MARTESA ME GABIME

Cila kompani private mund ta përballojë prodhimin e 20.000 prodhimeve të gabuara?

1 Nuk i fajëson dot ata që kërkojnë para nga shteti, sepse për gjithçka që nuk u shkon, fajin ua ka shteti. E puna është kështu sepse për tridhjetë vjet të gjitha qeveritë e deritanishme krijuan një klasë të tyre të privilegjuar. Të punësuar në shtet. Me ndihmë të partisë e cila në atë kohë ka qenë në pushtet. E kjo klasë e privilegjuar konsideron se për të është e natyrshme e drejta që shteti ta mbajë atë me privilegje. Të kërkojë para nga shteti. Pa pyetur nëse shteti ka pare. Dhe pa pyetur se nga do të kishte pare. Thjesht, asaj duhet t’i japë pare. Mu si fëmijët e llastuar që bërtasin në mes të dyqanit.
Thua me vete, shteti është diçka abstrakte, diçka atje lart nga e cila mund të marrim, mund të përfitojmë, mund të mashtrojmë…A thua se nuk jemi ne shteti, ne tatimpaguesit që e mbushim buxhetin që shteti të funksionojë siç duhet. Mirëpo, as qeveria e as opozita nuk mërziten se si e kanë ata që e mbushin buxhetin. Për ta rëndësi kanë ata që harxhojnë paratë e buxhetit. Atë trup votues kanë nën kontroll. Për këtë arsye vetëm atij i shërbejnë.

Krizë kovidi, krizë energjetike, luftë në Ukrainë, krizë ushqimore…E gjithë ekonomia është në ngërç. Fabrika të tëra ndoshta do të pushojnë së punuari. Sa për firmat e vogla, të mos flasim fare. Sa njerëz do të mbesin pa rrogë. Ama, e rëndësishmja është që administrata do të mbajë grevë. Se paska qenë përbuzëse të kenë rroga pak më të mëdha nga rroga minimale e punëtorëve të firmave private, të cilat ua sigurojnë rrogat atyre. E për më tepër u japin edhe K-15. Që ta bëjnë punën e shtetit akoma më tërheqëse për punësim. Ndërsa biznesit privat t’ia komplikojnë jetën akoma më shumë.

Na jepni paratë tani, e ne nesër do të thërrasim “uaaaa” për shtetin. Ato para me të cilat do të detyrohemi t’i shërbejmë administratës nesër do të duhet të kthehen. Kush do t’i kthejë, kur të gjithë njerëzit punëtorë u shpërngulën jashtë shtetit, kurse fëmijët ambiciozë shkuan në shkollim në universitetet e huaja? Nga do t’i kthejmë paratë kur ne as speca nuk mund të bëjmë më siç duhet? Qeveria do t’i japë klasës së privilegjuar nga paratë e huazuara, por pastaj do të vetëvritemi si grekët në vitin 2008 kur humbën edhe shtëpitë edhe bizneset nga të shpenzuarat, por të pafituarat. Bankat edhe te ne do të vijnë pas gjërave të tyre. Vetëm se Greqia është në BE dhe kishte se kush ta shpëtonte. Ne nuk ka kush të na shpëtojë.

2 Nuk është e këndshme që kjo temë u drejtua kah arsimtarët dhe fëmijët. Kishte solidaritet dhe mirëkuptim në fillim të grevës. Por, pastaj, e paskan pak 10 përqind rritje të rrogës. E kështu pranuan 12 përqind. E pastaj ndërruan mendje dhe vazhduan me grevën. Dhe i bënë bashkë Pashkët me 1 Majin dhe Bajramin. E kur kjo të kombinohet me nervozën lidhur me fundin e vitit shkollor, regjistrimet në shkollë të mesme, provimet e maturës, regjistrimet në fakultet dhe protestat “spontane” për vazhdimin e grevës, simpatitë do të marrin fund.

Indeksi i kapitalit njerëzor të Bankës botërore për vitin 2020 tregon se një fëmijë i lindur në Maqedoni sot, kur do të rritet do të arrijë vetëm 56 përqind nga potenciali i tij.
Kështu që, shumë mirë na vijnë në vesh historitë për rrogat e arsimtarëve të Finlandës. Por për Finlandën do të flasim atëherë kur do t’i kemi rezultatet finlandeze të testeve PISA të nxënësve. E jo kur të jemi mes shteteve të fundit në Evropë.

Në fund të fundit, arsimtarët janë njerëz të edukuar, të arsimuar dhe që marrin vesh. Nuk mud të besoj se deri më sot nuk kanë dëgjuar se në Evropë ka luftë, se rryma po shtrenjtohet gjithandej në botë, se ka krizë furnizimi me gaz dhe naftë. Dhe se nuk e kuptojnë logjikën e thjeshtë se që të ketë para për ta, do të duhet të merren para nga të tjerë. Por, rrethi është i vogël, e brenda tij jemi të gjithë, apo jo? Fakti që ata tani kanë fuqinë për të na shantazhuar me fatet e fëmijëve tanë, nuk do të na shpëtojë nga shkatërrimi i të gjithëve bashkë më vonë.

3 Grevë mbajnë edhe të punësuarit në Drejtorinë për udhëheqjen me librat amë. Rroga më të larta kërkohen në Drejtorinë në të cilën jo vetëm që me javë dhe muaj të tërë pritet për t’u nxjerrë një dokument amë, por Enti shtetëror për revizion ka vërtetuar se në vit nxirren mbi 20.000 dokumente të gabuara.
Nga sindikati i tyre kanë thënë se askush nuk e paska vlerësuar punën e tyre. E si ta vlerosojë? Ata meritojnë rroga më të larta vetëm në rast se puna e tyre vlerësohet në bazë të gabimeve që bëjnë. Nëse paguhen për çdo gabim që bëjnë, shteti do të falimentojë.

Thonë se kush punon, gabon. Por pse të gabojnë në dëm të parave të mia? Le t’i marrin në qafë paratë e veta.

Paramendoni kasieret e shitoreve të cilat punojnë për pagë minimale, të gabojnë. Kush do t’ua paguajë gabimet? Myshterinjtë? Apo do t’i paguajnë vetë para se të përjashtohen nga puna. Paramendoni rrobaqepëset me pagë minimale, të gabojnë aq shumë sa të prodhojnë 20.000 copa gabim? Kush do t’ua paguajë gabimet atyre?

Dhe çfarë ndodh? Punëtorët e sektorit privat që nuk guxojnë të gabojnë, tani duhet të sigurojnë rritje të rrogave të të punësuarve në sektorin shtetëror, të cilët kanë lirinë të gabojnë 20.000 herë në vit. Dhe këta punëtorë në vend që të nxirren nga puna, lejohen që të dalin në grevë për të kërkuar rrogë më të lartë dhe të shantazhjonë gjithë shtetin – vetëm dokumente për martesa do të nxirrkan.

Epo cila kompani private mund të përballojë prodhimin e 20.000 prodhimeve të gabuara?

4 VMRO-DPMNE-ja paradite në komunikatë thotë se i mbështet grevat e arsimtarëve dhe administratës publikë dhe e kritikon qeverinë se nuk u jep rroga më të larta. Pasdite, VMRO-DPMNE në një komunikatë tjetër e kritikon qeverinë se i detyrohet 900.000 milionë euro që të sigurojë likuiditet të shtetit.
VMRO-DPMNE-ja, si parti që ka qenë në pushtet për në kohë relativisht të gjatë, do të duhej të dinte tashmë se ka vetëm dy mënyra që të rriten rrogat kur nuk ka para. Ose të merret kredi. Ose të kthehen paratë që kryesia e tyre partiake i ka çuar në vende atraktive “ofshor” si Belize.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира