KURRËN E KURRËS

Nuk shkatërrohet progresi ashtu, kuturu, për dy-tri vende drejtorie.

1 Kemi dramë të dyfishtë. Këto lajmërime për një shumicë të re parlamentare u bënë të njëjta si me datën për fillim të bisedimeve me BE-në dhe veton nga Bullgaria. Ja, sot do të bëhet, nesër do të bëhet, sapo u bë, por javën tjetër do të dihet…
Të merremi vesh. Veçmas përrallave të mëdha për perspektivat euroatlantike për paqe në vend dhe në botë, bëhet fjalë për bisedimet që sa vende drejtuese dhe të ministrive t’u jepen partnerëve të rinj të koalicionit. Dhe nëse Ali Ahmeti në emër të perspektivës euroatlantike, të cilën e ka shumë të rëndësishme, është i gatshëm që BDI të heqë dorë nga ndonjë pozicion. Ose do ta shantazhojë Zaevin në emër të perspektivës euroatlantike, LSDM të heqë dorë nga vendet e saja.

Në të vërtete, “bashkimi i progresit” është bashkimi i vendeve të ministrive. Dhe këto do të ndahen relativisht lehtë. Por, drama do të duhet të vazhdojë javën tjetër, rreth bisedimeve për vendet drejtuese. Nuk shkatërrohet progresi, kuturu, për dy-tre vende drejtori.

2 Kryetarja e re e qytetit të Shkupit Danella Arskovska ndaloi së luajturi rolin e një kandidateje të pavarur e përkrahur nga VMRO-DPMNE vetëm 3 ditë pasi u fut në funksion. Akoma nuk jam i sigurt se ideja që të mos shfaqet në ndarjen e çmimit “13 nëntori” ka qenë e saj, ose e partisë që e përkrahu. Po të ishte vetëm e saj, nuk do të shfaqej as në vendosjen e luleve në përmendoren e çlirimtarëve të Shkupit. Shpjegimi për mosshfaqjen në ndarjen e çmimeve, që ngjarja ka qenë organizim i Petre Shilegov-it, eh bash ashtu – në stil të VMRO-së edhe do të çojmë inate edhe do të pështyjmë gjithçka, akoma edhe fituesit e çmimit dhe do ta çojmë në stilin “gjithçka fillon nga ne”. Sepse, Petre Shilegovi e shpiku çmimin.
Asgjë nuk e ndaloi Danellën që në fillim të mandatit u nis me mënyrat partiake edhe atë në ngjarjen më protokolare. E ka zgjedhur momentin e duhur. Ditën e çlirimit të Shkupit nga okupatori fashist.

Dhe kështu, shumë shpejt mbaroi shfaqja “Gruaja e parë në krye të Shkupit pas Vera Aceva-s” Me mosrespektimin e festës së çlirimit të Shkupit, Danella Arsovska e ofendoi mu përmendoren e të vetmes kryetare femër të Shkupit, partizanen Vera Aceva.

3 Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski në intervistën e tij të fundit për Telma tha që “e drejta e zgjedhjes është e garantuar me Kushtetutë që dikush të vaksinohet apo jo dhe kështu të imunizohet” dhe se “dikush vendos të mos imunizohet me vaksinë dhe ta kalojë këtë virus, kështu duke fituar imunitet”.
Ai tha që nuk i interesojnë kushtetutat e Greqisë, Gjermanisë dhe Austrisë ku kufizohen të drejtat e pavaksinuarve.

Nuk besoj që cilado Kushtetutë lejon të infektosh njerëzit e tjerë me sëmundje ngjitëse. Edhe atë me sëmundje për të cilën nuk ka ilaç, por ka vaksinë. Sepse edhe te kushtetuta jonë, neni 39 është shkruar që “ Qytetari ka të drejtë dhe detyrim ta ruajë dhe ta zhvillojë shëndetin e vet dhe shëndetin e tjerëve”. Që do të thotë se e drejta që dikush të “imunizohet” me sëmundje ngjitëse është në kundërshtim me të drejtën që tjetri të mbetet i shëndoshë. E drejta e dikujt që ka vendosur me imunizim natyral ta okupojë stafin mjekësor dhe të bllokojë spitale është në kundërshtim me të drejtën e tjetrit të ketë akses deri te i njëjti staf mjekësor dhe spitale. Sepse, sigurim shëndetësor paguajnë edhe ata që kanë të drejtë të infektohen, por edhe ata që duhan të mbeten të shëndoshë.

Nuk e di si arritëm deri në këtë gjendje që këtë ta debatojmë me liderin e partisë më të madhe në opozitë. Si politikan, Mickovski për gjithçka ka qëndrim të kundërt, dhe nga populizmi i pastër thotë që çdokush ka të drejtë të infektohet me një sëmundje ngjitëse dhe të vdesë nëse fatin e ka pasur të tillë. Mirëpo, kjo duhet t’i shpjegohet profesorit Mickovski, i cili është një inteligjencë teknologjike. Shumë më intereson çfarë mendon profesori Mickovski për politikanin Mickovski, deri sa përpiqet të bindë secilin që ka të drejtë të vë në rrezik jo vetëm jetën e vet, por edhe jetën e të tjerëve përreth.

4 Në Bullgari, te zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në pikat zgjedhore në Maqedoni kanë votuar 650 votues. Nga 130.000 qytetarë maqedonas për të cilët bullgarët thonë që kanë pasaportë bullgare, te zgjedhjet kanë votuar 0.5 %. Përveç nëse të tjerët nuk kanë shkuar të votojnë në Petriç dhe në adresën dhe shtyllën në Qystendil, ku Karakaçanov ua vërtetonte vendbanimet në Agjencinë e bullgarëve që jetojnë jashtë vendit.

5 Ministri për transport Bllagoj Boçvarski tha që punët te autostrada Shkup – Bllacë janë të kryera deri në gjysëm. Ndarja është e gjatë dy kilometra.

E gjithë autostrada duhet të jetë e gjatë 12 km. Dy kilometrat e para duhej të ishin gati verën që iku. Ministri Boçvarski thotë që do të jenë deri verën e ardhme. Duke pasur parasysh me tempon me të cilën po ndërtohen rrugët nëpër shtet, me shumë siguri 10 kilometrat e ardhme do të jenë gati kur të mbarojë autostrada nga Kërçova deri në Ohër. Kurrën e kurrës.

Përktheu: Fjolla Zllatku 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира