1Shfrytëzuesit e Kuzhinës popullore në Kumanovë dhe Staro Nagoriçanë kanë mbetur pa shujtën e tyre të përditshme, sepse Qendra për Punë Sociale nuk ka lidhur marrëveshjen me kompaninë që gatuan ushqimin. Ata thonë se kontrata e vjetër ka skaduar dhe se nuk është firmosur kontrata e re për shkak të gjendjes në vend. Fillimisht kanë ndryshuar ministrat, e tani nuk ka Qeveri. Dhe nuk ka se kush të firmos.
E pra, herën tjetër kur t’i prisni me padurim lajmet nga Reçica e Vogël, kujtoni këtë rast. Dhe kur të orvateni seriozisht t’i analizoni lëvizjet e BDI-së si mendim politik ose taktikë, sërish kujtoni këtë histori. Fort i bëhet vonë BDI-së për kuzhinën popullore në Kumanovë. Ata mendojnë vetëm se si të shpëtojnë lëkurën. S’u bëhet vona atyre as për Përzhinën, Pribenë, BE-në, NATO. Ata e kanë hallin e vetëm se si t’i shmangen burgut. Madje s’u bëhet vonë as për dygjuhësinë. Ata shohin vetëm se si ta zgjasin sa më shumë marrëveshjen me VMRO-DPMNE.
Në të vërtetë, Ali Ahmeti, tre muajve të fundit, pas debaklit në zgjedhje, bën të njëjtën gjë që bën qe dy vjet që kur shpërthyen bombat, partner i tij prej tetë vitesh, Nikolla Gruevski. Blen kohë. Dhe vetëm sheh se si ta shpëtojë partinë. Çdo të ishte Ahmeti dhe ata rreth tij pa partinë?
Pra çdo përpjekje seancat në Reçicë të vogël të interpretohen si reflektim i arsyeshëm është e pakuptimtë. Ata nuk punojnë me arsye. Ata veprojnë duke ndjekur instinktin e mbijetesës. Sepse, çdo ditë plus është në favor të Ahmetit. Gjë që i konvenon edhe Gruevskit. Në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk llogariten këtu vetëm ditët e kaluara në pushtet. Bëhet fjalë për para.
Për këtë arsye Ahmetit i nevojitet shumë kohë për të analizuar për përbërjen e qeverisë. Sepse nuk i del koha për të nxjerrë para.
Unë nuk e di pse ia zëmë BDI-së për të madhe që mban peng Maqedoninë. Duhet me vetveten të zemërohemi. Që e sollëm veten në situate që të na varet jeta nga syri i dytë i qeverisë së korruptuar. Dhe kur herën tjetër të thoni “Nuk më intereson politika”, kujtohuni se kush iu tërheq zvarrë qe tre muaj pas zgjedhjeve. Dhe kush iu shantazhon qe 13 vjet.
2Pas titujve dramatikë dhe bombastikë nga Reçica e Vogël – “BDI analizon nëse do të reflektojë që të sjellë vendime të cilin do vendosë a do të vendosë” – realiteti i Kuzhinës së Kumanovës fshihet: “Njerëzit kanë uri. Nuk kanë asgjë për të ngrënë. Ata më të rinjtë mund të lëvizin dhe të kërkojnë në kontejnerët e plehrave. Të moshuarit thjesht qëndrojnë në shtëpi të kapluar nga uria. Nuk e dimë se si është puna, nga Qendra e punëve sociale na thonë se nuk do të ketë ushqim pa u formuar Qeveria”, deklaroi një nga shfrytëzuesit e ushqimit falas.
Fakti që Kumanova ka kohë që është dygjuhësore nuk ndihmon që të rihapet kuzhina. Por rëndësi jetike ka fakti se që tani edhe vulat do të jenë në dy gjuhë. Dhe mungesa e ushqimit do të vërtetohet me një vulë të këtillë. Nëse do vdesësh i uritur, së paku vdis dygjuhësisht.
3Kundër kujt proteston VMRO-DPMNE? Kundër faktit se Gruevski nuk ia doli të formonte qeverinë?. Pra, protestojnë kundër dështimit të tyre.
4Dhe ndërsa Ahmeti na i merr mendtë me analizat për reflektim, partneri i tij Gruevski përforcon bastionin e tij të mosndëshkimit. Në Gjykatën Penale në Shkup, ku përfundojnë rastet e Prokurorisë Speciale Publike, gjyqtarët të cilët deri tani pengonin hetimet e PSP-së janë avancuar në detyrë, ndërsa ata të cilët kishin lëshuar urdhra sipas kërkesave të PSP-së janë zëvendësuar. Çka se Gruevski nuk formon qeverinë kur defterin e ka ende të vlefshëm. Mandatin e ktheu, Qeverinë nuk arriti ta formojë, pro gruevizmin e barrikadoi në gjyqësorin.
5Ndërsa për kryetarin e Këshillit Gjyqësor, gazetarët kanë faj për mënyrën se si kishin raportuar lidhur me ndryshimet në gjykatë të lidhura me rastet e PSP-së. Madje edhe na rrëfente broçkulla për të ashtuquajturit gazetare. Dy gjykatat më të rëndësishme punojnë pa kryetar të emëruar – Gjykata Supreme dhe ajo Penale në Shkup. Ish-kryetari dhe sërish kandidat për kryetar të ri humbi rastin për ndërtim të paligjshëm në qendrën e Shkupit. Kundër 13 gjyqtarëve që kishin firmosur peticion kundër tij ka dorëzuar peticion për shkarkimin e tyre. E ngarkuara me detyrën Kryetar, Tatjana Mihajllova i ka hequr kundërshtarët e Pançevskit nga rastet që kanë të bëjnë me PSP-në. Të punësuarit kanë paditur ish kryetarin për mobing. Gjyqtarë padisin penalisht njëri tjetrin. Ndërsa Kryetari i Këshillit Gjyqësor e sheh të udhës t’iu tregojë gazetarëve se si të shkruajnë. Sepse ata kinse raportojnë në mënyrë teatrale. Vallë tragjedi e vogël është ajo që po i ndodh gjyqësorit në Maqedoni.
Në fund të fundit, kemi dëgjuar Gordana Jankullovskën në bisedat e përgjuara me Trajko Veljanovskin se kryetarët e Këshillit gjyqësor nuk i kanë zgjedhur për bukurinë e tyre. Është e vërtetë se aty nuk flitet për Karaxhovskin por për Branko Ushkovskin. Shijet nuk diskutohen. Sepse në fund të fundit është e vërtetë se Këshillin Gjyqësor nuk e kanë zgjedhur sipas bukurisë. E kanë zgjedhur sipas Komiteteve komunale.
6Gruevski u kërcënua se do të ketë trazira nëse LSDM dhe BDI formojnë Qeveri. Ndërsa KOM-i kërkoi regjistrim të popullatës. Është koha që priftërinjtë t’i numërojnë xhipet e tyre. Është koha të fillojnë të paguajnë edhe tatimet, por ja le të bëjnë regjistrimin e mallit njëherë. Le të vlejë e njëjta edhe për Bashkësinë Fetare Islame (BFI). Që mos të ketë majorizim të KOM-it, dhe defaktorizim të BFI-së.
KOM kërkoi nga politikanët t’i respektojnë urdhërimet e Perëndisë. Mos vjedhin dhe mos gënjejnë.
Dhe mos të dëgjojnë bombat. Se aty do dëgjojnë për shumë mëkate.
Përktheu: Fjolla Zllatku