1 Çfarëdo që të shkruaje për Zoran Zaevin të dielën kur dha dorëheqjen si kryeministër, rrezikoje të akuzohesh ose se e mbron ose se e sulmon. Nu ka të tretë. Kjo është dhimbja e publikut tonë – ose e doni dikë pa kritikë, ose e urreni pa kritikë. Prandaj është e vështirë të perceptohet objektivisht edhe gjesti i tij i fundit – dorëheqja. Ai tha se do të largohej dhe ja që u largua. Ndërsa mund lirisht të qeveriste edhe dy vite të tjera, sidomos tani që ka siguruar edhe një herë shumicën parlamentare.
Zaev bëri një mori gabimesh dhe bëri deklarata kontroverse. Megjithatë, si politikan, ai shënoi një periudhë kyçe në historinë e shtetit maqedonas. Me përpjekjen e tij personale, ai zgjidhi mosmarrëveshjen tridhjetëvjeçare me Greqinë dhe e futi vendin në NATO. Si maqedonas, me gjuhën maqedonase. Dhe me Maqedoni në emër të shtetit. Nuk ishte e lehtë. Sepse, i rrezikohej jo vetëm karriera politike, por edhe jeta.
Megjithatë, arriti një nga synimet kryesore – NATO.
Qëllimin e dytë – datën për fillimin e negociatave me BE-në, nuk e arriti, por jo për fajin e tij. Për këtë, fajin e mban Bashkimi Evropian.
2 Në shtëpi, solli lirinë, por nuk e solli drejtësinë. Ndërsa doli me parullën “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”. Numëruesja për paratë e vjedhura e vendosur në Porta Makedonija, të cilën ai personalisht e ka dhuruar, nuk lëvizi kurrë.
Pjesa më e keqe e qeverisjes së tij është se shteti është kapur nga partia. Dhe ai as që u përpoq ta ndryshonte këtë. Thoshte: “Të mos lejojmë kurrë që kjo e keqe të përsëritet”. Por, nuk bëri një sistem efektiv që kjo e keqe të mos ndodhë më kurrë. Nuk ia doli as korrupsionin ta mposhtë. Për shembull, një showman të kalibrit të Boki 13 e bëri faktor në vend. Një manjat mediatik me kurorë në kokë, të cilit iu përkul e gjithë qeveria, gjyqtarë, prokurorë dhe prokurorë specialë.
Nuk e di nëse zgjodhi të dëgjonte vetëm ata që e lavdëronin, apo thjesht mendoi se “në shtëpi do ta ketë më lehtë se me Ciprasin”, por misteri mbeti se përse ai ishte i gatshëm të grindet edhe me ata me qëllim të mirë dhe të sinqertët ndërsa i mbronte të paaftët dhe hoshtaplerët e ngjitur rreth tij. Vallë sa iu detyrohej atyre për t’ua mbrojtur interesat e biznesit? Ia hanin kredinë që u kishte dhënë vet ai. Por, askush nuk ia ka fajin për këtë. Ishte zgjedhja e tij – t’i mbante mbi supe edhe krimet e tyre.
U largua nga posti i kryeministrit edhe me ngarkesën e tyre. Por u qëndroi besnik deri në fund. Ndryshe nga ai që u arratis në Budapest, i cili jo vetëm që la në burg kushërinjtë dhe bashkëpunëtorët më besnikë për gjithçka që i vinte në mend, por la edhe fëmijët e tij të mitur.
3 Nga pritjet e mëdha që patëm kur ra regjimi i Gruevskit, harrojmë se Zaev nuk erdhi në pushtet në kushte ideale. Ai formoi një qeveri me vetëm 49 mandate të fituara pas 11 vitesh në robëri dhe një sulm ndaj Kuvendit ku për pak sa nuk vdiq. Luftoi një opozitë, qëllimi i vetëm i së cilës ishte të shpëtonte kriminelët nga partia e tyre së bashku me kryterin e nderit të arratisur. I është dashur të bëjë koalicion me BDI-në, e cila nuk i pëlqen reformat në drejtësi për shkak të pasojave nga bashkëpunimi me të arratisurin në Budapest. Për të kompletuar tablonë e madhe – hyrjen në NATO dhe negociatat me BE-në, duheshin bërë kompromise si falja dhe koalicione të panatyrshme.
Prandaj drejtësisë nuk i ka ardhur ende radha.
Shantazhi i opozitës nuk ishte problem për Zaevin. Madje as kapaciteti i kufizuar i njerëzve të LSDM-së. Por perceptimi i imazhit të tij publik më shumë u formësua nga klikat partiake, veçanërisht ato thuajse elitiste, të cilat nuk mund të pajtoheshin që partia drejtohej nga një provincial që kishte bërë pasurinë e tij me bujqësi. Brenda partisë e quanin “Murtinas”, “Specar”, “Budalla nga krahu i fshatarëve”, duke mos vënë re se sa njerëz të thjeshtë dhe “fshatarë” ka në elitat e Shkupit. Sepse ata janë të tyret. Nga ndarjet e tilla, LSDM-ja nuk mund të bëjë një vlerësim objektiv të trashëgimisë së tij politike si lider që e demokratizoi partinë duke vendosur zgjedhje të drejtpërdrejta për kryetar të saj.
Në fund të fundit, nuk më bëhet fare vonë për LSDM-në dhe lojërat e tyre. Por dëmi për komunitatin nga kjo sjellje e LSDM-së është se do ta rikthejë regjimin e VMRO-së dhe do ta kthejë Gruevskin në një variant edhe më të keq. Ata nuk e morën mësimin, sepse janë ende të bindur se fajin për humbjen në zgjedhjet e fundit e kanë votuesit.
4 Njësisë së zjarrfikësve në Rankovce më në fund iu dha një telefon pasi banorët për katër vjet me radhë shkonin në stacion pët të paraqitur zjarrin.
Komuna Qendër me shtylla ndau dy korsitë në rrugën përballë furrës së bukës për të parandaluar ndalimin e paligjshëm për burek, për shkak se bllokohej komunikacioni.
Gjithashtu, Komuna Qendër vendosi saksi të mëdha me lule në rrugën Boemska në Debar Maallo për të parandaluar parkimin e paligjshëm para lokaleve. Sepse policia e ka të ndaluar të gjobis. Megjithatë, shoferët janë të shkathët dhe parkojnë mes saksive.
Në të njëjtën kohë, fansat maqedonas të Zdravko Çoliqit dhe Cecës janë shumë të zhgënjyer pasi u anuluan shfaqjet e tyre për Vitin e Ri. Në Mal të Zi.
Këto janë të paktën tre arritje dhe një zhgënjim të dielën kur kryeministri dha dorëheqjen.
Dhe tani, vlerësoni objektivisht trashëgiminë politike të Zaevit në një realitet të tillë në Maqedoninë e dekadës së tretë të shekullit të 21-të.
Përktheu: Fjolla Zllatku