KULAÇ PIRAMIDAL

Ky gol nuk është gol

1 I ndjek si Qeverinë, ashtu edhe opozitën, duke pozuar pranë hekurudhës Kumanovë – Beljakovcë, e cila u ndërtua për 28 vjet, dhe rrugëve, duke llogaritur kush sa përqind meritë ka për ndërtimin. LSDM-së tani i kujtohet të dalë në televizor, duke ndjekur shembullin e VMRO-DPMNE-së. Por kush është fajtor që nuk i përfunduan projektet ndërsa ishin në pushtet? Gjithmonë kam pyetur veten se pse, për shembull, nuk ka punëtorë pas orës katër pasdite në verë, kur dita është e gjatë? Dhe gjithmonë ka një justifikim: “E di, nuk është tamam ashtu.”
Epo, nuk është tamam ashtu, por ja që del se edhe kur ishin në opozitë, njerëzit e VMRO-së e ndoqën gjithçka me disiplinë dhe bënë plane për atë që do të përfundonin dhe që LSDM dhe BDI nuk e arritën.
Mua më intereson vetëm që të mund të ngasim në ato rrugë. Nuk ka rëndësi kush ka bërë sa përqind. Ajo që na intereson është sa kushtoi dhe kush vodhi, nëse vodhi. Nëse askush nuk ka vjedhur le të përfundojë aty muhabeti. Nuk kemi përse t’i urojmë për diçka që i zgjodhëm vetë dhe i paguam ta bëjnë.

2 Një tjetër shpikje e demokracisë maqedonase që do të studiohet në librat e së drejtës si një absurditet epik, thënë nga askush tjetër veçse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Ai deklaroi se “interpelanca, për nga natyra e saj, nuk sjell pasoja ose efekte juridike.”
Kuvendi votoi për interpelancat e Gashit dhe disa ministrave, të cilat nuk kaluan. Por interpelanca për kryetaren e Komisionit për Politikë Sociale Ilire Dauti u miratua me shumicë votash, që automatikisht do të thoshte se duhej shkarkuar, jo të pritej dorëheqja e saj. Ndërkohë, Gashi na shpjegoi se votimi për shkarkimin e saj “nuk ka pasoja juridike.”
Atëherë, nëse interpelanca nuk ka pasoja juridike, përse votohet fare? Deputetët mund të debatonin thjesht për të plotësuar agjendën e ditës dhe për të marrë mëditje. Dhe kjo, jo në ndonjë kafene, por në Kuvend, ku bëhen ligje. Si mund të mos ketë pasoja juridike diçka që votohet në Kuvend? Deputetët ndryshuan Kushtetutën, ndërruan emrin e shtetit, ndërruan flamurin, por nuk mund të shkarkojnë kryetaren e një komisioni, edhe pse votuan për ta shkarkuar.
Sipas logjikës së Gashit, as ligjet që miratohen në Kuvend nuk kanë pasoja juridike. Siç ai nuk ka pasoja kur kalon kufirin me Kosovën pa pasaportë, me gjithë të ftuarit e dasmës, dhe kur përdor policinë për të ndihmuar presidenten e Kosovës të shmangë kontrollin e bagazhit në aeroport.

3 VMRO-DPMNE mban konferenca për shtyp çdo ditë, duke akuzuar Artan Grubin për krime milionëshe, ndërsa LSDM hesht për të qëndruar në pushtet një ditë më shumë. Deputetët e VMRO-së votuan për interpelancën e Dautit, por heshtën kur Gashi tha se votimi nuk kishte efekt juridik.
LSDM hesht për krimet e Grubit, VMRO hesht për absurditetet e Gashit. Koalicioni për demokraci nuk prishet lehtë.

4 Komisionerja e re për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, propozoi një ndeshje futbolli midis vendeve kandidate dhe vendeve anëtare. Nëse bëhet me futboll, do të luajmë futboll. Por çfarë do të ndodhë nëse fitojmë? A do të na pranojnë? Po, po…
Nëse Mickoski shënon gol, Bullgarët do të thonë: “Ky gol nuk është gol” dhe do të vendosin veton e radhës.
Që nga dhjetori 2005 jemi vend kandidat për anëtarësim në BE. Po afrohen 20 vjet duke luajtur me ne.

5 Një byrektore në Manastir u ofronte blerësve mundësinë të vendosnin monedhën në kulaç për festën e Shën Vasilit. Populli beson se kujt i bie monedha do të ketë lumturi, ndërsa rrjedhat bashkëkohore të jetës i kanë ndërruar zakonet, e kështu, në ndonjë vend, atij që i bie monedha i japin para edhe të tjerët.

Manastiri është i njohur për mashtrimet piramidale. Populli thotë se “lumturia nuk blihet me para,” por është mirë të kesh para edhe në kulaç, edhe në xhep.
Kjo nuk është ndonjë krim i madh, por tregon se mashtrimi nuk konsiderohet problem, qoftë edhe për një arsye banale si një lojë festive. Për këtë, askush nuk është fajtor, veç ne vetë. Si popull, ashtu edhe shtet.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира