1 E tani, çfarë? Kryeministri Mickoski thotë se dyshon nëse fare duhet të dërgojë letër te Bashkimi Evropian me propozimet e tij për zhbllokimin e procesit negociues. Ishte në Berlin, ku u pa me kancelarin Olaf Sholc, plus dhe ndonjë ministër i Francës i ka dhënë mesazh personal nga Makroni, e veç kësaj paraprakisht ishte takuar edhe me disa liderë të tjerë evropianë. E tani thotë: “Kam dilemë personale, sepse atje kisha mundësi që t’i njoftoj të gjithë me pjesën më të madhe të përmbajtjes së letrës”. Ndërsa javën tjetër edhe Ursulla fon der Llajen do të vijë në Shkup, e kështu edhe asaj do t’ia thotë personalisht.
Pse heq dorë nga letra? Letra është dokument dhe lë një gjurmë të shkruar, ndërsa bisedat në selitë evropiane janë thjesht fjalë që i merr era. Thua se ata atje kanë vetëm Mickoskin në mendje dhe do të mbajnë mend se ç’u ka thënë. Për më tepër që , as Sholc, as ministri i Makronit, as të tjerët me të cilët kryeministri ka pasur “takime cilësore, të frytshme dhe përmbajtësore”, nuk janë të përhershëm. Nesër do të ndryshohen me politikanë të tjerë. Ose, letra me propozimin që futja e bullgarëve në Kushtetutë të bëhet menjëherë, por të vlejë nga momenti kur Bullgaria do ta nënshkruajë qasjen e Maqedonisë në BE, është menduar për komitetet komunale të VMRO-DPMNE-së, jo për Brukselin.
Mickoski publikut të këtushëm do t’i thotë: “Nuk e ndrydhim kurrizin”, ndërkaq këtu nuk ka guxim as të shkruajë një letër. Në vend që të bëjë shaka të tipit “vetëm opozita do të zhgënjehet ngaqë ai i mbron interesat nacionale”, le ta thërrasë Venko Filipçen, që ta shkruajnë letrën bashkë. Jemi bllokuar, të VMRO-së, të LSDM-së dhe të tjerë, në të njëjtën vrimë evropiane. Nga erdhi kjo se dikush do të zhgënjehet, e dikush do të krenohet? Bullgarët u mbytën nga shkrimi i rezolutave për Maqedoninë, madje në Kuvend votuan se maqedonasit dhe gjuha maqedonase nuk ekzistojnë dhe me këtë dokument krenohen në Bruksel, kurse ne nuk mundëm të shkruanim as edhe një letër, që të themi se kush jemi, çfarë kërkojmë, çfarë do të bëjmë, dhe cilat janë frikërat tona në raport me Bullgarinë.
Ashtu që, zoti kryeministër, je në pushtet, ulu dhe shkruaje letrën. Dhe vulose në kuvend para se ta dërgosh. Çfarë mund të humbim më tepër se koha që kemi humbur tashmë në rrugën drejt BE-së?
2 Sinqerisht, nuk e di se ku e bazon optimizmin e tij Mickoski, pasi ndërkohë që ai na shpjegonte se si ka kaluar në Berlin, ministrja gjermane për punët ë jashtme Analena Berbok në konferencën e shtypit të ministrit maqedonas Timço Mucunski deklaroi se derisa BE-ja të vendosë njëzëri, Maqedonia duhet t’i respektojë kompromiset dhe t’i futë bullgarët në Kushtetutë që t’i fillojë negociatat me BE-në. Tha gjithashtu që, derisa këto rregulla nuk ndryshohen, gjë për të cilën unë personalisht mbaj përgjegjësi, ato duhen respektuar”.
Domethënë, kjo është e gjitha. Nuk janë 14 gjykime në Gjyqin për të drejta të njeriut në Strasburg, që të mos mund të respektohen. Kjo është korniza negociuese e BE-së, si një gur i rënë nga universi, që përjetsësisht do të mbetet i njëjtë. Ashtu që, na mbeten dy opsione: Ose do ta ndryshojmë Kushtetutën, ose do të presim që BE-ja t’i ndryshojë rregullat e vendimmarrjes. Nuk e di se kush ka më shumë llogari që të presë.
Ndërkohë, kryeministri Mickoski do të mund ta zgjerojë listën e padrejtësive, të cilat ua shpjegon bashkëpunëtorëve të huaj. Na u desh të ndryshojmë emrin, na u desh të ndryshojmë flamurin, na u desh që disa herë ta ndryshojmë Kushtetutën, na u desh të ndryshojmë banknotat…Kurse disa funksionarë të qeverisë duhet të ndryshonin edhe pasaportën. Nuk ia ka vlejtur të presin derisa Evropa t’i ndryshojë rregullat.
3 Në Bullgari maqedonasit nuk mund të regjistrojnë as shoqatë për qytetarë, kurse te ne njëfarë shoqate qytetare në Tetovë ka vendosur të bëhet Akademi e shkencave dhe arteve të shqiptarëve. Kanë gjetur njerëzit se si të sigurojnë para për projekte e udhëtime!
Kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit në konferencën e shtypit janë marrë vesh që akademia të financohet nga paratë e komunës, derisa ajo të mund të marrë mbështetje shtetërore. Tre nga shoqata u paraqitën si akademikë të ardhshëm.
Kishte një klub nate në 1990-tat në shtëpinë para Qeverisë, që quhej “Klub Akademija”. Çfarë akademikësh që dilnin që aty, sidomos në orët e para të mëngjesit, s’ta merr mendja. Edhe unë kam pasur tentime që të bëhem akademik. Shumë vend elitar, nuk mund të hynte gjithsecili në Akademi. Duhej të mbaje fjalim që të të lëshojnë të futesh. Për më tepër që nuk kërkonim nga askush që të na paguajë qeranë dhe shpenzimet e rrugës si këta akademikët e rinjë të Tetovës. Vetë e paguanim edhe pijen.
Nëse komunat e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit konsiderojnë se me këtë gjë zgjidhin një prioritet të qytetarëve, sidomos të intelektualëve shqiptarë – super. Le t’i finansojnë.
4 Kështu-ashtu, po bëhet hekurudha drejt Bullgarisë, por kryeministri akoma tani na thotë se do të na kushtojë më shumë se ç’parashikohet. Matematikani, në intervistë me TV Sitel, llogariti kësisoj:
“Momentalisht, buxheti në realizimin e këtij projekti është 550 milionë euro, nga të cilat 350 milionë janë kredi, ndërsa 200 milionë janë grant. 350 milionë ne do t’i kthejmë. Duke pasur parasysh se realizuesi ka të drejtën e penalizimeve dhe klejmave. Eksperienca ime modeste prej inxhinieri thotë se do të kemi nevojë për të paktën edhe 200 milionë. Kështu që nga ato 350 do të arrijmë në gjysmë miliardë që do të duhet t’i paguajmë ne”.
Kurse eksperienca ime edhe më modeste, sërish, pyet: Pse realzuesit t’i paguhen penalizime dhe klejme”? Dhe prej ku fiks 200 milionë euro, e jo më pak ose edhe më shumë? Pyetjet janë nga eksperienca jonë moderse inxhinierike – “Mile, mu tek!”, “Mos janë shumë?”, “Nuk je fare deal-oriented” ose “përqindje për të verdhët” – që e takuam kur i dëgjuam bisedat e përgjuara për autostradën Kërçovë-Ohër.
Mickoski drejt fundit të gushtit deklaroi se i kanë ofruar mito që të kalojë tenderi për hekurudhën drejt Bullgarisë. Nuk tha se kush dhe sa ka dashur të blejë, por tha :”E dimë se si shkon kjo gjë, përmes kanaleve”.
Në Prokurori akoma nuk kanë marrë paraqitje nëse dikush dëshiron ta blejë kryeministrin. Nuk e dinin “se si shkon kjo”. Por, ja, e dimë se sa është shuma – 200 milionë euro.
Dhe e dimë se kryeministri konsideron se korrupsioni është gjendje natyrale.