1Ja që shumë shpejt do vijë koha ta vajtojmë deputetin Krsto Mukoski. Na shitet si viktimë e represionit politik. Heeeej! Oree Krsto Mukoski flet në seancën e Parlamentit. Heeej! Krsto Mukoski nga foltorja e Parlamentit na flet për persekutimin politik, për do tradhti… Heeej! Njeriu i cili më 27 prill ua hapi derën dhunuesve në sulmin e organizuar të Kuvendit. Me sytë tona e pamë. Nuk e dëgjuam në telefonata të përgjuara. Heeeej! I njëjti Krsto na ankohet se shkarkimi i Marko Zvrlevskit na qenka një fushatë shpifëse politike. Kuptohet se do të ankohet. Dhe pikërisht Prokuroria që e drejton Marko Zvrlevski ka bllokuar hetimin për Mukoskin. Mirë pra, vallë nuk e keni kuptuar edhe pas 11 vitesh se atë që VMRO-DPMNE e përsërit 100 herë bëhet e vërtetë? Madje pyesni se si nuk kanë turp? Çuditeni se sa të paturpshëm janë.
Jo, jo…. nuk na çudit guximi i paskrupullt i tyre. Tani pyesim veten se sa kohë pushteti do t’ua lejojë që ata ta bëjnë këtë.
Ndodhi 27 prilli! Heeej! Nisën të vrasin deputetë. T’ia kishin dalë me planin e tyre, do na rrihnin e do na vrisnin rrugëve. Vallë me çdo çuditjen tuaj harroni 27 prillin? Pyetja më nuk është – si nuk kanë turp? Pyetja është se pse e toleroni këtë? Dhe pyetja është vallë çfarë do të bëjë pushteti që VMRO-DPMNE-së t’i vijë turp. Dhe çfarë do të bëjë pushteti që asnjëherë mos të përsëritet kjo sjellje.
2Nuk e di si e keni ju, unë për vete as në rrugë nuk dua t’i shoh ata që planifikuan 27 prillin dhe ata që morën pjesë në zbatimin. Nuk mund të harroj të keqen që na e kanë dëshiruar ata që tani vajtojnë se kinse na qenkan viktima të persekutimit politik. Si mund të relativizohet krimi që kishin nisur ta kryenin? E pamë me sytë tona në transmetim të drejtpërdrejtë. Nuk ishte e prerë, e ngjitur dhe montuar.
Si të sillet njeri me drejtorët e kopshteve, të shkollave, të institucioneve publike të kulturës, të anëtarëve të këshillave drejtues dhe varg komisionesh të tjera që muaj të tërë kërkonin arsyetim për dhunën që paralajmëronte Nikolla Gruevski? Pse? Vetëm me qëllim që të fshihnin krimet e tyre që iu kishin dhënë privilegje.
Le të mos na shiten si shokë të fëmijërisë për të cilët duhet të harrojmë se sa ishin të këqij. Ata bre donin të na zhduknin. Ata kërkonin linç. Dhe ne pasiqë jemi të mire, duhet të kuptojmë se “njeriu na paska miq ndërsa qëndrimet politike duhet lënë anash”. Madje edhe na filozofojnë lidhur me temën e miqësisë dhe vlerave njerëzore. Politika na qenka një gjë, miqësia tjetër.
More shporruni!
3Dhe tani, çfarë bëjmë ne? Çuditemi se sa vmrovcat paskan ngrënë në kurrizin tone.
Ne me vite vazhdojmë të jetojmë në zonën e rahatisë duke u çuditur dhe duke parë sehir. Çuditemi se si Gruevski dhe ata të rrethit të tij të ngushtë në pushtet kanë mundur të plaçkitin shtetin, të merren vesh për komisione, të përgjojnë, të vjedhin zgjedhjet…. Çuditemi se si gjyqtarët dhe prokurorët të punojnë sipas shënimeve në defterin e Gocës… Dhe tani çuditemi se ata paskan ngrënë në kurrizin tonë.
Mirë pra. Kanë ngrënë, kanë pirë…. Por, le të shohim se çfarë do të hajë qeveria e re. Çfarë do të ndërmarrë? Do paraqesë padi penale për shpërdorime, do të ndryshojë politikën për shpenzimet për reprezentacion, do të sjellë rregullore të reja, do t’i bëjë publike informacionet nga ministritë, do t’i ngrijë përkohësisht kartelat zyrtare…? Sjellja ndryshon vetëm me masa konkrete. Krijoni një shtet ku nuk do çuditemi kur sërish do të ndodhin gjëra të këtilla, por automatikisht do të kërkojmë përgjegjësi dhe ndëshkim. Kështu, vetëm përmes publikimit të menyve, Qeveria nuk bën gjë tjetër veçse na nxit të mbetemi në zonën e rahatisë duke parë sehir ndërsa debatet publik do të shndërrohet në një çuditje tezesh që kanë shkuar për ujë në shatërvanin e fshatit. Gruevski do thoshte: “Të donin të hanë më shumë do të hanin”
Dhe do ta përsëris. Pyetja nuk është se çfarë ka bërë Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Por çfarë do të bëjë Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së për të ndëshkuar këto krime, që mos të përsëriten më.
4Marko Zvrlevski thotë se na qenka një menaxher i mire i Prokurorisë. Paska blerë telefon celular. Nuk e dimë nëse kanë qenë në pako me pajisje përgjimi. Sepse nuk arriti të niste hetimin. Megjithëse, nuk ka dyshim nëse telefonat kanë qenë të mire, që qeveria të mundet t’i kontrollojë më mire edhe prokurorët.
Zvrlesvski menaxhoi shumë mire hetimin për përgjimet e paligjshme nga të cilat mësuam për shumë zullume të tjera të pushtetit. Një Prokurori tërësisht e re u formua që të shpëtonim nga menaxhimi i tij. Dhe ende nuk kemi shpëtuar.
5I shihni vallë se si mbrohen të paditurit para PSP-së? Sikur mos të ishin të akuzuar për krime të rënda. Sikur të kërkohej paraburgim për ta sepse i urrente zyshja. Jo do t’u vuaka biznesi, jo nuk e paskan në natyrën e tyre mos të udhëtojnë, jo duheshka të shkojnë në pushim, jo na qenkan të pazëvendësueshëm për kompaninë, jo na qenkan të detyruar të blejnë personalisht barëra jashtë shtetit….
S’iu plasë fare. Në fakt, mbrojtjen e kanë njësoj si veten. Janë të bindur se atë që e kanë bërë e kanë pasur me të drejtë.
6Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë të detyruar të shkojnë në festa shtëpie. Shn. Savën dhe Shn. Pavlen i thirrën të shpëtonin Zvrlevskin nga shkarkimi.
Sipas cilës Rregullore vallë Talat Xhaferi lejoi që ata të festonin këto festa? Kushtetuta ende thotë se jemi shtet sekular. Vallë kujt ti kujtohen gjepura të tilla, siç është krahasimi i festave të tilla me iftarin, ku as Xhaferi nuk arrin të gjendet?
Po punëtorët në investimet e huaja dhe ato të vendit, efektivët e policisë, ushtarët, doganierët, shoferët e kamionëve dhe autobusëve…..Vallë kanë shkuar ata të festojnë ditën e emrit?
7Ja një matematikë e thjeshtë në rrugën drejt Evropës. BE do na japë një dhuratë prej 70 milion euro të pakthyeshme për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë. Ndërsa Maqedonia duhet të paguaj 120 milion euro vetëm për të korrigjuar autostradat kineze të shkaktuara nga patriotizmi i Peshevskit “deal oriented” dhe llogaritësve të komisionit Gruevski dhe Janakievski.
Mos është shumë?
Përktheu: Fjolla Zllatku