KAPE SALLONIN

Të mos bëhet prapë: “Drug Tito nije znao” (Shoku Tito nuk e dinte)

KAPE SALLONIN

1Gjorge Ivanovi dhe Zoran Zaevi qëndrojnë njëri pranë tjetrit në platformën e aeroportit të Shkupit. Dhe heshtin. Presin që avioni i papës të nisë fluturimin, që ta përshëndesin për rrugë të mbarë. Kamera është duke i incizuar në transmetim të drejtpërdrejtë për television. Janë zënë me një kuadër të gjerë. Ata vazhdojnë të heshtin. Por, procedura para nisjes është e gjatë. Dhe jo shumë kohë më vonë, e ndërprenë heshtjen dhe folën. Nga ajo që mund të dëgjohej nga biseda, Ivanovi thoshte: Jo, jo, e shtrenjtë është ajo gjë, me të vërtetë e shtrenjtë”. Kurse Zaevi thoshte: ”Menduam të shihnim mos mund t’ia dilnim disi falas”.

Vallë për çfarë bisedonin kryeministri dhe kryetari i shtetit në ikje të papës? Çfarë mund të jetë kjo gjë kaq e shtrenjtë, që mund të gjendet edhe falas? Kush e di se si ka përfunduar biseda. Por pamë se të dy ia bënin me dorë avionit ndërkohë që ngjitej në ajër. Dhe atë, në mënyrë të sinkronizuar.

Kjo është vetëm njëra prej fotografive e cila shënoi këtë javë historike në Maqedoni. Zgjedhjet presidenciale mbaruan me sukses. Papa erdhi në vizitën e parë në Maqedoni. Edhe Gjorge Ivanovi po largohet nga funksioni i kryetarit. Po përfundon dekada më e keqe e historisë bashkëkohore të shtetit të Maqedonisë së Veriut, ku mu Ivanovi pati përgjegjësinë historike për krimet që i mbështeti. Deri në ditën e fundit të mandatit të tij.

E mbase edhe do të mbarojmë me ngjarjet historike. Negociata historike, marrëveshje historike, dokumente historike, gjykime historike, vizita historike, raporte historike, zgjedhje historike…Le të zhvendosemi tani nga historia në të tashmen. Të merremi me jetën.

2Nga java tjetër mua më intereson vetëm se si do të qeverisë Zaevi. Ka bërë mirë që ka marrë disa ditë të lira. Të shohë pak nga distanca se si ishim, ku mbërritëm dhe çfarë duhet të bëjmë. Dhe me cilët njerëz.
Tek tani do të fillojë qeverisja e tij e vërtetë. Deri më tani ishte punë fikje zjarresh dhe heqjeje nga balta. Tek tani do të duhet ta vlerësojmë nëse vlen apo jo. Pasi, tani nuk ka më justifikime për kalkulime. Nuk dyshoj se Zaevi e ka kuptuar mesazhin nga qytetarët mes dy rrathëve zgjedhorë. Prandaj edhe premtoi fshesën. Se do të kapë fshesën, kjo gjë nënkuptohet. Por nuk jam shumë optimist se çfarë do të bëjë me të. Një pastrim fundamental të sistemit. Apo vetëm ngritje pluhuri.

Sigurisht që kjo nuk është e lehtë. Duke pasur parasysh armiqtë që aktrojnë opozitë, por edhe bashkëpunëtorët e BDI-së dhe në veçanti bashkëpartiakët e LSDM-së me të gjitha interesat e biznesit, familjare dhe të tjera private. Por, nëse dëshiron të mbetet në politikë dhe të mbahet mend si një politikan dhe lider i suksesshëm, Zaevi do të duhet të fillojë të sillet ashtu siç do të sillej në kompanitë e tija të suksesshme. Si një drejtor ekzekutiv. Ai që është i aftë, do të mbetet. Ai që nuk është, do të kërkojë punë tjetër. Mjaft kohë kishin të gjithë që të shohin se kush është i aftë dhe sa deri më tani.

Pasi, siç thoshte: “Ky krim nuk do të përsëritet më!”. Ja, bujrum. Le të bëjë sistem i cili nuk do të lejojë që ky krim të përsëritet. Nga e hëna as Ivanovi nuk do të jetë më pengesë.

3Se mund të bëhet sistem që funksionon, tregoi edhe organizata e vizitës së papës Franjo. Mund të ishte më pastër, mund të ishte kositur bari, mund të ishin nxjerrë edhe drunjtë e të ishin kthyer prapa me gjithë rrënjë, mund  të ishin mbushur gropat e asfaltit, mund të ishin larguar makinat nga trotuari…Edhe shërbimi publik i MRTV-së mund të ishte më profesional. Mund t’i kishin ulur të gjithë bashkë – edhe qeverinë, edhe opozitën, me gjithë gra, fëmijë, priftërinj dhe etër, kryetarë të vjetër e të rinj. Madje edhe Gjorge Ivanovi dhe Zoran Zaevi të përshëndesnin me dorë sëbashku avionin e papës.

Papa u kthye dhe përsëri iu rikthyem jetës së zakonshme. Atë ditë e kaluam mu ashtu siç e kalojmë kur pastrojmë para se të vijnë mysafirë në shtëpi. Ne nuk jemi papa që rrugët nëpër të cilat ecim të jenë të pastra. Dhe nuk kemi merituar që qeveria të cilën e kemi zgjedhur dhe e paguajmë, të na trajtojë me respekt siç i trajton mysafirët. Si ideja – mos merr nga këto bonbone, se janë për mysafirët. Mos e nxjerr servisin e bukur për drekë, e ruajmë për mysafirët. Kape sallonin, po vijnë mysafirë…

Për këtë fotografi harmonike kontribuoi edhe fakti se ajo ditë u shpall si e papunë vetëm për administratën shtetërore në Shkup. Ata me të vërtetë kanë punë, erdhën në punë. Kurse të tjerëve që kështu-ashtu nuk punojnë asgjë, sa mirë u thanë: “Mos ejani në punë, të mos bëni kallaballëk!”

4Mbi faktin se administrata e shtetit është ndonjë klasë e veçantë dhe shumë më e rëndësishme e shoqërisë së Maqedonisë dëshmon edhe një shpallje e mërzitshme e policisë për aksionin e fundit për arrestimin e shitësve dhe blerësve të kokainës. Policia përmend “shitblerje të shumta të kokainës ndaj menaxherëve të kafe bareve, klubeve të natës dhe restoranteve, avokatëve, drejtorëve, bankierëve dhe të punësuarve në administratën e shtetit”.
Ah bre. Fakti se dikush është punësuar në administratën e shtetit, kjo është diçka si arritja më e lartë në karrierë. Administrata e shtetit te ne ka qenë një elitë. Kënaqet me drogën e të pasurve.

5Të gjithë që ankoheshin se qyteti është i bllokuar dhe pyesnin: “Ç’faj kemi të gjithë ne që na erdhi papa”, përgjigjen mund ta gjejnë vetëm në një titull të “New York Times” – “Vizita e papës Franjo e vendosi Maqedoninë e Veriut në hartë.” Atyre që u nevojitet shpjegim ekstra, le ta lexojnë vetëm fjalinë e parë të tekstit: “Me zgjidhjen përfundimtare të çështjes së emrit me Greqinë dhe me anëtarësimin në NATO, që pritet deri në fund të vitit, Maqedonia e Veriut të martën mori edhe një sinjal se izolimi tridekadësh ndërkombëtar po përfundon: vizita e parë e papës në shtet”. Epo Zaev, pusho dhe pastaj përvishi mëngët dhe ktheju punës. Jeta do të vijë kur çdo ditë të jetë sikur të jetë duke ardhur papa. Të mos jetë prapë: “Drug Tito nije znao”. (Shoku Tito nuk e dinte.)

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира