “Javna soba”, ku në rrjetet sociale përhapeshin fotografi të grave dhe vajzave. Por dhunuesit kanë pasur lirinë për të malltretuar deri para disa ditëve, kur viktimat dolën me dëshmi drithëruese dhe thanë se kanë bërë paraqitje në polici, e aty u është thënë se nuk mund të bëjnë asgjë.
Ja që kanë mundur. Katër persona tashmë janë arrestuar. Por kjo u bë e munduar vetëm pasi u ngrit bujë shumë e madhe në rrjetet sociale dhe ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski personalisht u ndje se duhej të reagonte, e madje edhe kryeministi Zaev u kërcënua se do ta mbyllë rrjetin ku ishte regjistuar grupi.

Një sistem ku policia reagon vetëm në rastet kur ka shtypje nga publiku, duke i injoruar paraqitjet e viktimave është sistem me defekt. Sidomos kur viktimat janë gra.

Ju malltretojnë? Kështu e paskeni pasur fatin.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира