LETËR PËR ASKUND

Do të shkruanim dhe letër, por nuk kemi se kujt t’ia dërgojmë

1 Qeveria ka një ide se si t’i zhbllokojë negociatat me BE-në. Por, nuk i shpejtohet.
Kryeministri Hristijan Mickoski bëri të ditur se “përmes kanaleve institucionale do të drejtohet dhe do të punojë me Komisionin Evropian dhe me partnerë për gjetjen e një zgjidhjeje, e cila do të jetë dinjitoze dhe në përputhje me interesat nacionalë”. Ministri për eurointegrime dhe negociuesi kryesor për BE-në, Orhan Murtezani tha se në Qeveri po përgatitet një letër, por janë ende në fazën e bisedimeve të brendshme, pasi “edhe sikur të kishim propozim, nuk do të shpejtonim që ta botojmë para se të mbarojnë zgjedhjet në Bullgari”. Ndërsa ndaj kërkesës së liderit të opozitës Venko Filipçe që Qeveria në seancën e Kuvendit t’i thotë propozimet për atë se si do ta zhbllokojë procesin, zëdhënësja Marija Miteva u përgjigj se Qeveria me letër do ta lajmërojë Kuvendin “se kur do të jetë gati vendimi”.

Me padurim po e presim letrën.

Por ndagalë, në fillim le të mbarojnë zgjedhjet në Bullgari. Pastaj, atje të formohet Qeveria, nëse kësaj radhe ia dalin që ta formojnë. Nëse jo, do të presim edhe një palë zgjedhje të tjera të Bullgarisë.

Prisni, në fillim të zgjidhet përbërja e Komisionit të ri Evropian, e pastaj t’u japim kohë komisarëve të rinj evropianë që t’i përvishen punës. Përndryshe, letrën do ta kishim shkruar që tani. Por, nuk kemi se kujt t’ia dërgojmë.

Për më tepër që Bashkimi Evropian nuk do të ndërmarrë ndonjë hap kush e di sa ndryshe në politikën e zgjerimit, të paktën derisa të kenë kaluar zgjedhjet në Gjermani vjeshtën e ardhshme.
Ashtu që, do të presim edhe gjermanët që të shohim se kë do të zgjedhin.

Në atë periudhë pak a shumë do të jenë edhe zgjedhjet tona lokale, kështu që do t’i presim edhe ato.

Kështu që, 2030 ndoshta nuk është data reale se kur Maqedonia mund të bëhet anëtare e BE-së. Por, për hir të së vërtetës, është reale se deri 2030 letra do të mbërrijë në institucionet evropiane, edhe sikur të udhëtojë me dërgesë të rekomanduar nëpërmjet “Postës së Maqedonisë”, në binarët e shpejtë të “Hekurudhave të Maqedonisë”.

2 Fakti që ministrja e energjetikës Sanja Bozhinovska ka shtetësi bullgare nuk është diçka joligjore. Realisht, nuk është problem të kesh dy, e në rastin e ministreshës Bozhinovska dhe tri shtetësi – maqedonase, çeke dhe bullgare. Problemi është që e ka fshehur shtetësinë bullgare. Mos i vjen turp, vallë, nga pasaporta bullgare? Ama nuk ka pasur turp kur ka vërtetuar se është bullgare.
Nuk e them për ta gjykuar minstren. Nuk kërkojmë as arsyetim se pse i ka marrë shtetësinë bullgare dhe çeke. Ne vetëm kërkojmë përgjigje se pse nuk i ka paraqitur.  Është e thjeshtë – ajo është bartëse e një funksioni publik. Si mund t’i besojmë se do të punojë për interesat e Maqedonisë, e jo për interesat e Bullgarisë dhe Çekisë? E drejton sektorin e energjetikës. Kemi të bëjmë me çështje strategjike. Vallë, mundemi thjesht t’i besojmë në fjalën që thotë? E si ta bëjmë, kur një herë e kemi parë që ka fshehur një të dhënë të rëndësishme për votuesit dhe tatimpaguesit? Apo t’i pyesim avokatët se a mund t’i besojmë?

Gjëja më e mirë do të kishte qenë nëse kryeministri Mickoski në një ditë i publikon të gjithë ministrat dhe deputetët e tij që kanë pasaportë bullgare. Do të ketë zhurmë për një javë, deri te afera e radhës, ata do të vazhdojnë punën, e ne do të dimë se me kë kemi të bëjmë.
Jo për tjetër, por sepse Bullgaria me siguri ka të dhëna për të gjithë politikanët maqedonas që kanë nënshtetësi bullgare. E sipas nevojës, ua nxjerr emrat. Nuk janë budallenjë që të mos ua nxjerrin. Edhe unë po të isha në vend të tyre, do t’i publikoja. Sidomos emrat e atyre që janë më të zëshmit kundër Bullgarisë. Të atyre që këtu na flasin për krenari, ndërsa në xhep mbajnë nga dy pasaporta, për çdo rast.

Në fund të fundit, VMRO-DPMNE-ja ka shumicë në Kuvend, le ta ndryshojnë ligjin. Ai që dëshiron të jetë funksionar shtetëror, të mos guxojë të ketë shtetësi të dyfishtë. Dje kryetar komune, sot ministër, nesër ndoshta do të na bëjnë të votojmë edhe kryetar shteti me shtetësi të dyfishtë. Le të mos shkojmë shumë larg, të mos e teprojmë me paranojë dhe teorira konspirative e të pyesim se për cilin shërbim punojnë. Por ama, ndryshe, si mund ta dimë se cilin atdhe e duan më shumë?

3 Ministrja e financave Gordana Dimitireska-Koçoska në Budapest e nënshkroi marrëveshjen për kredi nga Hungaria në shumë prej 500 milionë eurosh.
Qeveria hungareze e Viktor Orbanit është partner strategjik i Qeverisë së Maqedonisë të Hristijan Mickoskit.

Hungaria është një shtet, ku shërbimet sekrete arritën ta shpëtojnë nga burgu kryeministrin e kaluar Nikolla Gruevski, i dha azil politik dhe për të gjashtin vjet radhazi e mban në Budapest.

Hungaria gjatë këtyre gjashtë muajve është kryesues i Bashkimit Evropian, Dhe këtë kredi e ka miratuar mu në periudhën kur kryeson me Bashkimin Evropian

Hungaria si kryesuese e Bashkimit Evropian votoi që të ndahen Maqedonia dhe Shqipëria nga paqeti i negociatave me BE-në. Për Shqipërinë i vazhdon negociatat, kurse për Maqedoninë jo.

A nuk është diçka e çmendur kjo?

Ky është një episod tjetër nga diplomacia maqedonase kosmodisk. Tingëllon çuditshëm, ama funksionon. Kurse se me ç’pasoja – të jemi shëndosh e gjallë, do të na bëhet e qartë vetë.

4 Duke rilexuar kolumnat e mia të vjetra të botuara rreth kësaj kohe, në lidhje me festën e kryengritjes popullore kundër okupatorit fashist, gjeta kolumnën time “Shkëlqimi i rremë” që e kisha botuar në gazetën “Veçer” më 12 tetor 1996. Ja një fragment i saj:

“Para disa ditësh në redaksi më vizitoi një plak dhe më dha një letër të shkurtër, të cilën ai e kishte shkruar për amerikanët. Në letër, duke kujtuar Luftën Nacionalçlirimtare dhe herën e parë kur u dëgjua ‘Zëri i Amerikës’ në vitin 1942, ai shpresonte se amerikanët do të na ndihmojnë tani për të ruajtur shtetin tonë. Kur e pyeta se çfarë të bëj me letrën, ai m’u përgjigj: ‘Nuk kërkoj asgjë!’. Duke parë habinë time të qartë (si mund dikush në këtë kohë të mos kërkojë asgjë), plaku me zë të dridhur dhe me sy të përlotur më shpjegoi: ‘Asgjë, vetëm ta ruajmë këtë të artën…’. Dhe iku.

Dje patëm një problem duke qenë se nuk mundeshim të vendosim se kush do të shkruante një tekst të përshtatshëm për festën e 11 Tetorit. Kështu kujtova ndodhinë me plakun dhe letrën e tij. Prandaj vendosa që pjesën festive të sotme t’ia kushtoj atij. Pse, vallë, kishte nevojë që dikujt t’i thoshte në mënyrë kaq prekëse: ‘Vetëm ta ruajmë këtë të artën…”

Dhe çfarë mund të thotë dikush pas 28 viteve në të njëjtën datë, për të njëjtin rast?

Vdekje fashizmit. Liri popullit. Ky slogan nuk del kurrë nga moda.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира