LUKS ME DUSH

Sa i madh do të jetë dënimi për shembullorët dhe të ndershmit, që të kompensohet shpërblimi që shteti ua jep të paftyrëve dhe të pandershmëve?

1 Në planin aksionar të marrëdhënieve me Bullgarinë apo aneksin ose sido që të quhet dokumenti që duket të respektojmë në mënyrë që qeveria në Sofje ta heqë veton për fillim të negocimeve me BE-në, detyrimisht do të vërë edhe një pikë. VMRO-ja e Karakaçanovit do ta kapërcejë pragun zgjedhor që të hyjë në Kuvendin e tyre. E pastaj të shtohet edhe një aneks tjetër – Karakaçanovi të jetë përsëri zëvendëskryeministër. Atij nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të fitojë edhe ndonjë votë tjetër nga nacionalistët bullgarë me deklarata antimaqedonase.

Për më tepër që, nuk na mjaftojnë problemet tona me atë se çfarë do të bëjmë pas regjistrimit të popullsisë në prill, e tani akoma edhe zgjedhjeve në Bullgari do të duhet t’ia mendojmë. Përveç faktit që lajmi kryesor është ajo që bën Buçkovski. Buçkovski u nis, Buçkovski kapërcen kufirin, Buçkovski mbërriti në Sofje, Buçkovski u kthye…Ashtu si njëherë e një kohë, kur i dërgonim këngëtarët dhe këngëtaret në Eurovizion. Buçkovski në Sofje është takuar me intelektualë. Kush e di, ndoshta edhe në Shkup takohet me intelektualë. Nuk e di se pse nuk shkoi edhe te gjyshi peshkopi Stefan që ta bekojë, në mënyrë që, sidomos në këto ditë krize, të mos na bëjnë demonët edhe ndonjë pengesë tjetër në rrugën drejt BE-së.

Kësaj i thonë punë e djallit. Në karnavalin e Vevçanit e dogjën flamurin bullgar. Vetë akti i djegies së një flamuri, cilido qoftë ai, është një budallallëk. Me këtë gjë ai nuk fiton asgjë. Mirëpo, budallenj ekzistojnë gjithandej. Shikoni, akoma dhe në Amerikë dolën me gjithë turinjtë e tyre.

Këtu, shteti reagonte sipas protokollit. Ministria e punëve të jashtme e dënoi incidentin, prokuroria ngriti hetim për cënim të imazhit të shtetit të huaj. Madje edhe presidenti i shtetit Stevo Pendarovski e dënoi djegien dhe tha se “mes fqinjve është i domosdoshëm ndërtimi i besimit, kuptimit dhe respektimit”. Gjë e cila sigurisht do të prekë edhe veshët e Karakaçanovit, e kështu pritet të fillojë një seri e re deklaratash për “besimin, kuptimin dhe respektimin”, e cila sigurisht që do të transmetohet dhe përpunohet me detaje në pothuajse të gjitha mediat maqedonase.

Por, nëse dy-tre pjesëmarrës në karnevale kanë djegur flamurin e një shteti tjetër, kjo nuk do të thotë se të gjithë jemi të tillë. Siç thotë Zaevi – nëse dikush ka qenë fashist në Luftën e Dytë botërore, nuk kanë qenë të gjithë.

2 Sidoqoftë, Bullgaria me anë të vetos ua ka mbaruar punën e ndyrë euroskeptikëve. Dhe atyre shteteve-anëtare të BE-së. Dhe këtyre tanëve. E besa, edhe qeverisë do t’i vijë mirë. Kujt i shkon mendja tani, në luftë kundër korrupsionit, për një administratë efikase publike, qeverisje transparente, plane urbanistike, ajër dhe ujëra të pastër, kur çështja prioritare është se sa herë Buçkovski e ka kapërcyer Deve Bairin. Për më tepër që, gjërat, kështu-ashtu po shkojnë siç duhet. Nëse lexon deklaratat e zëvendës kryeministrit për luftë kundër korrupsionit Ljupço Nikollovski, do të mendosh se jeton në Suedi. E njëkohësisht, kolegu i tij Artan Grubi organizon disko private për miq partiakë në ambientet zyrtare të Ministrisë së asgjësë.

Ndërkohë, kryeministri Zaev lajmëroi se makinat me tabela regjistrimi bullgare do të regjistrohen me 50 përqind tarifa të reduktuara. Ka majmunë që kanë respektuar ligjin dhe që paguajnë çmimin e plotë dhe ka të tillë që nuk e respektojnë ligjin dhe do të paguajnë gjysmën e çmimit. MPB publikoi se kamionë të tërë për përzierjen e betonit të kompanive të personave në pushtet për vite të tëra kanë figuruar si të paregjistruar, ndërsa qytetarët e nderit me zor mbledhin rrogat në kartelat bankare që t’i regjistojnë makinat.

Sa i madh do të jetë dënimi për shembullorët dhe të ndershmit, që të kompensohet shpërblimi që shteti ua jep të paftyrëve dhe të pandershmëve?

Ndërto një ndërtim të paligjshëm, se do të ta legalizojnë. Uzurpo trotoarin për tarracë kafeneje, do të ta legalizojnë atë, madje me gjithë ngrohjen që ke vendosur. Rendit dërrasat e një platforme në liqen, ata do të ta legalizojnë kur do të bëhet kafene. Mos paguaj tatim të pronës, do të të lusin që t’ua paguash me këste. Bëj një shplarje parash në Belize, pastaj ktheji kinse për investim, e do të ta legalizojnë edhe atë.

E gjithë beteja me të padisiplinuarit do të përfundojë tek legalizimi i mungesës së disiplinës. Kur do t’u japë lirim ky shtet paguesve të rregullt?

3 Në 14 janar, Rinia socialdemokratike e Maqedonisë publikoi se: “Studentët e Shtëpisë studentore “Kuzman Josifovski – Pitu” marrin ngrohje dhe ujë të ngrohtë.” Drejtoria e siguroi sasinë e nevojshme të karburantit ekstra të lehtë. Vazhdojmë me drejtim transparent të institucioneve, me përkujdesje për studentët dhe zgjidhje efikase të situatave të paparashikuara”.
Uaau! Çfarë arritje, çfarë transparence, por edhe çfarë përkujdesje për studentët dhe zgjidhje efikase e situatave të paparashikuara! Kush ka mundur të parashikojë se në janar studentëve do t’u duhet ngrohje? Por për këtë arsye këtu është Drejtoria, e cila në mënyrë efikase, për vetëm 10 ditë që kur studentët u ankuan se nuk kanë ngrohje, u ka siguruar ujë të ngrohtë për dush. Edhe atë si. Do të bëjnë luks. Luks me dush.

Si u lëvduan socialdemokratët e rinj. A thua se kanë lëshuar ndonjë sondë në Mars. Çudi e madhe – kanë sjellë vaksina për kovid-19 në janar. Por jo. Kjo është një arritje e cila është thjesht e paimagjinueshme. Drejtoria e institucioneve e ka mbaruar punën për të cilën merr rrogë. Çfarë zbulimi!!!

4 Për kryetar të ri të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve është përzgjedhur Aleksandar Dashtevski, kryetar i mëparshëm i Komisionit për antidiskriminim, nënshkrimi i të cilit në një dokument se ka qenë i diskriminuar i ndihmoi Nikolla Gruevskit ta legjitimizojë kërkesën për azil në Hungari.
Dashtevski është përzgjedhur me 95 vota në propozim të VMRO-DPMNE. Kaq shumë vota “për” në Kuvend nuk ka pasur për asgjë tjetër, përveç kur deputetët votuan paratë e buxhetit të partive.

Po atëherë, përse e përzgjodhët? Që nesër t’ju votojnë ju? Fakti se në LSDM kanë mendim për Dashtevski nuk i penguan që ta votojnë. Pasi ashtu iu konvenon. Edhe atyre iu konvenon që partitë ta kontrollojnë procesin zgjedhor. Tregimet për profesionalizim i ruajnë për postime në Facebook, me fraza të kopjuara nga organizatat joqeveritare dhe për tavolina rrethotre të ambasadorëve të shteteve të BE-së.

Dashtevski akoma pa u ulur në zyrën e tij të re doli në intervistë të Sitelit, që për katër vjet me radhë provon ta resocializojë. Që të përgjigjet në çështjen nëse KSHZ është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai ka qenë i gatshëm. Nga na doli tani muabeti për zgjedhje të jatëzakonshme?

Si ia çojnë LSDM, nuk u mbushën me mend. Herën tjetër kur do t’i rahin në Parlament askush nuk do të ankohet. E as gazetarë nuk do të ketë që të raportojnë. Nuk janë budallenj që t’i rrahin edhe ata, e nesër të duhet të thonë në gjykate se kanë qenë në punë, ashtu siç tani gjykata nuk u beson se kanë raportuar në 27 prill 2017.

5Gjykimi kundër deputetit Antonio Milloshoski për rastin “I fuqishmi” u shtye për shkak se gjykata nuk ka mundur ta gjejë të gjykuarin tjetër Vecko Zdravevski, anëtarin e mpërashëm të Komisionit për lustrim. Zdravevski është bashkëshorti i prokurores në Prokurorinë publike të Shkupit, por Gjyqi e ka kërkuar në adresë në Kërçovë.
Ku është vallë i akuzuari? Gjykata nuk mund të gjejë burrë për prokuroren. Kurse gjykatësja nuk mund të urdhërojë arrestim që të shfaqet në gjykim. A është vallë në Shkup, apo në Kërçovë? Po bashkëshortja e tij, ku është? Ndoshta i akuzuari është fshehur në krevatin e saj? Ndoshta burri është frikësuar dhe është fshehur nën krevatin e prokurores? Ndërsa kur lustronte gjykatësit me porosi të Milloshoskit, gjë pas së cilët gjykatësi humbi punën dhe vdiq, ishte burrë i madh dhe nuk fshihej.

Përkthim: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира