KAUÇ I ÇUDITSHËM

Ulni pritjet tuaja për jetën në Maqedoni.

KAUÇ I ÇUDITSHËM

1Zaevi thotë se është logjike që prokurorja speciale Katica Janeva nga paraburgimi në Shutkë i ka dhënë lëndët PSP-së nga prokurori publik Ljubomir Joveski. Çfarë është këtu logjike? A nuk u shpik ajo PSP sepse Prokuroria publike nuk donte të procesuonte lëndët që dëgjonim të thuheshin në bombat? A nuk ishte lënda “Monstrum” për krimin e Liqenit të Smillkovës ajo që u mor nga Prokuroria publike dhe tani është në procesin e gjykimit të dytë? Tani do të kthejnë lëndën mbrapsht, aty nga ku e morën dhe do ta çojnë në gjykim të tretë? Çfarë shikon Zaevi këtu që të jetë logjike, kur në 27 prill 2017 ia thyen kokën vetëm e vetëm që të mos zbuloheshin krimet të cilat duhej t’i hetonte PSP, mu ato të cilat prokuroria publike refuzoi t’i hetonte. Çfarë ka këtu logjike kur kjo Prokurori publike që do t’i marrë lëndët nga bombat u kërcënohej me burg gazetarëve që i publikonin në mënyrë të paligjshme bisedat e përgjuara? Çfarë ka këtu logjike kur para katër vjetësh rrinin me net të tëra në takime me palën ndërkombëtare në atë vile evropianë në Përzhinë që të shpikin Prokurorinë speciale publike? Sa protesta, sa marshime u bënë për atë PSP, sa maica u printuan, sa bojë u harxhua…Dy herë u shtynë zgjedhjet në vitin 2016. E Marko Zvërlevskin, shefin e asaj prokurorie, e cila tani do të marrë përsipër rastet e PSP-së, me muaj nuk mund ta ndryshonin në Parlament. Çfarë ka ndryshuar në atë prokurori, përveç shefit tani që kur erdhi jeta dhe u mundësua që të mund të procesuohen lëndët që nuk donte t’i hapte gjatë kohës së Gruevskit? Kush e di, ndoshta në këtë shtet është gjë e logjikshme që Prokuroria speciale publike të përfundojë në këtë mënyrë, e krijuar veçanërisht për të gjuajtur krimin e funksionarëve. Do të ishte jologjike që ato lëndë të përfundonin me gjykime.

2 E ndoshta edhe nuk duhet të pyesim se çfarë është logjike, por të pyesim se çfarë është praktike. Mbase kemi shumë pritshmëri të larta për këtë pushtet. Bëjmë bajram me veten pa pasur kontakt me realitetin. Ndërkohë që në realitet, shoumeni Boki 13 është ylli rreth të cilit rrotullohej e gjithë elita politike, e biznesit dhe e gjykatës. Në atë realitet Orce Kamçevi është viktimë, pasi i është dashur të paguajë ryshfet që të çlirohet nga akuza. Në atë realitet, prokurorja speciale ka ngritur hetime që të mund të përfitonte për veten e vet nëse i çlironte të dyshuarit dhe të akuzuarit.

E si një kapak mbi të gjitha këto, në atë realitet të PSP, vendimet i marrin deputetët të dyshuar dhe të akuzuar mu nga ajo PSP. E si kapaku mbi kapakun, prokurorja speciale nga paraburgimi urdhëron prokurorin publik, i cili ka urdhëruar ta burgosin, që t’i marrë lëndët e saj dhe ai e pranon urdhrin.
Sado që të mos dua ta kujtoj Gjorge Ivanovin, sërish kthehem te deklarata e tij legjendare se kjo është një demokraci kosmodisku. Tingëllon çuditshëm, por funksionon.

Realitet është furgoni me të cilin transportohej kauçi i prokurores speciale i dhuruar nga shoumeni në shenjë mirënjohjeje nga ana e biznesmenit.
Ulni pritjet tuaja për jetën në Maqedoni.

3Nuk është aspak problem të mbahet grevë. Kjo është një e drejtë e garantuar me kushtetutë. Nuk është aspak problem që arsimtarët të mbajnë grevë në ditën e parë të vitit shkollor, pasi pikërisht atëherë kanë menduar që të mbledhin simpatitë e qytetarëve. Është një e drejtë legjitime të mbahet grevë edhe për rrogat paksa më të larta nga ato që gjatë dy viteve të fundit u ngritën për 10 përqind.

Por, ndërkohë që debatonim mbi temën nëse nxënësit e klasës së parë kanë qenë të zhgënjyer dhe nëse arsimtarët kanë mundësuar mësimdhënie cilësore për ato 10 përqind, harruam se para vetëm tre vitesh mediat as nuk guxonin të publikojnë se kishte një grevë të kujtdo në shërbimet publike. E jo vetëm që mediat nuk lejoheshin të informojnë publikun mbi këtë, por në vend të protestuesve sillnin arsimtarë të tjerë për zëvendësim, kontrollohej i gjithë trungu i tyre familjar që të mund t’u kërcënoheshin se do t’ua përjashtonin kushërinjtl që janë në punë shteti, bëheshin lista me arsimtarë joadekuatë nëpër organizatat komunale të VMRO-DPMNE-së, lëshoheshin sms-a me kërcënime…Mirë për arsimtarët…po nxënësit, prindërit e të cilëve punonin në punë shteti…ata nuk mund të protestonin. Ata i mbyllnin në gjimnaz.
Dhe tani çfarë do të bëjmë? Do të harrojmë se të gjithë janë të njëjtë. Por, akoma më e dëmshme është që ne konsiderojmë grevë të suksesshme atë e cila ka arritur të kalojë pa presion dhe pasoja. Është e trishtueshme të shohësh një shtet që ka arritur deri në atë pikë sa të konsiderojë sukses realizimin e një të drejte të garantuar me kushtetutë.

4Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillkovski kërkoi falje dy herë, pasi në një status fejsbuku quajti ministren e re të financave Nina Angellkovskën “xhirlo vajzë“ dhe “gruperkë“. Por, kjo kërkesë ndjese nuk ishte tamam ashtu, një kërkesë ndjese por me tendencën për të treguar se nuk është kuptuar mirë ajo që ka dashur të thotë. Demek – nuk është ai fajtor se ka shkruar budallallëqe, por jemi ne fajtorë se nuk e paskemi kuptuar.
Nuk më çudit aspak statusi seksist dhe i thjeshtë i zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së. Kjo është një pasqyrë e asaj që partia e tij promovonte gjatë qeverisjes 11 vjeçare. Shpërndarje histerie, urrejtjeje dhe thjeshtësie të paketuar me humor me aluzione seksuale në nivelin e sensit të humorit që ka Gruevski u bë një ton normal komunikimi. Atyre nuk u vjen turp për këtë gjë. Për ta kjo është një gjuhë normale e të shprehurit, e cila nga qendrat e tyre të propagandës u shpërngul te mediat dhe rrjetet sociale.
Nëse do të ishim në ndonjë shoqëri të mirë, të qytetëruar dhe në një epokë të bukur qytetërimi, do të ishim duke folur mbi përgjegjshmërinë e fjalës të thënë publikisht. Më herët kishte vetëm gazetë, radio dhe televizion. Tani kemi qindra media diletante, qendra propagande për shpërndarjen e lajmeve të rreme, bote partiake që kanë për detyrë të fyejnë dhe të gënjejnë dhe mijëra njerëz analfabetë dhe konfuzë në Fejsbuk, Tuiter, Instagram…A e dini se sa herë shumëzohet çdo krim i shkruar apo i thënë?
Andaj edhe përgjegjësia është shumëfish më e madhe.

5Por, le të përballemi me realitetin. Të shohim se ku mbarojnë fjalët që thuhen nga politikanët, personat publikë, ekspertët, mbajtësit e funksioneve publike…Në cilin kontekst ndikojnë fjalët e tyre, kur në agregatorët e lajmeve lexojmë tituj që transmetojnë një puritanizëm thjeshtak dhe një pakuptimësi. Skendaloze – shfaqi brekët e tij. Tregoi këtë apo atë pjesë të trupit të saj, e çdo grua lakmon dekoltenë e saj të begatë. U shfaq dhe e ndezi internetin.
Çfarë do të thotë kjo – e ndezi internetin? Se lexuesit janë maniakë? Si i shfaqi brekët? Vallë, i zhveshi dhe përshëndeste me to nga dritarja?
Para disa ditësh lexova një titull të ri: Çfarë kanë të përbashkët princi Hari dhe gruaja e Pendarovskit. Dhe – çfarë kishin të përbashkët? Të dy i bashkuaka dashuria. E si? Paskan një dashuri të njëjtë për Meganin. Princi e dashka shumë të shoqen Megan Markëll, e dama e parë Elizabeta Gjorgievska e dashka shumë veturën – “reno megan”. E i gjithi ky lajm i përgatitur në tërësinë e tij me fotografi, vetura, gjithçka që nevojitet…

Në një ambient publik ku ky informacion vlen të publikohet, çfarë mendoni ju, si do të ndikojë kur zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Stoillkovski quan ministren e financave “gruperkë” Do të duket diçka normale. Dhe diçka e pritshme.
Prandaj, më pengon shumë kur kryeministri Zaev “u çmend” dhe filloi të fliste për “pedera” e për ata që “ia futkan kot”. Se “i paska plasur filmi”. Dhe për më tepër thoshte se është shprehur thjesht në mënyrë popullore. Dhe se “për njerëz të thjeshtë duhet folur në mënyrë të thjeshtë”. Me këtë sjellje, veç sa u ndihmon atyre të VMRO-së që nuk shqetësohen as për të drejta të homoseksualëve, as nuk respektojnë gratë në politikë, në përhapjen e histerisë dhe urrejtjes, ashtu sikurse e përhapnin në kohën e Gruevskit.
Në këtë mënyrë edhe kjo sjellje e tij do të bëhet diçka normale.

Përktheu: Fjolla Zllatku

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира