LETS GOU TU DISKO

"Siguria shtetërore nuk meriton të jetë temë për publikun." Vërtet? E çfarë atëherë meriton të jetë temë për publikun?

1 “Sanja Bozhinovska është më maqedonase se të gjithë ju bashkë,’ deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e parlamentit duke iu përgjigjur pyetjes nëse e kishte ditur që ministrja e energjetikës kishte pasaportë bullgare kur formonte qeverinë. Nuk e di nëse kryeministri ka ndonjë ‘maqedonometër,’ e këtë krahasim të ‘maqedonasllëkut’ ia drejtoi vetëm deputetëve të LSDM-së që ishin në sallë, megjithatë teza e tij është mjaft fyese për të gjithë ne që nuk kemi pasaporta bullgare.”

Pra, ministrja Sanja Bozhinovska, e cila në vitin 2004 nënshkroi se kishte vetëdije bullgare për të marrë një pasaportë bullgare “për arsye ekonomike,” është më maqedonase se të gjithë ne që kemi vetëm pasaportë maqedonase. Domethënë, ne që nuk kemi marrë pasaporta bullgare jemi budallenj, nuk duam të bëjmë biznes në BE, nuk duam që fëmijët tanë të studiojnë shumë më lirë si qytetarë të BE-së, nuk duam të kalojmë kufijtë lehtësisht, nuk duam të blejmë banesa në Spanjë, Portugali, Kroaci, duam të paguajmë roaming të shtrenjtë, kënaqemi kur policët në Gjermani na poshtërojnë duke na numëruar ditët nga vula në vulë në pasaportë, se mos rastësisht kemi tejkaluar qëndrimin e lejuar… Ne nuk kemi arsye ekonomike. Nuk duam që për ne të dijë “kremi i biznesit nga Ukraina deri në Spanjë dhe nga Skandinavia deri në Athinë,” siç tha kryeministri për Bozhinovskën.

Njoh disa maqedonas që fshehin se kanë pasaporta bullgare. Kur i pyes: pse more pasaportë bullgare kur thua që nuk ndihesh bullgar, babai dhe nëna jote nuk janë bullgarë, gjyshërit dhe stërgjyshërit nuk janë bullgarë, nuk keni jetuar mjaftueshëm gjatë në Bullgari që të keni të drejtë për shtetësi, nuk keni lindur atje, nuk keni të afërm atje, nuk jeni martuar me ndonjë shtetas bullgar, nuk e dini gjuhën bullgare, zakonisht më përgjigjen me: Eh, e di… nuk e di. Hajde, më thuaj pse? Ti e di. Jo, unë nuk e di. Nuk e di si mund të them që jam bullgar kur nuk jam.

Pra, nuk ke vetëdije bullgare, por ke shkuar atje, qëllimisht ke hequr dorë nga identiteti, ke tradhtuar paraardhësit, familjen, gjithçka që ka qenë para teje, e ke gënjyer shtetin bullgar se di gjuhën bullgare, se ndihesh bullgar. Pse? Për arsye ekonomike. A nuk është kjo shitje e shpirtit?

Ore, ti e di. Jo, nuk e di. Unë e di si merret pasaporta bullgare. Por, asnjëherë nuk më ka shkuar ndër mend të shkel atë çka është imja dhe të bëj tregti me identitetin. Së pari me identitetin tim, e pastaj edhe me atë të gjithë kombit. Sepse një nga një, u bëtë 150.000.

Dhe tani Mickoski dhe Bozhinovska na thonë se ata që e kanë shitur shpirtin e tyre janë më maqedonas se ne. Sepse dëshironin të shkonin më shpejt në BE se ne. Dhe të njëjtit na shiten si maqedonas krenarë, ndërsa ne që kemi mbetur me pasaporta maqedonase na quajnë veriorë e shumëçka tjetër… Për ta ka qenë më e lehtë të thonë se janë bullgarë sesa të thonë se janë maqedonas nga Maqedonia e Veriut. Qajnë se na kanë detyruar të ndryshojmë emrin, ndërsa ata e kanë ndryshuar identitetin e tyre. Dhe as që u ka bërë përshtypje se duhet të tradhtojnë, si baballarët ashtu edhe nënat, gjyshërit dhe stërgjyshërit, të paguajnë avokatë, apo edhe të jetojnë me mijëra njerëz të regjistruar me adresën e një shtylle elektrike në Blagoevgrad. Ne, që kemi vetëm pasaportë maqedonase, të paktën kemi duruar, kemi mbetur maqedonas. Ata, “ekonomistët”, vetë janë shpallur bullgarë.

Shihni punët tuaja. E dimë se ideja kryesore që ju udhëheq është “arsyet ekonomike”. Mos na mashtroni me nacionalizëm, e as me patriotizëm. Vetë e thoni – Juve ju interesojnë vetëm paratë.

2 Pas lajmit që erdhi nga Bullgaria se drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Bojan Hristovski ka dhënë provimin e gjuhës angleze TOEFL në një studio gjuhësore që nuk organizon provime të tilla, Mickoski na thotë: Siguria shtetërore nuk meriton të jetë temë për publikun.

Oh, vërtet? Dhe çfarë atëherë meriton të jetë temë për publikun? Edhe shtetëisa bullgare dhe ajo çeke e ministres Bozhinovska është një temë e sigurisë shtetërore. Energjetika është në pyetje. Si mund të jemi të sigurt se ajo nuk e do më shumë Çekinë ose Bullgarinë se Maqedoninë? Por Mickoski i beson asaj. Si, kur ajo tashmë e ka gënjyer dy herë. Një herë e mashtroi shtetin bullgar kur tha se kishte vetëdije bullgare, kur në të vërtetë nuk kishte, dhe herën e dytë votuesit maqedonas kur nuk u tha se kishte edhe dy atdhe të tjerë rezervë.

Thua me vete, Mickoski ka gabuar, nuk e dinte se Bozhinovska kishte pasaportë bullgare dhe nuk e dinte se Hristovski kishte një diplomë për gjuhën angleze të lëshuar nga një studio gjuhësore që nuk ekziston në Bullgari. Por, a ka kaq pak njerëz të tjerë në VMRO-DPMNE sa që e mbron me kaq zell?

Doli se ajo studio “Julija” në Plovdiv lëshonte certifikata të falsifikuara TOEFL edhe për njerëz të tjerë që donin të ishin drejtorë në institucione shtetërore. Nuk e kaluan provimin e anglishtes në shkollat tona që janë të akredituara për të lëshuar certifikata TOEFL, por shkonin në Bullgari. Për një TOEFL të kualitetit evropian, jo ndonjë TOEFL të padobishëm maqedonas.

Kjo me provimin e gjuhës angleze në Plovdiv më kujton një reklamë të vjetër kur gjyshi dhe gjyshja mësojnë anglisht nga kasetofoni dhe përsërisin: “Lets gou tu dhë disko tunajt” Koha e re sjell sfida të reja. Lets gou tu Plovdiv tunajt. Do të jemi më maqedonas se maqedonasit.

Dy drejtoreshat tashmë janë dënuar me kusht me burg për mashtrim, pasi kishin paraqitur diploma të falsifikuara nga e njëjta studio gjuhësore ku ka ka kaluar provim edhe drejtori i ri i ASK. Ama Hristovski nuk është drejtor i një shkolle fshati, por kreu i një shërbimi sekret, puna e të cilit, ndër të tjera, është të parandalojë mashtrime të tilla.

Kryeministri Mickoski në Kuvend tregoi disa dokumente me këto certifikata të falsifikuara dhe ia dha Venkos Filipçes. Pse ia jep liderit të LSDM-së? Le t’i dërgojë në Prokurori. Ajo është adresa e duhur. Dhe ndërsa presim që Komisioni për Antikorrupsion dhe Prokuroria të debatojnë se kush është kompetent për të hetuar skemën e diplomave të Plovdivit për gjuhën angleze, ndërkohë, mund të shkatërrohen edhe provat.

Çfarë mendonin? Se bullgarët do të luajnë butë me ne? Se do t’u respektojnë privatësinë? Se nuk do t’i nxjerrin të gjitha shtetësitë, të gjitha kompanitë dhe të gjitha certifikatat dhe diplomat, qofshin ato të falsifikuara apo të vërteta? Le t’i nxjerrin. Pak e patën atje kur i poshtëruan kur kënduan këngë bullgare, tani le të poshtërohen edhe një herë. Të dimë me kë kemi punë në shtëpi.

3 Mickoski vendosi se nuk ka nevojë t’i shkruajë letra Bashkimit Evropian me propozimin që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë të jetë me ndikim të shtyrë deri në pranimin tonë në BE. Mendoj se duhet ta kishte shkruar dhe ta kalonte në Kuvend, por ja, ka ndonjë strategji të tijën. Por, përkundrazi, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, dërgon letra sa hap e mbyll sytë. Edhe për fqinjët, edhe për BE-në, edhe për SHBA-të. Po ankohet se është në rrezik Marrëveshja Kornizë.

Marrëveshja Kornizë është tashmë pjesë e Kushtetutës. Ç’ka teptisur Ahmeti – kornizë, jokornizë? A do të thotë se atyre nga Kushtetuta u intereson vetëm pjesa e përfaqësimit të drejtë, kurse për pjesën tjetër të Kushtetutës as që u bëhet vonë? Kushtetuta rregullon edhe të drejta dhe detyra të tjera, jo vetëm se sa shqiptarë duhet të jenë ministra e drejtorë.

Më duket se nuk i intereson as Kushtetuta, as ligjet. As Marrëveshja Kornizë nuk i intereson. Asgjë tjetër përveçse të jenë në pushtet.

4 Ideja e Mickoskit për të na thirrur të gjithëve, së bashku me ASHAM, për të marrë pjesë në hartimin e një strategjie kombëtare deri në vitin 2050 është super.

Në kontekstin e mendimit strategjik, dua të theksoj se më 29 tetor u shënua 80-vjetori i daljes së gazetës “Nova Makedonija”. Në fund të vitit do të kalojnë 80 vjet nga transmetimi i programit të Radio Maqedonisë. Ky muaj do të shënojë 80 vjetorin e çlirimit të të gjitha qyteteve maqedonase nga pushtuesit fashistë.

Gazeta e shënoi përvjetorin me një faqe të parë. Dhe aq. Është private, aq mund. Por shteti nuk e gjeti të arsyeshme të organizojë as një akademi solemne. As strategji nga ASHAM, as një urim nga presidentja, nga kryeministri, nga kreu i Kuvendit. As bilboard, as festë. Heshtje. 80 vjet, si të mos kishte ndodhur asgjë.

“Nova Makedonijës” dhe “Radio Maqedonisë” i këndojmë në himnin – “Këngë të reja, gazeta të reja”.

Një vendi që nuk i mban mend shtyllat e shtetësisë të vendosura në antifashizëm, nuk i kanë faj bullgarët.

5 Në Kuvend u promovua e ashtuquajtura “dhoma e shurdhër”, e pajisur me mbrojtje speciale nga përgjimi dhe rrjedha e informacionit, ku do të shqyrtohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë për shtetin, ku hyrja lejohet vetëm me një certifikatë sigurie të nivelit më të lartë.

Tek ne, nga momenti që ka dy njerëz në një dhomë, ajo nuk është më “e shurdhër”. Derisa të dalin nga takimi, tashmë personi i tretë dhe i katërt do e kenë  kuptuar se çfarë është biseduar dhe e përhapin kudo.

Jo më kot në kohën e Turqisë për maqedonasit thoshin: “Dy komitë – tre informatorë.”

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира